Dy komando shqiptarë kanë humbur jetën ditën e hënë në provincën e Kandaharit, në Afganistan, pasi u ndodhën në mes të një konflikti të armatosur.
Tiranë, 20 shkurt 2012 – Ministria e Mbrojtjes njofton se sot kanë humbur jetën në Afganistan ushtarakët Feti Vogli, komandant i grupit të parë special, dhe Aleksandër Peçi, specialist i armatimeve.
“Sipas njoftimit paraprak të ardhur në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, mbështetur në raportin e dhënë nga Komandanti i Kontigjentit “EAGLE-4” të trupave tanë me mision në Afganistan, nënkolonel Behar Mara, mësohet se sot, në ora 15:05, në fshatin Robot 2, Kandahar, Grupi i 1-rë Special, i drejtuar nga Kapiten Feti Bedri Volgi, si dhe një grup nga Batalioni 2-38 CAV, gjatë kryerjes së detyrës “Patrullim dhe sigurim i personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”, me mision, kryerja e një takimi, për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në këtë fshat, papritur në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektiva të policísë lokale (sipas të dhënave paraprake është hapur zjarr nga 5 armë automatike dhe një mitraloz i lehtë)” thuhet në komunikatën e Ministrisë së mbrojtjes.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur 3 ushtarakë, një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të Kontingjentit “Eagle-4”. Komandanti i Grupit I Special, Kapiten Feti Bedri Vogli dhe N/Tetar Aleksandër Jak Peçi (specialist armatimi në këtë grup), kanë marrë plagë të rënda dhe kanë ndërruar jetë në spitalin Rol 3 në Kandahar.
“Ministria e Mbrojtjes, shtabi i përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura marrin pjesë në hidhërimin e thellë dhe i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Njoftojmë se janë marrë të gjitha masat për kthimin në atdhe të trupave të të ndjerëve”, ka deklaruar një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes.