Xhulia, Radivija dhe të tjerat, viktima që nuk u mbrojtën. Në të gjitha këto tragjedi, familjet e policia kanë pasur dijeni për konflikte brenda çiftit, gjë që dëshmon se vrasjet mund edhe të shmangeshin
Nga Silvana MUÇA
Vrasjet e grave në Shqipëri vazhdojnë të pasojnë njëra-tjetrën, me gjithë ndryshimet në ligj, ku janë ashpërsuar dënimet. Gratë vazhdojnë ta ndiejnë veten inferiore ndaj burrave, të cilët vijojnë të ngrenë dorën mbi “seksin e dobët”, e vetëm në këtë vit, sipas statistikave (pasi nga ato të policisë mund të jenë më shumë dhe jo të raportuara) janë vrarë 23 femra. Dhe, në të gjitha këto tragjedi, familjet e policia kanë pasur dijeni për konflikte brenda çiftit, gjë që dëshmon se vrasjet mund edhe të shmangeshin. Por, familjet dhe vetë policia, në disa raste, kanë neglizhuar ankesat, apo denoncimet, duke sjellë një tjetër ngjarje, ku dhjetëra fëmijë kanë mbetur jetimë dhe rriten nga familjarët, apo kanë shkuar edhe në jetimore. Shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet, ku më kryesoret renditen xhelozia dhe gjendja e vështirë ekonomike.
Sipas të dhënave, autori i krimeve të rënda mund të jetë një baba, një bashkëshort, një i fejuar, një ish-partner, ndoshta dhe një i panjohur. Skenari i ekzekutimit të tyre është pothuajse i njëjtë, një thikë pas shpine, një breshëri arme dhe një mbytje me duar, duke shkaktuar kështu bilance lufte, me femra të vdekura.
“Burrëria” nuk ka kursyer nënën e fëmijëve, vajzën dhe të dashurën, por më e rëndësishme për ta është ngopja e egos. Para vrasjes, ata përfshijnë mundësinë e përdorimit të torturës së viktimës, ndonjëherë përdorin skllavërimin duke kërcënuar me armë si pistoletë, thika, dhunë fizike etj., etj. Femrat gjunjëzohen me shpresën se, do të falen, me shpresën se gjërat do të ndryshojnë për mirë, por në fund gjithçka përfundon tragjikisht, duke lënë pas fëmijë jetimë dhe dhimbje për të dashurit. Dhe, në çdo rast, vrasësit shfaqin pendesë përpara organit të akuzës dhe shesh prej tyre dëgjohet fraza “më lini të vdes”. Madje, disa vrasin veten, duke dyfishuar numrin e viktimave.
Sipas të dhënave, që nga fillimi i vitit 2013, kanë ndodhur rreth 23 ngjarje të vrasjes së femrave, ndërsa ka të dhëna se nga këto ngjarje janë shkaktuar 34 viktima (disa burra kanë vrarë veten). Ngjarja e parë për vitin 2013 ishte vrasja e italianes Xhulia Poltofieri, 24 vjeçe. Ajo mbeti e vdekur në vend nga breshëria e kallashnikovit nga vjehrri i saj, 60-vjeçar, Engjo Lucaj, në janar të këtij viti në qytetin e Elbasanit. I moshuari, përveç vajzës së huaj, vrau edhe djalin e tij, Sokol Lucajn. Motivi i sherrit ishte se atij nuk i pëlqente sjellja e nuses italiane. Rreth një javë më vonë, në ditën e të dashuruarave, një zjarrfikës 50-vjeçar, Fatos Kapllani nga Erseka, vrau të dashurën e tij, Nertila Petritin, pasi ajo kishte krijuar një lidhje tjetër. Më pas, zjarrfikësi vrau veten. Më 16 shkurt, një krim i trefishtë ndodhi sërish, por këtë radhë në qytetin e Kuçovës, ku dhëndri Riza Latifi vrau me armë zjarri vjehrrin dhe vjehrrën, Vasilika dhe Rexhep Muço, përkatësisht 65 dhe 67 vjeç. Ndërsa, vajza e viktimave, Engjëllushe Muço, 43 vjeç, që është edhe bashkëshortja e autorit, ka mbetur e plagosur. Motivi i vrasjes ishte se Latifi nuk pranonte divorcin prej bashkëshortes. Edhe më e rëndë është vrasja e 19-vjeçares, Valentina Begu, nga fshati Tale i Lezhës. Babai i mori jetën, sepse ajo e kishte turpëruar, duke krijuar lidhje me djemtë e zonës. Si trim që është, babavrasësi njoftoi edhe policinë, për të shlyer fajin që kishte bërë. Muaji prill do të trondiste opinionin publik me vrasjen e balerinës Sonila Tafa. E reja kishte dalë mbrëmjen e 5 prillit për të festuar me miqtë e saj balerinë. Mësohet se 26-vjeçarja mbeti e vrarë aksidentalisht nga Artur Kuliçaj, ku ky i fundit pati një sherr banal me disa klientë të lokalit të natës. Ndonëse kanë kaluar shtatë muaj nga vrasja, autori i krimit është ende i lirë. Krimi kthehet sërish brenda familjes, ku 70-vjeçarja Mereme Pashai ka humbur jetën nga dhuna e ushtruar nga i biri, Lefter Pashai, 51 vjeç, sepse nëna nuk i dha para. Muaji korrik ishte një periudhë zie, duke shënuar pesë gra të vdekura dhe dy meshkuj që u vetëvranë. Skena më e frikshme për qytetarët ishte ajo e Valbona Çarçanit, ku bashkëshorti, Genci Çarçani e theri ish-bashkëshorten në mes të rrugës. Me një gjakftohtësi të jashtëzakonshme, ai e qëlloi disa herë në trup dhe më pas u largua qetësisht, së bashku me qenin e vogël që viktima mbante pas vetes. Shtatori do të regjistronte dy gra të vdekura dhe një femër të plagosur rëndë. Shqiptari i Maqedonisë, Agim Emini, 52 vjeç, pasi plagosi rëndë studenten 21-vjeçare, Alma Sulçe, pasi kjo e fundit kërkonte të ndahej prij tij, do të vriste veten përpara policisë. Por si ngjarja që nuk mund të harrohet lehtë në muajin e nxehtë të gushtit, është vrasja e tre turistëve në Vlorë, mes tyre edhe një femër. Viktima ishte edhe Diana Ademi, 53 vjeçe, bashkë me Ferdi Bajlozin nga Përrenjasi 17 vjeç dhe Sokol Isufajn, 34 vjeç, nga Roskoveci i Fierit. Ata kishin shkuar në Vlorë për pushime, por mbetën të vrarë aksidentalisht dhe më tragjik është fakti se autori i krimit mundi t’i shpëtojë lehtësisht policisë. Tre gra mbetën të vrara në shtator. E shtuna e 14 shtatorit do të përgjakej nga vrasja e Fatmira Dedajt në Durrës dhe Liljana Mengës në Krujë. Dedaj u vra nga persona ende të paidentifikuar në garazhin e pallatit në të cilën jetonte. Një vit para se të ndodhte vrasja, 60-vjeçares i kishin vrarë djalin, Elvis Dedaj, për çështje të trafikimit të drogës. Liljana Menga u vra barbarisht nga bashkëshorti, për motive xhelozie. Majlinda Hoxha ka qenë duke pirë kafe me bashkëshortin e saj, ndërkohë që u qëllua për vdekje nga Ndriçim Balla. Objekti i atentati ishte i afërm i viktimës, Elton Fusha, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë me 28-vjeçaren. Ngjarjet do të pasonin njëra-tjetrën dhe në muajin tetor u regjistruan katër gra të vrara dhe dy meshkuj. Mister ka mbetur vrasja e 55-vjeçares Shpresa Telahi, nga Saranda. E ndjera është gjetur e pajetë në banjën e banesës së saj dhe në trup janë gjetur shenja dhune. Nuk ka as motiv dhe as autor. Edhe nëntori nuk ka qenë i qetë. Mësuesja Radivije Brahja do të mbytej me këllëfin e jastëkut nga burri i saj, Fehim Brahja, pas një zënke të çastit.
Lexo shkrimin të plotë në gazetën Shqip: Xhelozia, nderi dhe ekonomia, 23 gra të vrara gjatë 2013-s