in

Zgjedhjet: Kush do të drejtojë Tiranën?

Kolegji Zgjedhor është mbledhur për të vendosur mbi kërkesën ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste për kryebashkiakun e Tiranës. Pritej të jepte vendimin në orën 19.30, por ende nuk ka një prononcim prej tij

Tiranë, 13 qershor 2011 – Kolegji Zgjedhor është tërhequr sot pasdite për të marrë vendim lidhur me kërkesën ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste për kryetarin e bashkisë Tiranë. Gjatë seancës së sotme, pas administrimit të provave të mbledhura nga të gjitha palët, trupa gjyqësore është mbledhur dhe ende pritet të japë vendimin e tij, që ishte paralajmëruar për në orën 19.30.

Kolegji Zgjedhor nisi paradite shqyrtimin e kërkesës ankimore të PS-së për zgjedhjet lokale të 8 majit, për kryetarin e bashkisë Tiranë. Pas rrëzimit të dy ankimimeve të para, në seancën e sotme socialistët kërkonin gjykimin në themel të çështjes që lidhet me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara. Përfaqësuesi i PS-së në Kolegj, deputeti Damian Gjiknuri, tha se PS kërkon pavlefshmëri të dy vendimeve të KQZ-së, nr. 710 dhe 711, të cilat sipas tij, janë miratuar në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur në bazë të këtyre dy vendimeve ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ-ve të depozituara në KQZ. PS ankimon dhe faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe të ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues.

Gjatë seancës së sotme drejtoresha juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko, mbrojti vendimin e miratuar nga KQZ për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, duke e cilësuar “një vendim të drejtë”. Ajo hodhi poshtë si të pabaza pretendimet e PS-së për mospërputhje votash, duke i kërkuar trupës së Kolegjit  rrëzimin e kërkesës së socialistëve, një qëndrim të cilit iu bashkuan edhe përfaqësuesit e PD-së.

Ankimimi ka për relatore gjyqtaren Dhurata Haveri, dhe trupa gjyqësore përbëhet nga gjyqtarët Sashenka Jonuzi, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi dhe Meriban Mullai. 

Deri në orën 23.00 Kolegji vazhdon mbledhjen e tij për marrjen e vendimit dhe ende nuk ka një prononcim prej tij.

Leon Cino, protagonist i muzikalit “L’Arca di Giada”

Referendumi. Një tjetër shuplakë për qeverinë