Të dhënat e ministrisë italiane të Punës tregojnë se tryezat e rrumbullakëta të ngritura me përfaqësues të dy qeverive nuk po japin rezultatet e dëshiruara: në fund të vitit 2017, numri i të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Itali është rritur akoma, duke shkuar në 1.677
Romë, 13 shkurt 2018 – Statistikat e ministrisë së Punës mbi të huajt e mitur të pashoqëruar (MSNA) në Itali thonë se prania e të miturve shqiptarë të braktisur është rritur edhe gjatë vitit të shkuar. Rritja është më e ngadaltë se pesë vitet pararendëse, por gjithsesi vazhdon. Më saktësisht, të dhënat e ministrisë së Punës tregojnë se më 31 dhjetor 2017, nga 18.303 të huaj të mitur të braktisur në Itali, 1.677 janë shqiptarë, 85 prej të cilëve vajza. Praktikisht, çdo 11 të mitur të huaj të pashoqëruar që ndodhen në Itali 1 është shqiptar. Krahasuar me një vit më parë vërehet që numri i të miturve shqiptarë është rritur me 66, por kanë kaluar nga vendi i tretë në të katërt pas komuniteteve të të miturve nga Egjipti, Gambia dhe Guinea.
Dukuria e të miturve shqiptarë të pashoqëruar është bërë problematike vitet e fundit për shtetin italian që sipas ligjeve në fuqi duhet t’i mbajë e t’i shkollojë këta persona deri në mbushjen e moshës madhore. Të miturit shqiptarë përbëjnë problem sepse prania e tyre në Itali është e pajustifikueshme nga ndonjë situatë skamjeje ekstreme apo lufte me të cilat përballen për shembull vendet nga vijnë shumica dërrmuese e të miturve të pashoqëruar që gjenden në Itali. Përkundrazi, shqiptarët vijnë nga një vend në paqë e me demokraci që kërkon t’i hapen dyert e integrimit evropian.
Problemi është veçanërisht i ndjeshëm nga krahinat e komunat ku dyndja e të miturve shqiptarë të pashoqëruar ka qenë më e lartë, pasi është administrata lokale që duhet sistemojë konkretisht të huajt e mitur në territorin e vet.
Vitet e fundit mbi dukurinë e të miturve shqiptarë të braktisur u morën nga emisione televizive si Le Iene deri te forcat e rendit e organet e drejtësisë që shpesh kanë verifikuar se “braktisja” e të miturve shqiptarë ishte diçka e kurdisur nga vetë familja.
Ndërkohë, nga shteti shqiptar që duhet të parandalojë e të luftojë këtë fenomen që prek shtetasit e saj, kishte një heshtje të plotë në këtë aspekt. Deri në prill të vitit të shkuar, kur u mblodh në Romë një tryezë e rrumbullakët përfaqësues të ministrive të ndryshme të të dyja vendeve.
Në qershor takimi dypalësh Shqipëri-Itali u përsërit në Tiranë. Këtu u ra dakord për një plan veprimi me “hapat e përbashkët për të luftuar fenomenin”. Madje zëvendës ministrja e Punëve të Brendshme, Voda, tha se nga fillimi i vitit “rreth 360 minorenë nuk ishin lejuar të udhëtojnë jashtë vendit për shkak të dokumentacionit të mangët”.
Ndërkaq, fenomeni i të miturve të braktisur i shtrohet Shqipërisë edhe nga Franca. Në korrik të vitit të shkuar, gjatë një vizite në Paris, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati pati një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme të Francës, Gérard Collomb. Mes të tjerave, ministrat u ndalën mbi situatën e krijuar nga rritja e numrit të të miturve shqiptarë të pashoqëruar. Në planin e veprimit të përpiluar pas takimit pala shqiptare parashikonte të ndërmerrte masa për “përforcimin e regjimit të kontrollit për udhëtimin e një të mitur të pashoqëruar përmes futjes së kritereve më të rrepta (rishikimi i deklaratës noteriale); përshpejtimin e procedurave për t’iu përgjigjur kërkesave të bëra nga autoritetet franceze; krijimin e një sinjali paralajmërues në sistemin TIMS për të rriturit që kthehen në Shqipëri vetëm pas shoqërimit të një të mituri jashtë vendit; vendosjen e një sinjali paralajmërues në sistemin TIMS në lidhje me të miturit, qëndrimi i të cilëve jashtë vendit tejkalon kohën e lejuar pa vizë (90 ditë); rritjen e procedurave penale për “braktisjen e të miturve” në lidhje me prindërit ose të rriturit shoqërues”.
Të gjitha këto, janë masa që me siguri i ishin premtuar edhe palës italiane një muaj më parë.
Gjithnjë në korrik, në Itali, çëshja e të miturve shqiptarë të pashoqëruar përfundoi në Parlament. Relacioni mbi “Sistemin e pritjes dhe të mbrojtjes të të miturve të huaj të pashoqëruar” i paraqitur në Dhomën e Deputetëve përmbante një kapitull të veçantë për të miturit shqiptarë. Në Relacion thuhet qartë që “në thelb, të miturit shqiptarë bëjnë sikur janë të braktisur, në këtë mënyrë përfitojnë nga sistemi italian i mbrojtjes të të miturve të pashoqëruar ndërsa familjet e tyre jetojnë (të qeta duke e ditur ku i kanë bijtë) në Shqipëri, madje në ndonjë rast edhe në Itali”.
“Rritja e papërballueshme e numrit të të miturve shqiptarë ka çuar shërbimet sociale dhe autoritetet lokale të interesuara të sinjalizojnë fenomenin. – shkruhet në relacion – Hetimet e mëpasshme të kryera nga forcat e policisë kanë përfunduar me hapjen e procedimeve penale të ngritura ndaj anëtarëve të familjes dhe të rinjve “të pashoqëruar” të akuzuar për veprën penale të mashtrimit të rëndë të Shtetit. Hetimet kanë mundësuar gjithashtu rindërtimin e përpiktë të projektit migrator në fjalë. Të miturit, në fakt, shoqërohen në Itali nga të afërmit, bashkatdhetarët, apo u besohen shoferëve të autobusëve ose shoqërohen edhe nga vetë prindërit, të cilët pasi hyjnë në territorin italian (zakonisht nga portet e Barit ose Brindisit) kthehen menjëherë në Shqipëri, ndërsa të miturit shkojnë në qytetetet italiane të parazgjedhura…”.
Në relacion përmendet gjithashtu edhe fakti që mbi këtë dukuri kanë nisur takimet me palën shqiptare gjatë të cilave kjo e fundit ka “ilustruar masat që po ndërmerr për të luftuar problemin”.
A ia kanë dalë këto masa të frenojnë fenomenin? Shifrat e fundit të ministrisë italiane të Punës tregojnë se dukuria akoma nuk arrihet të frenohet. Shifrat vazhdojnë të ngrihen e nga një qeveri që ka ambicjen të hapë negociatat për të futur vendin në Bashkimin Evropian kërkohet një reflektim serioz e masa konkrete. Jo vetëm ndëshkuese apo kontrolli më të rreptë të atyre që dalin. Mbi të gjitha nevojiten politika e ndërhyrje konkrete për t’u dhënë familjeve e këtyre të rinjve besim në të ardhmen.
Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)