“Nderi i Kombit”, Vaçe Zela u nda nga jeta në të gdhirë të ditës së enjte, pas një sëmundje të rëndë. Ajo u lind në Lushnjë në vitin 1939 dhe në 7 prill të këtij viti do të mbushte 75 vjeç. “Të prehem në atdhe” ka qenë një nga amanetet e artistes që me zërin e saj hyri në çdo shtëpi të shqiptarëve.
Tiranë, 6 shkurt 2014 – Ka ndërruar jetë në Zvicër në moshën 75 vjeçare këngëtarja Vaçe Zela. Zemra e yllit të muzikës shqiptare ka pushuar së rrahuri rreth orës 01:20 duke u gdhirë dita e enjte. Trupi i pajetë i këngëtares së madhe do të kthehet nesër në Shqipëri.
Vaçe Zela e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, ajo fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor“.
Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë si “Viti Vaçe Zela”.
Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.
Artistë nga të gjitha fushat, politikanë dhe qindra njerëz shprehin ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale. Me zërin e saj mahnitës, Vaçe Zela është mit i pavdekësisë që ka hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.
Hysni Zela: Shqipëria, meraku i madh i Vaçes
Hysni Zela, vëllai i Vaçe Zelës, rrëfen dhimbjen për humbjen e artistes së madhe dhe të motrës së tij . Edhe pse e ka të vështirë të flasë ai tregon se para tre javësh kanë qënë familjarisht, në shtëpinë e saj në Zvicër.
“Vaçja kishte pesë muaj që shkonte vazhdimisht në spital. Kur ishim herën e fundit, na tha: “Mendoj se po mbaroj”, është shprehur Zela në një bisedë telefonike. Mes emocionesh ai ka thënë se, Shqipëria ka qënë meraku i madh i Vaçe Zelës.
Amaneti i saj ishte të prehej në Shqipëri. “Qante e gëzohej shumë kur i përcillja të fala nga artistët e të njohurit nga Shqipëria”, tha Hysni Zela, këngëtar i njohur, në një prononcim për mediat.
Saimir Pirgu: “Vaçe Zela pjesë e identitetit kombëtar”
Tenori shqiptar Saimir Pirgu e ka cilësuar këngëtaren Vaçe Zela “pjesë të pa zevëndësueshme të identitetit tonë kombëtar”. Pirgu, sot një nga këngëtarët më të njohur te jetës muzikore botërore, e quan “ikonë të muzikës shqiptare”, të përjetshmen Vaçe Zela.
“Zëri i saj do të kumbojë dhe rrezatojë në çdo zemër shqiptari në jetë të jetëve, sepse është pjesë e pazëvendësueshme e identitetit tonë kombëtar”, shkruan në faqen e tij në Facebook tenori Saimir Pirgu i cili e nisi axhendën koncertore për vitin 2014, në Zvicër, në vendin ku jetoi për disa vite kengëtarja e madhe.
Inva Mula: Vaçe Zela, “Diva jonë absolute”
Inva Mula ishte fare e vogël kur dëgjonte krijimet e babait të saj, Avni Mula për këngëtaren Vaçe Zela. E kishte model dhe një ditë ëndërronte që të këndonte si Vaçja në skenë.
Sot një soprano me famë botërore, Inva Mula e cilëson artisten e madhe shqiptare një “Divë absolute”, një artiste “pa konkurrencë, pa krahasim”!
Në një mesazh të postuar në Facebook, në këtë ditë të ndarjes nga jeta të artistes së madhe shqiptare, Inva Mula i është drejtuar ndryshe Vaçe Zelës me “bindjen” se ajo e dëgjon:
E dashur Vaçe!
Po të drejtohem duke ngritur sytë nga qielli me bindjen se më dëgjon! Ti u ktheve në një legjendë që në vitet e rinisë tënde, ishe simboli i artistes absolute, pa konkurrencë, pa krahasim! Atje ku tingellonte zëri yt dhe gërshetohej me fjalën aq bukur, shqiptuar me një frazë melodike që vetëm ti dije ta skalisje, lije vetëm një rrugë të ndriçuar, e cila u bë referencë e këngës shqipe!
Kam patur fat të të njoh që kur isha fare e vogel dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty! Ti ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë! Të falenderoj dhe do të jem mirënjohese Diva jonë Absolute!”.
Në të vërtetë një sërë brezash artistësh e adhuruan dhe e ashurojnë Vaçe Zelën për zërin brilant dhe prezencën e saj skenike në 40 vite karrierë artistike. E cilësuar si “Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Legjenda e Këngës”, “Mit i papërsëritshëm”, shumë prej këngëve të interpretuara nga Vaçe Zela si “Shqipëri o vendi im”, “Valsi i Lumturisë”, të kompozuara nga Avni Mula vazhdojnë të jenë himne të muzikës së lehtë shqiptare.
Të shtunën homazhet për Vaçe Zelën në skenën e TKOB
Trupi i pajetë i artistes Vaçe Zela do të mbërrijë në Aeroportin e Prishtinës të premten ora 14.00 ku do te pritet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Shqipërise dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës, njoftoi ATSH-në zyra e shtypi të Ministrisë së Kulturës.
Duke ju referuar njoftimit, homazhet në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen ditën e shtunë, 8 shkurt, në Teatrin Kombetar të Operas dhe Baletit nga 10.00- 12.00.
Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, z. Edi Rama. Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore, do të organizohet në, orën13.00 duke u nisur nga TKOB për tu prehur në varrezat e Sharrës.
Ministria e Kulturës u shpreh ngushëllimet familjareve, njerezve te artit dhe kultures dhe te gjithe shqiptarëve kudo që ndodhen. Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. Kënga e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar dhe do të vazhdojë të jetë bashkeudhëtare e historisë sonë shqiptare. Në oraret e homazheve, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela , do të ulin flamurin në gjysmështizë, citohet njoftimi i Ministrisë Shqiptare të Kulturës.
Respekt dhe nderim për Vaçe Zelën
Si asnjëherë, artistë, politikanë e simpatizantë të shumtë të artistes së madhe Vaçe Zela kanë shprehur ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale, të cilat janë mbushur me fotografi dhe këngë të mbretëreshës së këngës shqiptare. Po ashtu personalitete të politikës dhe të kulturës kanë shprehur dhimbjen dhe vlerësimin e tyre për artisten e madhe.
Ja disa nga vlerësimet për mitin e këngës shqipe të botuara nga ATSh:
Bujar Nishani: “Vaçe Zela ishte magjia e madhe që e bëri kombin shqiptar të gëzojë dhe të jetë optimist për jetën, edhe kur jeta premtonte shumë pak mirësi. Artistja e madhe po ikën si rrallëkush: ajo ka fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë, sepse kënga dhe arti i saj, vetë emri i ‘Artistes’ është shënuar në historinë e artit dhe të muzikës shqiptare.Vaçen tonë do ta mbajmë mend përjetë me admirim dhe mirënjohje për kontributin e saj të paarritshëm artistik, që e kurorëzoi me plot të drejtë si ‘Mbretëreshën e këngës shqiptare’.
Edi Rama: “Ne nje kohe e vend tjeter Vaçja do ishte yll i ndezur ne qiellin e botes, iku duke lene perjete ndezur yllin e vet ne qiellin e Shqiperise”.
Ilir Meta: “Vaçe Zela ishte një zë i mrekullueshëm që ka zbukuruar dhe lumturuar jetën e gjeneratave të tëra në kohë më të vështira. Mbas pothuajse 20 vjetësh mungese në skenë por gjithmonë e pranishme në kujtesën tonë Vaçja e madhe”.
Mirela Kumbaro: “Valsi i lumturisë kthehet sot në requiem të pazevendësueshëm për thesarin e kombit që quhet thjesht Vaçe!”
Ditmir Bushati: “Talent i paperseritshem qe do te na mungoje! RIP Vace Zela!”
Sali Berisha: Dhimbje dhe zi për botën tonë kulturore dhe mbarë kombin tonë! Sot u nda nga jeta, këngëtarja e madhe, zëri i shekullit të këngës sonë, Vaçe Zela. Me zërin melodioz e të papërsëritshëm, me këngët dhe interpretimet e saj, Vaçe Zela dhuroi gëzim, kënaqesi dhe krenari në zemrat dhe votrat tona!
Lulzim Basha “Për të gjithë ne që u rritëm me zërin e saj unik, sa më shume që koha kalon aq më e dashur dhe e veçantë është figura e saj. Vaçe Zela do te mbetet përjetë mes nesh. Ngushëllimet e mia për familjen, të afërmit dhe miqtë e kësaj ikone te muzikës shqiptare. U prehtë ne paqe”
Jozefina Topalli: “Iku Vaçe Zela, mbeti zeri i Saj! I kendoi me dashuri pa kufi vendit te saj si askush tjeter! I gezoi jetet e shqiptareve me magjine e zerit te saj, kur nuk kishte asnje gezim per to! Ajo ishte e dashura e shqiptareve!”
Hashim Thaçi: “Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares dhe artistes së shquar Vaçe Zela. Ajo ka qenë dhe mbetet ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, një zë origjinal, i papërsëritshëm dhe unikal në muzikën shqiptare.
Jakup Krasniqi: “Shqiptarët kudo në botë mësuan sot lajmin e trishtuar për vdekjen e mbretëreshës së këngës shqipe, Vaçe Zela. Zëri kumbues i Vaçes nuk ka vdekur, sepse do të shoqërojë edhe shumë breza artëdashës shqiptarë”
Dritëro Agolli: “Mburremi me këngën e saj dhe gjithmonë do t’i këndojmë edhe duke ecur në një fushë apo në një mal, auditor edhe në dhomë me të dashurit tonë. Ajo është një fenomen që do të jetojë tërë jetën. ”Kam bashkëpunuar me Vaçen dhe kam shkruar tekste për të me muzikë nga kompozitorë si Nikolla Zoraqi. Ajo nuk të linte të qetë deri sa t’i pëlqente vargu.Talenti i saj nuk binte në kompromis. Aty ku të prehet të mbushet me lule varri i saj” tha shkrimtari Dritëro Agolli në një prononcim mediatik.
Agim Krajka: “Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, pavarësisht se ka vite që, ishte e sëmurë. Por ndryshe është të jesh gjallë, ndryshe të mos jetosh më. Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij”.
Sidrit Bejleri: “Nderroi jete nje nder figurat me te medha te artit skenik shqiptar…Iku pertej artistja e madhe, ajo te ciles te gjithe i referohen kur flitet per majat e vokalit shqiptar…Iku Vaçja…Paqja e Zotit qofte me te!”
Aurela Gaçe: “Sapo u zgjova dhe hap televizorin si rutine e mengjesit. Degjoj lajmin e hidhur te shuarjes nga jeta te artsites se Kombit Vaçe Zela….menjehere me erdhi ne mend ate cfare kam perjetuar kur e kam takuar per here te pare…ne shtepine e saj ne Basel te Zvicres shkova ta takoj shume vite me pare…e shoh te buzeqeshur, me zerin e embel qe me ftoi te ulesha dhe u bukosa fare, nuk flisja dot,nuk i thosha dot sa shume e doja zerin e saj,sa shume kisha degjuar…me ofroi kek te cilin e kishin gatuar ne shtepi….mezi e hengra nga emocioni i madh qe kisha duke qendruar afer saj. E pyes xhaxhi Pjetrin,bashkeshortin e saj, ” si eshte te jetosh prane kesaj artisteje kaq te madhe”? Ai m’u pergjigj i qete: “Per mua ka qene dhe eshte njeriu i jetes time”. Të dua shumë teta Vaçe dhe emri yt e zëri yt do të jetojë në memorjen e të gjithëve ne, vajzës sime do t’ia mësoj emrin dhe këngët e tua, që edhe ajo e brezat e tjerë ta dinë se çfarë thesari ka pasur Shqipëria. Shpirti yt u prehtë në paqe!
Gazment Mullahi: “E paharruara , e madhja, ylli i këngës Vaçe Zela shndërohet në Ëngjëll dhe largohet nga jeta. Lamtumirë Vaçe Zela që na zbukurove jetën tonë me tingujt e zërit tënd”
Edlira Dedja: “Kënga jote ishte e magjishme, e dashur Vaçe – gjithshka që pritej, ndodhej aty: bukuria, gjallëria, feminiteti, shkëlqimi i menjëhershëm, tingujt brilantë të zërit tënd të pashoq, shqetësimi, kurajoja, emocionet e rralla, frymëmarrja e jetës dhe frymëzimi rinor. Por ti na ofrove nga ana tjetër edhe një ndjenjë të pashpjegueshme që buronte nga qëndrimi yt, nga xhestet e tua, nga timbri yt i rrallë e nga fraza jote , nga mënyra se si i shqiptoje fjalët, nga të gjitha këto cilësi që të bëne të ishe Vaçja, por që nga ana tjetër të mundësuan t’u jepje një karakter unik dhe thellësisht njerëzor e mbresëlënës të gjitha këngëve që u kënduan e u interpretuan prej teje.”
Mimoza Selimi: “Kur erdha në jetë, dëgjova zërin tënd, zë që më shoqëroi në çdo moment. Të dëgjoja, e udhëtoja në ëndrrat e mia. Ti më bëre të ndjek udhën e këngës. Sa e sa gjera mësova nga ty. Me dashurinë e një Nënë më qëndrove pranë, e unë nuk kam fjalë të të shpreh mirënjohjen. Pata fatin të të kem në jetën time, ashtu siç do të të kem gjithmonë. Lotët më pengojnë të shkruaj. Irma më tregoi që u nise në rrugën pa kthim. Sa shumë e deshe e sa shumë, sa shumë të do Irma jote e mirë. Unë nuk kam parë një fëmijë të bëjë atë që bëri ajo për ty. Më ngatërrohen fjalët, nuk di ç’të them më parë për TY, e Madhërishmja, që pushtove zemrat e atyre që të dëgjuan. Ti vetëm madhështohesh çdo ditë! Ti jeton në përjetësi! U prehsh në paqe zysha ime e mirë! I lehtë të qoftë dheu i vendit tënd! Ti ishe e mbetesh në zemrën time përgjithmonë!
Gjergj Kostandin Leka: “Po ikin edhe figurat e fundit të muzikës së vërtetë shqiptare…edhe pse muzika jeton përjetë,nuk do të ketë mundësi kurrë ky shtet të ketë nderim t’i rikthehen figura të tilla! Fatkeqësi kombëtare…..qofsh e bekuar mikja ime Vaçe Zela.
Helidon Haliti: “Lushnjare e madhe Vaçe Zela, në telefonatën e fundit me Ju Vaçe, të thashë, sa e madhe dhe sa e pazëvendësueshme je. Sot po të shkruaj, sa e vërtetë është ajo që më lejove të të them.U prefsh në paqe shqipëtarja e madhe Vaçe,këndove për të gjithë, vdiqe në një vend asnjëanës.Uroj që populli të të qaj po aq bukur sa i këndove, dhe të të kujtoj edhe më bukur se zëri yt. Nderime.
Ambasada Amerikane, shpreh ngushëllimet për humbjen e Vaçe Zelës
Ambasada Amerikane në Tiranë ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të këngëtares së madhe shqiptare Vaçe Zela “Sot, Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare – jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe të dashurit e saj. U prehte në paqe!” thuhet në mesazhin e postuar ne faqen zyrtare të ambasadës në Facebook. (sipas ATSh)
Lexo edhe: Lulet kanë ulur kokën në ballkonin e Vaçe Zelës