Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.
Pjesa e dytë
Lexo më parë gjithë pjesën e parë:
Brenga ime shqiptare – Rikthimi
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe
Shtëpia e Xhavitit
Rrugës për në Vlorë
Takimi me Petritin
Kokoshi në hotel Dajti
Komiteti Olimpik
Burgu i Burrelit
Pjesa e dytë
Dokumentet e Procesit të Vlorës 1945
Procesi i Vlorës: Informatat dhe akt-akuza
Procesi i Vlorës: Dëshmitë
Për fat të keq, në 28 nëntor 1946 mbërrin edhe dita e dënimit tragjik.
Vendim (Shtojca 16)
Në emër të Popullit Shqiptar, Këshilli Gjyqësor Ushtarak i Vlorës i formuar prej:
Qemal Klosi Kryetar
Islam Harizi Anëtar
Rasim Shehu Anëtar
Në praninë e Prokurorit të Popullit …… Hoxhës dhe me ndihmën e Sekretarit Ymer Çuçit, sot në datën 28/11/1946 ore 10 para dreke u mblodhëm në sallën e gjykimeve për të shikuar padijen e ngritur prej Komisionit të Krimeve të Vlorës, me ndërmjetësinë e prokurorisë ushtarake kundër të pandehurit Xhuzepe Terruzi, i akuzuar për fajet e kryera në dëm të popullit dhe të L. Nç. gjatë okupacionit të huaj dhe si sabotator lufte; në prezencën e Avokatit të Mbrojtjes, botërisht u dha ky
VENDIM
Pasi u dëgjua apollogjia e të pandehurit.
Pasi u dëgjua dëshmia e akuzës.
Pasi u dëgjua pretenca e fundit e Prokurorit.
Pasi u dëgjua mbrojtja e avokatit dhe fjala e fundit e të pandehurit.
Pasi u studiua gjithë procesi i gjykimit, Këshilla Gjyqësore ushtarake
KONSTATOI
I pandehuri Xhuzepe Terruzi, nënshtetas italian dhe banues në Vlorë, fashist i vjetër, teknik i eksperimentuar në degën Financiare qysh në vjetin 1926, ka ardhur në Shqipëri me qëllime politike i dërguar nga Fashizmi me shumë shokë të tjerë. Si Drejtor i Bankës Kombëtare, ai mundi të kryejë misionin e tij ashtu siç duhet, të grumbullojë arin dhe ta transportojë në bankat e Romës, të monopolizojë tregtinë me anën e bankës, dhe për më tepër, në lidhje me fashistët e tjerë ka mbikëqyrur veprimtarinë politike të ambienteve ku ai banonte, ka kërkuar të organizojë rrjete spiunazhi ndër persona shqiptarë me qëllim që t’i dërgonte në vende të ndryshme për të mësuar situatën në rastin e luftës italo-greke.
Edhe në rrethin Garibaldi këtu në Vlorë i pandehuri është munduar të sabotojë punën, duke u përpjekur që ushtarët italianë të riatdhesoheshin në Italinë e okupuar dhe të bashkëpunojë me nazistët.
Faktet e sipërme u provuan nga deklaratat e lëshuara nga Shefit Muharemi. (27*)
Gjykata, mbasi analizoi mbrojtjen e avokatëve mbrojtës, si dhe të pandehurit vetë, mbrojtje të cilat konsistojnë në paraqitjen e të pandehurit si person a-politik dhe jo kundërshtar i L. Nç., konstatoi se mbrojtja nuk i përshtatet realitetit nga sa u përmend më sipër.
Pozita e të pandehurit, misioni i tij, lidhja e ngushtë me fashizmin janë fakte të pakontestueshme.
Përsa u përket një sasie deklaratash të lëshuara nga persona të besueshëm, ato flasin për sjellje personale të të pandehurit në pikëpamje shoqërore dhe jo për të shkuarën e tij politike, kështu që nuk mund të përjashtojnë të pandehurin nga përgjegjësia e veprave të tij.
Meqenëse faji për të cilin akuzohet i pandehuri parashikohet prej nenit 14,15 të Ligjës nr.41 14/1/45
Gjykata
Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura shpall fajtor Xhuzepe Terruzin dhe e dënon me 10 vjet burg, si dhe me heqje të të drejtave civile dhe politike gjatë kohës së dënimit.
(27*) Edhe pse me të gjitha dëshmitë në favor të tij, në 28 nëntor 1946, në emër të popullit shqiptar, Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Vlorës jep vendimin dhe e dënon Xhuzepen, të shpallur fajtor, me 10 vjet burg, duke u bazuar në të vetmen dëshmi akuze, të cituar më parë (Shtojca 9), Shefit Muharemi, ai vartës, plak pijanec, dëshmitar i rremë dhe i korruptuar, që vite më parë e kishin pushuar nga puna në Bankën e Vlorës.
***
Me burgosjen e Xhuzepes dhe të nëpunësve të tij, erdhi edhe dëbimi i gjithë familjes, e cila kishte qenë e detyruar të jetonte e tukequr në shtëpinë e gjyshërve në Vlorë. Në 1946 familja u shpërngul në Tiranë. Në 1949 të gjithë anëtarët e familjes u hipën në anije, si emigrantë, për t’u shpërngulur në Itali.
Pas 7 vjetësh burg të rëndë, Xhuzepe vdiq në Burrel në 2 mars 1952.
E ç’mund të thuhet më shumë? Mjaft të rilexosh vendimin për të kuptuar se me sa paqartësi, dashakeqësi dhe padije ndaj ligjeve më themelore morale e civile vepruan gjyqtarët ushtarakë të “Gjykatës së Enverit”.
Në këtë mënyrë, Enver Hoxha kënaqi krenarinë dhe egon e tij prej diktatori dhe “supernjeriu” pasi arriti dy fitore të rëndësishme personale:
Dënimin e një intelektuali, edhe pse të pafajshëm, shumë të njohur dhe të rëndësishëm.
Hakmarrjen për refuzimin e Aurelias ndaj pretendimeve të tij.
Për fat të keq në Shqipëri, ai që vuajti më shumë për shkak të paranojës së “kryetarit legjendar” të tij, ishte populli që ra në kultin e personalitetit, të ndërtuar aq mjeshtërisht nga Enver Hoxha dhe Komiteti i tij.
Idhull i vetvetes, me qëllimin e mbramë të pushtetit të fituar pa lavdi, Enveri arriti të ushtrojë mbi kombin e ri shqiptar rolin magjik të “Babait të Kombit”, baba që në lavdinë e tij të kotë preu e vrau për 50 vjet fëmijët e vet që ende vazhdojnë të paguajnë edhe sot në lëkurën e tyre ambiciet delirante të një njeriu që e mori historia.
Pasi të dëgjosh dëshmitë e drejtpërdrejta dhe të tërthorta, të shkosh në vendet ku është zhvilluar Odiseja tragjike e familjes sime, nga Gjirokastra në Vlorë, nga Tirana në Burrel, rënia në dorë mrekullisht e dokumenteve të procesit – pas gjithë këtyre mund të them se mbërrita në fund të rravgimit tim personal të së vërtetës historike.
Im atë mund të thotë, ç’prej andej lart nga qielli, se i biri bëri ç’ishte e mundur derisa kujtimi i tij të nderohej e t’i shkonte nderi në vend përtej çfarëdo dyshimi të arsyeshëm.
Edhe sot e kësaj dite Odiseja ime nuk ka përfunduar, që prej atij nëntori të vitit 1993, kur vura këmbë sërish në truallin shqiptar, pavarësisht kërkesave të shumta të miat dhe të institucioneve italiane ndaj qeverisë shqiptare për gjetjen dhe kthimin e eshtrave të tim eti dhe të të burgosurve të vdekur në burgun e Burrelit, premtimeve të ndërhyrjes në instancat më të larta të shtetit dhe të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, eshtrat e atyre njerëzve janë ende nën tokën e ftohtë të atij vendi famëkeq.
Nuk kanë shërbyer për asgjë inspektimet, të kryera përgjatë kushedi sa vitesh, në kampin e varreve në Burrel dhe projektet për ndërhyrjen e gjetjes dhe rikthimit të eshtrave të të ndjerëve.
Megjithë topitjen dhe zvarritjen e institucioneve shqiptare, i jam mirënjohëse Nevila Nikës, drejtoreshë e Arkivave të Shtetit, për gjetjen e dokumentave origjinalë të procesit të babait tim dhe, asaj drejtoreshe të Arkivave të Shtetit, në 15.09.2012 i dhurova librin “Les Cent Vues de Paris” të cilin Enver Hoxha ia kishte dhuruar nënës sime në vitin 1930 me autograf.
Në nëntor të po atij viti i dorëzova Armand Dukës, Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, në shenjë vlerësimi dhe respekti, diplomën origjinale, përveçse dokumente dhe fotografi të dajës sim Xhakomo Pozeli, si portier i Kombëtares shqiptare të Futbollit, të cilat i pati fituar në Ballkaniadën e vitit 1946. Sot, këto objekte, janë të ekspozuara në Muzeun e Futbollit në Tiranë.
Gjatë udhëtimeve të mia të shumta në Shqipëri, kam pasur mundësi të krijoj kontakte me njerëz të ndryshëm që më kanë dhuruar një miqësi të sinqertë dhe të vetvetishme, më kanë mikpritur në shtëpitë e tyre dhe kemi ndarë dhimbjet e vuajtjet e pashlyeshme nga diktatura komuniste. Nuk ka familje shqiptare që kam takuar e të mos kenë kaluar vuajtje, tortura apo dhe vdekje të të afërmve të tyre. Për këto arsye ndjehem thelbësisht afër ndjenjave të popullit shqiptar dhe e njoh Shqipërinë si atdheun tim të dytë, edhe pse nuk di qoftë dhe një fjalë shqip, ose përkundrazi, një të vetme e di: “Po”, por që nuk kam pasur ndonjëherë problem sepse pjesa më e madhe e njerëzve që kam takuar kuptonte shumë mirë italisht dhe madje shpesh edhe e flisnin.
Ajo që në të kundërt, nuk arrij të kuptoj, është sjellja kontradiktore dhe gjysmake e qeverisë shqiptare. Për aq sa familja Pozeli/Terruzi “ka dhënë” duke kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë: Xhakomo, portier i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Xhuzepe, drejtor i Bankës së Shqipërisë, Vitaliano, sipërmarrës gjenial veprimet e tyre ishin shumë të mirëpritura e të dashura, por kur unë ndërmora hapin “të kërkoj” thjesht eshtrat e babait tim, përveç kordialitetit të skajshëm, bashkëndarjen dhe premtimet e ëmbla të autoriteteve qeveritare mbi rastin e Burrelit, gjërat u ndërlikuan tmerrësisht dhe askush nuk qe në gjendje të jepte një përgjigje të sigurtë dhe vendimtare. Me fjalë të tjera, m’u krijua ndjesia e kulluar e një shfaqjeje alegorike teatrore. Madje ndonjë funksionar i lejoi vetes të kërkonte edhe financime “ad personam” që do të kishin përshpejtuar praktikat dhe të cilat unë i etiketova si zhvatje klasike.
Meqenëse bëhej fjalë për një institucion shtetëror (Burgu i Burrelit) si mund të mendohet që një qytetar italian, me anë të një marrëveshjeje personale me një përgjegjës të institucioneve, të marrë leje për të gërmuar dhe për të marrë me vete eshtrat e të atit!?
Vetëm shteti shqiptar, duke marrë përsipër përgjegjësitë e veta, mund dhe duhet të ndërhyjë në territorin e burgjeve për t’u kthyer familjarëve eshtrat e të afërmve.
Nën atë tokë nuk është vetëm Xhuzepe Terruzi, por edhe shumë qytetarë të tjerë shqiptarë të cilëve është e drejtë t’u bëhet një varrim nga të dashurit e tyre: secili syresh ka të drejtën e një lutjeje dhe një luleje.
Pyes veten, pse duhet të jetë kaq e vështirë të bësh punime në atë kamp, përfshi edhe vendin mes dy rrethimeve të burgut. Është një hapësirë drejtkëndore, e djerrë, e madhe thuajse sa një fushë futbolli.
Në atë terren kam shkuar shumë herë i shoqëruar dhe sa herë kërkoja informacione, përgjigjet kanë qenë përherë të zbehta dhe gjysmake, shpesh kundërthënëse. Po aq shpesh përgjegjësit e ndryshëm kapnin e grindeshin në praninë time për çështje kompetencash territoriale ose hierarkie me qëllimin e qartë për të zhvatur para. Askush nuk e dinte ose nuk donte të tregonte se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, në atë vend, mes viteve ’40 dhe ’50. Edhe protokolli i marrëveshjes, i firmosur në 23.03.2012, gjatë një prej vizitave në Burgun e Burrelit, në të cilën deklarohej gatishmëria e ndërhyrjes për gërmime, mbeti thjesht “letër e zhubrosur”. (Shtojca 19)
Gjatë këtyre viteve, në fillim qeveria e Sali Berishës, pastaj ajo e Edi Ramës, kanë ngritur task forcat e tyre për kërkimin e eshtrave të viktimave të diktaturës. Task forca e parë (e Berishës) përbëhej vetëm nga burokratët, të cilët nuk arritën të organizonin as edhe një projekt ndërhyrjeje në Burrel. Task forca e dytë (e Ramës) po interesohet për kërkimin e eshtrave të viktimave të diktaturës për gjithë Shqipërinë, pa asnjë siguri gjetjeje, kur vetëm në burgun e Burrelit është e sigurt se janë eshtrat e të burgosurve që presin të zhvarrosen.
Në një takim me kryetaren e Parlamentit, znj. Jozefina Topalli, në 23 dhjetor 2012 me rastin e dorëzimit të botimit të parë të librit tim “Brenga ime shqiptare”, pas pyetjes sime mbi gjendjen e varrimeve në burgje, ajo mbeti e habitur dhe përgjigjja e saj ishte thjesht se ajo nuk kishte dijeni rreth ngjarjeve të Burrelit! Po si vallë ka mundësi, një kryetare parlamenti që nuk njeh historinë e vendit të vet!?
Pas kërkesës zyrtare mbi vdekjen e babait tim në burgun e Burrelit, nëpërmjet Ambasadës së Shqipërisë në Romë, në 19 mars 2014, më erdhi përgjigjja me anë të emailit: “Bashkangjitur keni përgjigjen e Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila nga ana e saj, përcjell përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që përsërit se nuk disponojnë informacione në lidhje me këtë çështje”.
Po si vallë është e mundur që nuk dinë gjë!? Unë kam dokumentin origjinal që dëshmon vdekjen e tim eti Xhuzepe Terruzi dhe të të tjerëve ne Burgun e Burrelit në 2 mars 1952 që është gjetur në Arkivat e Shtetit! (Shtojca 18)
Përse nuk e dinë ose nuk munden ose nuk duan ta thonë të vërtetën institutcionet shqiptare? Pse nuk duan të ndërhyhet në Burrel, ku nuk ka dyshim që janë kryer varrosjet? Cilat janë arsyet e vërteta të një mohimi të pafund: frika, papërputhshmëri, bashkëpunim, përulja?
Besoj se do të kishte qenë e dobishme për politikën shqiptare, duke parë edhe dëshirën me të drejtë të kombit për hyrjen në Bashkimine Europian, të mos vazhdojë të mbulojë të kaluarën e vet me një vel mëshire tashmë të harruar. Nisma për zhvarrimin e eshtrave të të vdekurve brenda territorit të burgut të Burrelit, përveçse do të kishte një rëndësi të madhe mirësie njerëzore dhe mëshire të krishterë, por do të pritej edhe me një pohim madhështor nga ana e diplomacisë ndërkombëtare për të paktën dy arsye:
– Për herë të parë qeveria shqiptare do të lejonte ndërhyrjen në brendësi të një institucioni të vet me qëllimin e mbramë për të zhvarrosur eshtrat e të në burg politik gjatë kohës së diktaturës, duke pranuar formalisht një revizionizëm historik që po ndodh.
– Shqipëria është në mbikëqyrje për hyrjen e saj në Europë. Ndaj, nëse qeveria shqiptare mund të prezantohej me një veprim faljeje dhe demokracie – pra kthimin e eshtrave familjarëve të atyre të vdekurve të gjorë, me siguri do të kishte pasur një mirënjohje të gjerë në nivel ndërkombëtar, si politik, edhe institucional.
Për të shmangur moskuptimet dhe akuzat reciproke dhe pafund mes politikanëve shqiptarë, do të mjaftonte thjesht ndërhyrja shkencore, në fillim me mjete elektronike, që zakonisht përdoren nga arkeologët, që do të mundësonin identifikimin me saktësi të varrezave, dhe pastaj, me gërmimet e kontrolluara, të sakta dhe të koordinuara, në mënyrë që të mos ngrenë më dyshime te disa dhe të nxjerrin në dritë të vërtetën më në fund, aq herë e shtrembëruar, dhe rivënien e saj në vend, me anë të mjeteve juridike, politike dhe administrative.
Me t’u gjendur varrezat, mjafton të bëhet verifikimi i ADN-së, meqë të burgosurit e vdekur i groposnin pas asnjë lloj referimi, pa emra, për të mos u dalluar dhe për të mos u njohur.
Një gjë është e sigurtë, duke qenë shumë i bindur se të mund të lutesh mbi varrin e familjarëve është një e Drejtë Njerëzore E njohur Botërisht, derisa të më lejojnë forcat e mia, unë do t’i paraqes kërkesat për kthimin e eshtrave të babait tim në të gjitha zyrat e mundshme shqiptare dhe italiane. Edhe sot, në vitin 2016, nga Vendi i Shqiponjave nuk ka ardhur asnjë përgjigje ndaj kërkesave të përsëritura për kthimin e eshtrave të tim eti.
FUND