Për aksidentin rrugor në Arosio (Como) ku humbi jetën motoçiklisti Angelo Tanzi, karabinierët arrestojnë një shqiptar 30 vjeçar. Akuzohet për vrasje nga pakujdesia, ngasje të makinës pa dokumente dhe i dehur, dhe për mosdhënien e ndihmës së shpejtë
Romë, 30 gusht 2011 – Karabinierët e Cantù-së kanë gjetur dhe arrestuar një shqiptar 30 vjeç me iniciale C.J., për aksidentin që ky ka shkaktuar të dielën pasdite në rrugën De Gasperi në Arosio të provincës së Comos dhe që i mori jetën motoçiklistit 41 vjeçar Angelo Tanzi. Nga rindërtimi i ngjarjes duket se 30 vjeçari në timon të një Fiat Punto ecte kontromano dhe Tanzi që ishte me motorin e tij Yamaha, nuk ka mundur të evitojë përplasjen ballore me makinën që i ka shkaktuar vdekjen.
30 vjeçari shqiptar menjëherë pas aksidentit të shkaktuar, jo vetëm që nuk i ka dhënë ndihmën e shpejtë por ka lënë makinën dhe është larguar në këmbë i ndjekur nga një dëshmitar. Është kapur po atë natë në Giussano të Milanos, dhe nga testi i alkoolit ka rezultuar i pirë. Nga verifikimet e mëpasshme karabinierët kanë mësuar edhe që i ishte tërhequr patenta.
C.J. është arrestuar dhe është mbyllur në burgun e Bassones. Prokuroria e Comos e akuzon për vrasje nga pakujdesia, mosdhënien e ndihmës së shpejtë, ngasje të makinës i dehur e pa patentë.
Rreth dy javë më parë, faqet e kronikave të shtypit italian u zunë nga një tjetër rast i ngjashëm, por më i rëndë, ai i Ilir Betit që hyri kontromano në autostradë duke vrarë katër vetë. Ky rast shtyu ministrin e Brendshëm italian që të deklaronte përshpejtimin e futjes në fuqi të një ligji mbi vrasjet rrugore që do të ashpërsojë dënimet dhe, ndër të tjerat, do të parashikojë heqjen përjetë të patentës për personat që, duke qenë në timon të droguar apo të dehur, shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë të dikujt.