in

Vendimi i UEFA-s dhe humbja e pafajësisë

Shqipëria ngjan sot me një adoleshente që ka humbur virgjërinë dhe që nga njëra anë është zhgënjyer dhe nga ana tjetër është çliruar.
Gjergj Erebara – BIRN, Tiranë
Protestë e tifozëve shqiptarë përpara selisë së UEFA-s në Nyon të Zvicrës

Vendimi i UEFA-s sot, sido që i padrejtë dhe zhgënjyes, qe më i miri i mundshëm për ne. Jo nga pikëpamja sportive. UEFA e konsideroi ndeshjen të humbur prej nesh 0 me 3, i dha Serbisë tre gola dhe i hoqi tre pikë. Shqipëria ka pak shanse të kualifikohet, por kjo ka qenë gjithmonë kështu.

Por ngjarja mbart në vetvete leksione të paçmuara, të cilat vështirë se do të kishin ekzistuar në rast se UEFA dhe Platini do të kishin bërë drejtësi, pra që të kishin dënuar Serbinë për racizëm ndaj shqiptarëve dhe për një mal me shkelje të kryer prej tyre si dhe të na kishin dënuar ne për shakanë me dron, por kurrsesi për prishje të ndeshjes dhe refuzim për të luajtur.

Leksioni i parë që mësuam është që Shqipëria është një vend i vogël dhe i pafuqishëm në arenën e futbollit europian ndërsa është inekzistente në arenën e sportit europian në tërësi. Kjo është ndryshe nga Serbia, e cila, përpos huliganëve ka edhe sportistë.

Ky vendim, më shumë se sa ngjarja i shërben shoqërisë shqiptare të shohë veten dhe të kuptojë më shumë nga bota. Shqipëria ngjan sot me një adoleshente që ka humbur virgjërinë dhe që nga njëra anë është zhgënjyer dhe nga ana tjetër është çliruar. Ka kaluar një hap të pashmangshëm në rite de passage. Nëse UEFA do t’i kishte dhënë fitoren në tavolinë Shqipërisë, ka gjasa që leksioni nga ngjarja do të kishte humbur.

Futbollistët e skuadrës kombëtare të futbollit të Shqipërisë në shumicë dërrmuese janë produkt i sportit Europian. Ata janë të lindur, të rritur e të stërvitur në Europë. Faleminderit që na përkëdhelin sedrën kombëtare duke luajtur për fanellën kuq e zi. Por kjo nuk duhet të na mbyllë sytë për të parë se si Shqipëria mbetet një vend i mjerë, ku njerëzit shumë shpesh nuk kanë për të ngrënë, e jo më të kenë fuqi për të bërë sport. Pra jemi një vend me PBB për frymë prej 14 dollarësh në ditë, ku 15 për qind e popullsisë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë. Këtë nuk duhet ta harrojmë edhe nëse çunat e kombëtares së futbollit të fitojnë kampionatin europian 2016.

Sido që duhet t’i falënderojmë se kanë zgjedhur Shqipërinë si skuadër kombëtare, kjo nuk duhet të na mbyllë sytë përballë faktit që futbolli shqiptar, si pjesë e sistemit të favoritizmit politik ku jetojmë dhe me të cilin duket se jemi pajtuar, nuk mund të prodhojë asgjë më të mirë se sa kaq. Ata nuk mund të sigurojnë drejtësi në Shqipëri për askënd, natyrisht nuk sigurojnë dot drejtësi as te UEFA.

Leksioni i dytë është që korrupsioni dhe mungesa e drejtësisë janë fenomene që shpesh prekin edhe ato që i quajmë vende të sundimit të ligjit. Kjo nuk duhet të na shërbejë si ngushëllim për faktin që udhëheqësit tanë janë shumë të zënë duke vjedhur dhe nuk kanë kohë të kryejnë rolin themeltar të shtetit, vendosjen e drejtësisë shoqërore.

Përplasja gjatë ditëve të fundit me real politikën e ftohtë në Bashkimin Europian apo te UEFA ka gjasa që do të na shërbejë më shumë se sa shpallja kampionë europe më 2016. Na shërben për të mësuar katërcipërisht se, fjala vjen, kur të flitet për bisedimet Prishtinë-Beograd “të lehtësuara” nga Bashkimi Europian, flitet për një pazar ku shqiptarët kanë diçka për të humbur e diçka për të fituar. Në këtë proces, “lehtësuesi” i bisedimeve nuk është një gjykatës që vendos drejtësi, por një palë që synon të zgjidhë hallin e vet, pa marrë parasysh se çfarë kostosh ka kjo për Kosovën. Përtej “normalizimit” të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, duhet të shohim edhe faktin se sa i shërben kjo normalizimit të jetës së njerëzve në Kosovë.

Thuhet, dhe shumë në Tiranë pëlqejnë që të jetë kështu, që shakanë me dron, (e cila, pavarësisht pasojave, qe një gjenialitet për t’u lavdëruar), e bënë ca djem shqiptarë të asaj që konvencionalisht njihet si Maqedoni. Leksioni tjetër i ngjarjes është që të shohim se si jetojnë shqiptarët në Maqedoni, se sa të shtypur janë dhe se çfarë duhet të bëjmë ne në Tiranë, Prishtinë dhe Europë për të përmirësuar këtë gjendje. Është e pabesueshme që as Shqipëria dhe as Kosova nuk duket se kanë ndonjë përqasje sistemike për të përmirësuar jetët e shqiptarëve atje, të cilët janë dy herë të shtypur, nga qeveria maqedonase dhe nga politikanët shqiptarë atje. Po në fund të fundit, dy qeveri të mbytura në korrupsion në Tiranë dhe Prishtinë, nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë më të komplikuar se sa propaganda nacionaliste.

Dhe meqë dolëm te nacionalizmi!

Gjatë ditëve që pasuan ndeshjen e 14 tetorit në Beograd, shqiptarët mësuan ta paraqisin shqetësimin e tyre si një problem i të drejtave të njeriut, siç edhe qe. Por  nuk qe shumë e qartë se ku mbarojnë të drejtat e njeriut që na u dhunuan si popull dhe ku fillon nacionalizmi. Nuk është e sigurtë nëse mes atyre 140 mijë shqiptarëve që nënshkruan peticionin që i kërkonte UEFA-s dënimin e racizmit, e hodhën firmën kundër racizmit apo pro nacionalizmit. Kjo fushatë “thuaji jo racizmit” duhet të vijojë për të larguar nga shoqëria shqiptare shumë lloje “racizmi” apo urrejtjeje që ne kemi dhe që vështirë se mund t’i mohojmë. Diskriminimin e minorancave, homofobinë urrejtjen ndaj orientit etj. Nëse ndonjë zyrtar shteti, gazetar apo çfarëdo qoftë, del edhe thotë “jevg”, do të duhet të reagojmë me të njëjtën ashpërsi si në rastin e UEFA-s, në mënyrë që të bëjmë drejtësi.

Jemi të vegjël Zotni Msus!

Leksioni i fundit dhe më i rëndësishmi është që tashmë po mësohemi me idenë e përmasave të faktorit shqiptar në Ballkan dhe në Europë. Ndërsa na pëlqen të mburremi për shumë gjëra, dhe krenaria nuk është kurrë e keqe, duhet të kemi parasysh se rruga drejt krijimit të një shoqërie normale dhe të aftë për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e veta kalon nga krijimi i një shteti normal. Për këtë shtet normal Bashkimi Europian mund të na ndihmojë, por nuk na zëvendëson dot qeverinë, gjykatësat apo prokurorët. Për sa kohë ne nuk jemi në gjendje të përballemi me padrejtësitë që kryhen çdo ditë nga qeveritë dhe gjykatat ndaj të pafuqishmëve, vështirë se do të jemi në gjendje të kërkojmë drejtësi për çështje të tilla si ajo e ndeshjes. Këto na e bëjnë vendimin e padrejtë të UEFA-s shumë më të mirë se çfarëdolloj vendimi tjetër.

Reporter.al

Protestë e tifozëve shqiptarë përpara selisë së UEFA-s në Nyon të Zvicrës

Serbi-Shqipëri. Mijëra shqiptarë “sulmojnë” profilin facebook të UEFA-s

Vicenza. Rreh ish të shoqen, arrest shtëpie për 25-vjeçarin Hasa