in

Vdes në Romë 90-vjeçari nga Kavaja. I lë qytetit të lindjes 1 milion euro

Shyqyri Jaho, që ka jetuar në Romë që në vitet 40, në testamentin e tij, çdo pasuri që ka, shtëpinë  dhe një dyqan që ka në qendër të Romës, ia ka lënë qytetit të Kavajës. Bëhet fjalë për një pasuri që vlen sipas avokatit, nga 800 mijë deri në 1 milion euro

Shyryri Jaho, pak vite para vdekjes, në bregdet në Kavajë
Kjo është një histori e pabesueshme, por që në Kavajë, këto ditë, flitet vetëm për të. Bëhet fjalë për shtetasin Shyqyri Jaho, një qytetar i Kavajës i ndarë nga jeta në moshën 90 vjeçare në Romë të Italisë.

“Dua ta tregoj historinë e këtij miku të shtrenjtë shqiptar për të gjithë qytetarët e Kavajës. Është një histori e pabesueshme, është një histori unike” thotë avokati italian i shtetasit Shyqyri Jaho.

Avokati, i cili ishte mysafir në Kavajë për tre ditë me radhë, në prani të bashkëshortes dhe kryetarit të Bashkisë Elvis Rroshi, tregon sesi Shyqyri Jaho, në testamentin e tij, çdo pasuri që ka, shtëpinë e tij në qendër të Romës, por edhe një dyqan po në qendër të kryeqytetit italian, ia ka lënë qytetit të Kavajës. Bëhet fjalë për një pasuri që vlen sipas avokatit, nga 800 mijë deri në 1 milion euro. Por që po pritet që pasi të përfundojnë procedurat e shpalljes së objekteve në shitje, këto para të vijnë në qytetin e Kavajës.

Shyqyri Jaho, në vitet ’40 kishte mbërritur në Itali. Atje bëri dhe shkollën si ushtarak, e mandej, me ardhjen e regjimit komunist në Shqipëri, nuk u kthye kurrë në vendlindjen e tij. Pati një martesë të parë, por fatkeqësisht, gruaja e tij, u nda shumë shpejt nga jeta. Mandej filloi të punojë në Itali me lloj lloj punësh, derisa vendosi të merret me biznes. E pas kësaj, filluan të vijnë edhe përfitimet e para: fillimisht bleu një shtëpi, më pas një dyqan. Edhe nga martesa me gruan e dytë nuk patën fëmijë. Komunizmi, ishte shumë i fortë në Shqipëri. Në Itali, u vendos përfundimisht me dokumente si azilant politik. Shumë herë tregon avokati, i erdhi radha të merrte pasaportën italiane. Por gjithmonë, e refuzoi atë. “Jo, më thoshte, unë jam shqiptar, dhe dua të vdes si i tillë”. E kështu, vijon rrëfimin e vet avokati, nuk u lodh në 90 vitet e jetës së tij (deri në janarin e këtij viti), që të shkonte çdo dy vjet në dyert e kuesturës italiane, për të pwrtwrirw dokumentet e qëndrimit.

Trashëgimia për Kavajën

Avokati rrëfen se bashkë me Shyqyri Jahon e kishte vizituar Kavajën pas viteve 90, pra pas ardhjes së demokracisë. Por kur e shihte vendlindjen e tij në atë gjendje të mjeruar, zhgënjehej. “Gjithë jetën ka vuajtur ky komunitet, dhe askush nuk është kujdesur për të. Dua një nder, pas vdekjes sime, gjithë pasuria ime të shkojë për Kavajën. Por, kur në krye të saj të vendosen njerëz të përgjegjshëm”, tregon avokati për përjetimin e Shyqyri Jahos kur kishte parë edhe gjendjen tejet të lënë pas dore për qytetin e tij. Avokati tregon se Shyqyri Jaho ishte shumë bujar. Dhe në fakt, përpara se të ikte nga kjo jetë, testamentin, me shtëpinë dhe dyqanin që ia linte qytetit të Kavajës, e kishte bërë gati. Avokati italian interesohet pikë së pari në ambasadën tonë në Romë, për të pasur mundësi të vihet në kontakt me Kavajën e për të filluar procedurën e zbatimit të testamentit.

– Po çfarë avokat? Ambasadori ynë në Romë ju tha pse për Kavajën dhe jo qeverisë shqiptare?- e pyes unë. – Si është e mundur që e gjete. Po fiks, kështu më tha. Pse Kavajës dhe jo qeverisë shqiptare, – u shpreh gjithë habi avokati, i cili realisht nuk ka pse duhet t’i dijë luftërat e brendshme politike në Shqipëri, ku Kavaja, nga një bastion i të djathtës për 22 vjet, në zgjedhjet e kaluara të pushtetit vendor, votoi për një kandidat të së majtës.

Më pas ambasada i çoi letër ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe ky institucion menjëherë bashkisë së Kavajës. Me të marrë këtë letër, kreu i bashkisë Elvis Rroshi vihet në kontakt me avokatin italian, i cili brenda një kohe të shkurtër, e mban frymën në Shqipëri, pikërisht në Kavajë.

“Eshtë e rëndësishme të thuhet se në testament është lënë e shkruar që të gjitha të mirat i kalojnë qytetit të Kavajës ku të ndërtohet një godinë publike. E ndërkaq, t’i vendoset emri i tij” tregon avokati.

Kryetari i bashkisë së Kavajës është dakord me këtë zgjidhje. Madje, nuk ka asnjë arsye për të mos e pranuar. Ndërkaq, historia ka filluar të përhapet në qytetin e Kavajës dhe ka njerëz që thonë se familjarë të tyre edhe i njohin. Por për të pasur një mendim më të qartë se çdo të bëhet me 1 milion eurot që ai i ka lënë qytetit të Kavajës, për këtë, këshilli bashkiak, apo vetë Bashkia, do të shikojë mundësinë për të bërë vepra publike. E rëndësishme është që të gjithë bien dakord në një pikë, që çdo lloj vepre e tillë publike, të mbajë përsipër emrin e tij.

Kreu i Bashkisë

Elvis Rroshi është i habitur nga kjo “dhuratë” si t’i kishte rënë nga qielli. Ka tre ditë që qëndron me avokatin e Shyqyri Jahos për ta njohur më mirë njeriun që ia dha gjithë kursimet e jetës së tij qytetarëve të Kavajës. “Shumë shpejt do të shkoj në Itali, ku do të bëhen edhe procedurat sesi do të shitet prona dhe vlera e parave që do të merren nga shitja e tyre. Menjëherë pastaj do të fillojmë të gjithë procedurat për të vendosur se çfarë realisht do të ndërtojmë për qytetin. Pavarësisht shumës së donacionit nga trashëgimia, që nuk është e vogël, më i rëndësishëm është mesazhi që përçohet nga kjo histori: Ka shumë qytetarë që mendojnë seriozisht për qytetin e tyre Kavajën. Shyqyri Jaho është një prej tyre. Unë e shoh gjatë gjithë këtyre ditëve: pavarësisht se gjendemi ngushtë dhe në mungesën e fondeve për të bërë vepra të mira për qytetin, janë vetë njerëzit, madje edhe bizneset, që mendojnë akoma më shumë sesi mund të ndryshojmë pamjen e qytetit tonë. Një qytet, që në 20 vite demokraci ka qenë thuajse i braktisur nga investimet dhe përkushtimi i njerëzve për të ndryshuar fytyrën e këtij qyteti. Por, ashtu sikurse e kemi parë gjatë gjithë këtyre muajve, janë vetë qytetarët që e kërkojnë dhe e duan ndryshimin, jo vetëm për qytetin, por edhe për familjet e tyre” thotë Elvis Rroshi kryetar i Bashkisë së Kavajës.

Anila Basha, Shqiptarja.com

Danezi me origjinë shqiptare është sërish kuzhinieri më i mirë në botë

Berlusconi: “Romena? Se è fichissima va bene”