in

Zhduket në kufirin Mal i Zi–Shqipëri 72 vjeçari italian

Giovanni Battista Ottonello, 72 vjeçar nga Milano, ka humbur kontaktet me familjarët e tij që më 8 gusht ndërsa ishte në Malin e Zi, pranë kufirit me Shqipërinë. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij

Tiranë, 24 gusht 2012 – Një i moshuar italian ka humbur kontaktet me familjen e vet prej 16 ditësh ndërsa gjendej në një udhëtim turistik në Malin e Zi, pranë kufirit me Shqipërinë.

“Shtetasi italian Ottonello Giovanni Battista, vjeç 72, banues në Milano ka humbur kontaktet me familjarët e tij. Sipas informacionit të marrë nga autoritetet italiane,  ky shtetas po zhvillonte një vizitë turistike në Mal të Zi dhe që nga data 8 gusht rezulton i humbur në një zonë malore në afërsi të kufirit me Shqipërinë, ku po zhvillonte një ekskursion,” njofton policia.

Nga autoritetet malazeze janë zhvilluar operacione kërkimi, por pa ndonjë rezultat. Nga familjarët e të humburit dhe autoritetet malazeze nuk përjashtohet mundësia, që ky ai të ketë kaluar në territorin e Shqipërisë, ndaj është kërkuar dhe bashkëpunimi i Policisë së Shtetit që është vënë në punë për gjetjen e 72-vjeçarit.

Policia ka publikuar edhe fotografi të të moshuarit  duke u kërkuar kujtdo që mund ta kenë parë, të njoftojë autoritetet: “Policia e Shtetit kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve, kryesisht në zonat në afërsi të kufirit. Për çdo informacion mbi këtë shtetas qytetarët mund të telefonojnë në numrin 129”, – thuhet në komunikatën e policisë.

Foshnja e sëmurë. Nga Tirana në spitalin Bambino Gesù të Romës

Bie çatia, vdes punëtori 36-vjeçar