in

Zgjedhjet administrative në Itali. Milano, sfida e Berlusconit

Zgjedhjet lokale që do të zhvillohen të dielën dhe të hënën në Itali janë konsideruar nga kryeministri, Silvio Berlusconi si test për qeverinë e tij, me sfidë kryesore mbajtjen e PdL-s në krye të Milanos, kryeqyteti ekonomik i vendit

Janë thirrur në votime afro 13 milionë zgjedhës në rreth 1.300 komuna italiane (nga 8.100), por vetëm 11 qytete me mbi 100.000 banorë, ndër të cilat Milano, Napoli, Torino dhe Bolonja. Njëmbëdhjetë këshilla provincash do të përtërihen  nga këto zgjedhje, raundi i dytë i të cilave, atje ku nuk do të arrihet që njëra palë të marrë shumicën, do të zhvillohet më 29 dhe 30 maj.
Kryeministri Berlusconi ka ngritur tonin në një mesazh video për zgjedhësit. “Të dashur miq dhe mikesha, ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet, jo vetëm për të qeverisur më mirë komunat dhe provincat tona, por për të konfirmuar dhe forcuar qeverinë tonë në planin kombëtar”, thotë ai në mesazh.

“Nëse Milano mbetet djathtas, mendoj se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në nivel kombëtar”, analizon Franco Pavoncello, profesor i shkencave politike në Universitetin amerikan të Romës. “Një dështim i papritur në Milano do të çonte në rrëzimin e qeverisë, pasi do të ishte shumë shkatërruese për Legën (partia aleate e Berlusconit që e ka veriun e vendit bastionin e saj), që nuk mund të qëndrojë në pushtet në rast se mohohet nga baza”, vlerëson ai.

Mbështetja e Legës së Umberto Bossit është e domosdoshme për mbijetesën e qeverisë së Berlusconit, e dobësuar nga ndarja në vitin 2010 me kryetarin e Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini dhe proceset gjyqësore kundër të tij, ndër të cilët skandali seksual Rubygate.

Të gjithë do t-i kenë sytë të drejtuar nga Milano, kryeqyteti ekonomik i vendit dhe kryetarja e saj aktuale e bashkisë përfaqësuese e PdL-s, Letizia Moratti, e cila do të ketë  përballë nga e majta avokatin, Giuliano Pisapia. 
Kavalieri u angazhua personalisht në fushatë, duke sulmuar Pisapian, një ish-komunist me qëndrime pothuajse ekstremiste, sipas tij. “Më duket paradoksale që ka ende njerëz të cilët duan të rithemelojnë komunizmin, ideologjinë më kriminale të njerëzimit”, u shpreh ai.

Tensioni u rrit edhe të mërkurën gjatë një debati televiziv në Sky mes dy kandidatëve kur Moratti sulmoi kundërshtarin duke pohuar se ai ishte amnistuar, por jo shfajësuar për vjedhjen e një automjeti që kishte shërbyer gjatë një rrëmbimi në vitet kulm të terrorizmit.
Pisapia u përgjigj se ai kishte hequr dorë të përfitonte nga amnistia, “ndërsa Berlusconi jo” dhe se në gjyq ka dalë krejtësisht i pafajshëm. Dhe ndërkaq paditi për shpifje Morattin. Në fakt edhe nga verifikimet e shtypit, del se gjykatat kishin pranuar se ai nuk e kishte kryer këtë krim. Sulmi i Morattit u dënua nga qendra e majta, por edhe nga Bossi: “Unë nuk do ta kisha bërë”, tha ky i fundit.
“Niveli i tensionit është rritur, është një sulm i pajustifikuar, i pabazuar nga ana e Morattit”, vëren Pavoncello, edhe pse “kjo do të ketë një ndikim të vogël në rezultatin përfundimtar, nuk besoj se e djathta do ta humbasë Milanon”.

Sipas sondazheve të fundit, Moratti kreditohet me 44-48 për qind të votave kundër 40-42 për qind për Pisapian. Edhe Bolonja e Torino, bastione të së majtës, do të jenë nën vëzhgim, por sidomos në Napoli, edhe ky nën drejtimin e të majtëve, rezultati do të analizohet në llupë, në kontekstin e një krize të re mbetjesh urbane, me mijëra tonë të tilla që kanë pushtuar rrugët, një katastrofë që metropoli jugor nuk po arrin ta çrrënjosë, megjithë premtimet e përsëritura të autoriteteve lokale dhe kombëtare.

Posta e ministrit Brunetta nuk u arrin emigrantëve

Elvira Dones, në Che tempo che fa, Rai3