in

Vogëlushja kurohet në spitalin e Brescias, të ëmës i paraqitet llogaria

23 vjeçarja Eralda Graci nuk ka të paguajë 49 mijë eurot e kërkuar nga spitali Civil i Brescias për kurimin e vajzës së saj 20 muajshe që kurohet për një tumor

Romë, 23 gusht 2011 – Eralda Graci 23 vjeç ka ardhur në Brescia për të kuruar të bijën Deliada 20 muajshe të sëmurë me tumor. Tani spitali Civil i kërkon 49 mijë euro.

Odiseja burokratike e shëndetësore e Eraldës dhe Deliadës ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë kur menjëherë pas lindjes vogëlushes i diagnostikuan një tumor të rrallë në tru. E sikur të mos mjaftonte ky lajm i keq, familja mëson që spitali Nënë Tereza në Tiranë nuk mund të bëjë shumë për vogëlushen. Shpresa e vetme është spitali civil i Brescias. Në janar të këtij viti, falë edhe liberalizimit të vizave, nënë e bijë vijnë në Brescia dhe vogëlushja nis kurimin në repartin e onkologjisë.

Çdo gjë duket se shkon më së miri deri më 17 gusht kur një infermiere e spitalit, në vend që të shoqërojë Eraldën me të bijën në sallën e analizave i jep gruas faturën: 49 mijë euro për kurimin e deritanishëm. “Duke e ftuar praktikisht të largohet nga spitali pa e kuruar e pa e vizituar, e mbi të gjitha me një mesazh të qartë: që e vogla nuk mund të përfitojë më nga sistemi shëndetësor italian e nuk mund të marrë më kurimin që e mbajnë në jetë për shkak të borxhit që ka me spitalin” tregon për bresciaoggi.it Massimiliano Nicolini, kryetar i Fondacionit Caritate Christi Compulsi Onlus e Brescias që ndjek nga afër këtë çështje.

Sipas Fondacionit, struktura shëndetësore i kërkon sot Eraldës të paguajë kurat që i ka ofruar të bijës nga marsi deri në korrik 2011, kur vogëlushja ishte në “një situatë hibride”. “Kishte vetëm një të drejtë qëndrimi për tre muaj që më pas skadoi – shpjegon Nicolini – por kishte teserën STP (stranieri temporaneamente presenti) të sistemit shëndetësor italian, që autorizon entet spitalore t’i japin mbajtësit shërbimet e kurat njësoj sikur ky të ishte italian”. Ndaj kërkesat e spitalit Civil të Brescias, sipas fondacionit, janë të padrejta e  bazohen në paqartësi burokratike e administrative.

Nga ç’rrëfen kryetari i Fondacionit, deliada ka hyrë rregullisht në territorin italian (falë liberalizimit të vizave) dhe sistemi shëndetësor italian i ka lëshuar menjëherë teserën STP. Në korrik Gjykata e të miturve të Brescias ka autorizuar vogëlushen dhe të ëmën të qëndrojë në Itali (ndërkaq 3 muajt e qëndrimit të parashikuar nga liberalizimi i vizave kanë përfunduar) me qëllim që Deliada të kurohet dhe e ëma t’i qëndrojë pranë. E gjithë kjo parashikohet nga ligjet italiane në fuqi.

Situata bëhet gjithnjë e më e rëndë pasi për t’i ndenjur pranë të bijës e ëma nuk mund të punojë dhe shumë shpejt kursimet që kishte sjellë me vete nga Shqipëria nuk mjaftojnë as për ilaçet.

“Duke mos pasur më mbështetjen e spitalit, nëna është e detyruar të blejë ilaçet e të mjekojë të bijën në struktura të tjera, për më tepër, i duhet të luajë rolin e infermieres pasi e bija mund të ushqehet dhe hidratohet vetëm përmes sondës. Deliada po mbijeton edhe falë ndihmës së një fëmije breshan në të njëjtën situatë, familja e të cilit ka lejuar që të ndajë me të ilaçet e nevojshme” shpjegojnë nga Fondacioni.

Më 22 gusht nënë e bijë kanë marrë më në fund, nga Kuestura e Brescias, lejen e qëndrimit për një vit. Bashkë me të edhe librezën shëndetësore. Dokumentet i japin një farë sigurie Eraldës, edhe pse mbi të rëndojnë akoma 49 mijë eurot që i kërkon spitali Civil i Brescias.

Saya: “Të dëbojmë të huajt e të konfiskojmë pronat e tyre”

Njëqindvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë do të gdhendet në ar