in

Vetëcertifikimet u ndalohen të huajve, në radhë edhe këtë vit

“Njëmijë shtyrjet” shtyn edhe për një tjetër vit thjeshtimin e burokracisë së imigracionit. Për lejet e qëndrimit për studime, pritje punësimi, kartat e qëndrimit, etj. nevojiten akoma certifikatat origjinale

Romë, 4 janar 2017 – Thjeshtësimi i burokracisë, për të huajt në Itali, mund të presë edhe ca. Të paktën një tjetër vit.

Për të gjithë vitin 2017, imigrantëve do t’u duhet të humbasin kohë e para, të vihen në radhë në zyrat e administratës publike për të kërkuar këtë apo atë certifikatë që ua kërkon një tjetër zyrë publike për dokumente që kanë të bëjnë me statusin e imigrantit. Deri në 31 dhjetor 2017 do të jetë akoma e pamundur të vetëcertifikohen gjëra që administrata publike është në gjendje të verifikojë vetë.

E konfirmon këtë dekreti i ligjit të fundit “Njëmijë shtyrjet” (DL 244/2016 “Proroga e definizione di termini”, neni 5 paragrafi 3), që ka shtyrë me 12 muaj mundësinë e paraqitjes së deklaratave zëvendësuese  (të ashtuquajturat vetëcertifikime) për “dispozitat speciale që përmbajnë ligjet e rregulloret që kanë të bëjnë me imigracionin dhe të qenin i huaj”. E kjo shtyrje nuk ndodh për të parën herë por përsëritet rregullisht nga viti 2012.

Kështu, për shembull, për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit për studime i huaji duhet t’i bashkangjisë kërkesës një certifikatë të universitetit që të dëshmojë provimet e dhëna. Po ashtu, një i papunë që kërkon lejeqëndrim për pritje punësimi duhet të pajiset me certifikatën e regjistrimit në Qendrën për Punën. E kush kërkon kartën e qëndrimit më parë duhet të shkojë në Prokurori e të marrë certifikatat e kartotekës gjyqësore dhe të çështjeve penale të hapura.

Pse nuk mund të vetëcertifikohet? Sepse administratat (Kuesturat, pra ministria e Brendshme, ministria e Arsimit, e Punës apo e Drejtësisë) nuk arrijnë të komunikojnë mes tyre. Me pak fjalë mungojnë bankat e të dhënave të ndërlidhura që t’i lejojnë një polici të Zyrës për të Huajt të verifikojë deklarime të mundshme zëvendësuese të nënshkruara nga një shtetas i huaj.

E megjithatë, që prej vitit 2012, sipas “Dispozitave urgjente për thjeshtësimin e zhvillimin (DL 5/2012), një dekret i ministrisë së Brendshme duhet të kishte “gjetur mënyrat për sigurimmin nga vetë zyrat” të të dhënave dhe të certifikatave. Kanë kaluar vite tashmë e me gjithë dispozitat “urgjente”, nuk ka asnjë gjurmë të atij dekreti. Sërish një shtyrje e sërish të gjithë në radhë.

Elvio Pasca

 

Më e thjeshtë ardhja në Itali për punonjësit e huaj të kompanive shumëkombëshe

Gentian Alimadhi, profili i ri i kryebashkiakut të ardhshëm në Itali