“Nëse kuqezinjtë mundin të kaltrit, hyjnë në histori”
Romë, 24 mars 2017 – Trajneri i kombëtares italiane të futbollit, Gian Piero Ventura, nuk ka besim në një fitore të lehtë, ndaj po përgatit për ndeshjen kundër Shqipërisë “dy Itali”, shkruan e përditshmja Corriere Della Sera.
”Ndaj Shqipërisë, e 55-ta në renditjen FIFA dhe e trajnuar nga italiani Gianni De Biasi, Ventura po përgatit një Itali të guximshme, me skemën 4-2-4, dhe një tjetër, me skemën 4-3-3, që ka një mesfushor më shumë dhe një sulmues më pak. Me skemën e parë mund të fillohet ndeshja dhe me skemën e dytë të mbarohet”, shkruan gazeta.
Ventura pret që Kombëtarja italiane japë maksimumin e vet në fushë.
“Do të jetë ndeshje e fortë, shumë e fortë. Nëse luajmë me 50-60 për qind të mundësive tona, atëhere nuk ia dalim dot. Duhet të luajmë me 100 për qind të këtyre mundësive”, deklaron trajneri italian Ventura.
“Për kundërshtarët tanë është një rast i jashtëzakonshëm – shkruan Corriere – që shkon përtej situatës së ndërlikuar në grup drejt Rusi 2018. “Po të na mundin hyjnë në histori” pranon Ventura”.