in

Vota e emigrantëve, koha për reflektim

Në fushatën elektorale 2013 partitë kryesore politike premtuan reformimin e legjislacionit zgjedhor, për të mundësuar pjesëmarrjen aktive në votime të emigracionit të përkohshëm me banim në vendet e tjera, si dhe të diasporës me shtetësi aktive shqiptare. Sot, një vit pas zgjedhjeve parlamentare askush nuk flet më për emigracionin dhe asnjë parti nuk ka paraqitur ende një amendament apo platformë konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.
Edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë thekson se “çdo shtetas që ka mbushur 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Kushtetuta njeh parimin se “vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë” dhe përjashton nga e drejta e zgjedhjes vetëm shtetasit e deklaruar të paaftë mendërisht me vendim gjykate të formës së prerë.
Nga Afrim KRASNIQI

Në fushatën elektorale 2009 dhe 2013 partitë kryesore politike premtuan reformimin e legjislacionit zgjedhor, për të mundësuar pjesëmarrjen aktive në votime të emigracionit të përkohshëm me banim në vendet e tjera, si dhe të diasporës me shtetësi aktive shqiptare. Premtimet u bënë aq të njëjta sa palët shpejt hoqën dorë nga tema e emigracionit, për shkak se u duk se nuk kishte dallime dhe efekti për çdo parti do ishte i njëjtë. Njëherësh, në dy proceset e fundit parlamentare dhe sidomos në zgjedhjet lokale 2011 në Tiranë, Korçë, Kavajë, Durrës dhe disa zona të jugut, partitë ndërtuan një infrastrukturë aktive kontaktimi dhe transporti për emigrantët jashtë për të ardhur dhe votuar në Shqipëri. Në funksion të skemës në Rinas u regjistruan më shumë se 18 udhëtime të porosita me avion, kurse në Korçë e Gjirokastër hynë më shumë se 50 autobusë me emigrantë votues për të gjitha partitë së bashku.

Pas zgjedhjeve 2009, ashtu si edhe pas zgjedhjeve 2011 dhe 2013 fituesit festuan dhe humbësit u morën me kutitë e votimit, duke harruar premtimin për votën e emigracionit. “Harresa” nuk u ndikua as nga peticionet e komuniteteve të ndryshme shqiptare në botë, të cilët apelonin pjesëmarrje dhe votim. Një vit pas zgjedhjeve parlamentare askush nuk flet më për emigracionin dhe asnjë parti nuk ka paraqitur ende një amendament apo platformë konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. Në fakt, në vitin 2004, IOM nënshkroi marrëveshje me qeverinë shqiptare për votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2009-tës, por dhjetë vjet më pas as IOM dhe as qeveritë nuk e kanë mbajtur premtimin, ndërkohë emigrantët vijojnë të jenë kontingjent sezonal që japin pa marrë asgjë nga politika. Kushtetuta e Shqipërisë, neni 45, thekson se “çdo shtetas që ka mbushur 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Kushtetuta njeh parimin se “vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë” dhe përjashton nga e drejta e zgjedhjes vetëm shtetasit e deklaruar të paaftë mendërisht me vendim gjykate të formës së prerë. Të njëjtat parime sanksionohen edhe në Kodin Zgjedhor në RSH (2008, neni 3). Në dukje Kushtetuta bëhet garante e votës së çdo shtetasi, por në praktikë, ndryshe nga modele të tjera kushtetuese në disa vende evropiane, kushtetuta shqiptare nuk ka një përcaktim të qartë të qytetarit që jeton jashtë vendit (emigracionit të përkohshëm dhe diasporës me shtetësi), kurse Kodi Zgjedhor flet vetëm për shtetasit me banim brenda territorit.

Nga 1995 Shqipëria është anëtare e KE-së dhe ka pranuar si standarde referuese për të vlerësimet e Komisionit të Venecias. Në rastin e votës së emigrantëve standardet e pranuara përcaktojnë se “votimi jashtë vendit garanton barazinë mes qytetarëve që jetojnë në vend dhe emigrantëve. Ai siguron që qytetarët të mbajnë lidhjet me vendin e tyre të origjinës dhe rrit ndjenjat e tyre që i përkasin një kombi, ku ata janë anëtarë, pavarësisht nga rrethanat gjeografike, ekonomike ose politike”(KE, 2011). Pasi qeveria turke mundësoi votën e emigracionit të vet në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, Shqipëria bëhet vendi i vetëm në NATO dhe natyrisht vendi i vetëm brenda anëtarëve apo kandidatëve për në BE që nuk ka mundësuar ende votën e lirë të emigracionit të vonë apo diasporës me shtetësi aktive. Referenca unike merr vlerë më të madhe kur konstatohet se masa e votuesve shqiptarë jashtë territorit të vendit përbën 60% të numrit të votuesve aktivë në zgjedhjet shqiptare.

Pra, një pjesëmarrje aktive e emigracionit në votime do të ishte përcaktues për rezultatet zgjedhore dhe qeverisjen e vendit. Emigracioni shqiptar ka një marrëdhënie të njëanshme me sistemin politik e qeverisës shqiptar. Ata janë larguar për shkaqe politike ose ekonomike, kanë krijuar një standard jetese normal në vendet e tyre, janë integruar dhe janë ndjekës emocionalë të ngjarjeve në Shqipëri. Prej vitesh ata janë kontribuuesit kryesorë në buxhetin familjar shqiptar, dhe në forma më elitare, janë potenciali më aktiv dhe më produktiv i imazhit të Shqipërisë në shoqëritë evropiane e amerikane. Në shkëmbim ata nuk kanë arritur ende të  fitojnë jetësimin e parimit kushtetues të votës, nuk kanë ende një institucion shqiptar ekzekutiv referues për problematikën e tyre, nuk janë shndërruar ende elementë institucionalë brenda partive politike dhe nuk janë bërë ende temë me rëndësi në debatin politik shqiptar. Përkundrazi, partitë politike, në kundërshtim me legjislacionin mbi partitë, kanë krijuar degë dhe struktura përfaqësimi në emigracion, për t’i përdorur ato si burime financiare dhe mbështetjeje në kohën e fushatave elektorale.

Disa parti kanë rezervuar vende në strukturat e Asambleve/Këshillave për emigracionin, por në thelb, asnjëra prej tyre nuk ka institucione specifike aktive që trajtojnë emigracionin dhe problematikën e tyre. Dhe natyrisht, asnjë parti nuk ka bërë ende hapa seriozë reflektimi për të hapur sistemin përfaqësues drejt emigracionit. Midis shumë teorive alibia kryesore lidhet me pamundësinë e shtetit për organizimin e votimeve jashtë apo lidhjen e të drejtës së votës me pagesën e taksave. Alibia e parë bie pasi edhe vende me potenciale më të vogla infrastrukturore si Kosova e Maqedonia e kanë jetësuar me sukses votën e emigracionit, alibia e dytë është abuzive, pasi vetë ekonomia shqiptare brenda vendit është mbi 30% informale, pra mbi 30% e popullsisë brenda nuk plotëson kushtin e taksave megjithatë merr pjesë në votime, madje është pjesa më militante e partive politike. Shqipëria si shtet nuk i ka kërkuar asnjë shteti brenda BE mbështetje në jetësimin e votës së emigracionit atje (me siguri mbështetja jepet dhe është reciproke), siç Shqipëria nuk i njeh të drejtën e votës lokale të qytetarëve të BE me qëndrim dhe aktivitet në Shqipëri, megjithëse vetë ajo kërkon të njëjtën gjë për qytetarët shqiptarë brenda BE-së.

A duhet kërkuar arsyeja e vërtetë e refuzimit të emigracionit si mekanizëm parandalues i ardhjes së një fluksi votuesish që nuk janë militantë partiakë dhe partitë nuk mund të kontrollojnë votën e atyre? A mbahet në këmbë me konsensus një sistem votimi që pamundëson votën e emigracionit, si mjet për të ruajtur edhe më tej monopolin dy partiak mbi sistemin zgjedhor dhe administrimin zgjedhor? A do të mundeshin partitë tona politike të ishin kaq të mbyllura, kaq personale, kaq refuzuese ndaj demokracisë së brendshme dhe kaq të ftohta me elektoratin nëse mbi 1,2 milion emigrantë nga Italia në SHBA do të gëzonin të drejtën e votës aktive? A do mundeshin liderit politikë të emëronin në listat për deputetë miqtë personalë, besnikët militantë dhe sponsorizuesit informalë shpesh të inkirminuar nëse e drejta e votës do ishte përtej “fshatit”, me pjesëmarrjen e brezave të rinj shqiptarë me kulturë evropiane e amerikane që jetojmë në BE ose më në perëndim? Janë një sërë pyetjesh simbolike, përgjigjen e të cilave me siguri shumica e mendon dhe e di. Tipari i vendeve me demokraci të brishta dhe sjellje oligarkike e provinciale është dhe mbetet kontrolli mbi votën, qeverisja nga pakica në shoqëri, mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë, kufizimi i demokracisë dhe distanca e thellë midis akteve praktike dhe legjislacionit të shkruar. Modeli shqiptar e vërteton këtë.

A ka ardhur koha që gjërat të ndryshohen? Vetë BE dhe KE duhe ta promovojnë këtë stad të ri nëse ende duan që gjërat “të ndryshojnë nga poshtë”, që sistemi të funksionojë  dhe që jeta politike të bëhet më moderatore, më përfaqësuese dhe transparente. Me siguri në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk do ketë ndryshim, por më 2017 mund të jetësohet ai. Nëse që tani flasim, debatojnë, marrim nisma, bashkojmë zërat dhe i detyrojmë partitë dhe institucionet të kthejnë sytë nga Kushtetuta dhe standardet e larta demokratike.

Botuar në Shqiptarja.com

Presidenti Nishani: “Neritan Ceka do të qëndrojë në Romë deri në fund të mandatit”

Lavoratori albanesi in Italia, quale previdenza per il loro futuro