Nga 2009 deri më sot dëbohet tri herë me tre emra të ndryshëm, njëherë si Ermal, më pas si Hermes e dy ditë më parë si Elio. Të trija herët kishte pasaportë, në dukje, të rregullt
Romë, 11 janar 2013 – Karabinierët e Folignos kanë dëbuar dy ditë më parë një shqiptar 25 vjeç me pasaportë shqiptare biometrike, sipas të cilës emri i mbajtësit është Elio. Por, sipas agjencisë së lajmeve ASCA, shenjat e gishtërinjve tregojnë një të vërtetë tjetër.
I njëjti person, në vitin 2009 ishte arrestuar në Assisi për shpërndarje droge dhe ishte dëbuar pas një periudhe burgimi. Asokohe quhej Ermal. Por majin e shkuar është kapur sërish në Assisi. Këtë herë ka treguar një pasaportë shqiptare të sapo lëshuar me emrin Hermes. Edhe këtë radhë u dëbua: shenjat e gishtërinjve nuk ndërrohen dot si identiteti në pasaportë.
Kështu, i kapur sërish pak ditë më parë si Elio, është arrestuar për shkeljen e ligjeve të emigracionit dhe është shoqëruar në aeroportin e Anconës dhe është hipur në një avion për Tiranë. Ermal/Hermes/Elio nuk mund të hyjë në Itali e në asnjë vend të zonës Shengen për pesë vjet, gjithnjë nëse nuk pajiset me një pasaportë të re me një identitet të ri.