Tiranë, 21 nëntor 2011 – Flakët e zjarrit përfshinë pasditen e sotme një magazinë në zonën e tregut ushqimor, afër shkollës Teknologjike në Tiranë.
Ekipet e zjarrfikësve po punojnë për shuarjen e flakëve dhe mësohet se nuk ka të lënduar. Forcat e zjarrfikësve që shkuan në vendin e ngjarjes kanë bërë evakuimin e zonës përreth dhe janë angazhuar për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, pa ia dalë mbanë. Në ndihmë të zjarrfikësve të Tiranës kanë ardhur edhe disa zjarrfikëse nga qyteti i Durrësit. Por mësohet se është kërkuar edhe ndërhyrja e ushtrisë.
Nga News24 mësohet se nga zjarri janë djegur, përveç magazinës edhe 2 biznese (dyqane), 2 lokale dhe 1 banesë. Madje një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur edhe pas orës 18 në zonën ku po digjet magazina e fishekzjarrëve, gjë që ka ndihmuar flakët të përhapen me furi në godinat pranë magazinës në flakë.
Sipas të dhënave të para, objekti i përshirë nga flakët është një magazinë lodrash, në të cilën gjenden edhe fishekzjarrë. Mësohet se shkak i këtij zjarri duhet të ketë qenë një shkëndijë elektrike që është ndihmuar më pas nga fishekzjarrët.
Ndërtesa ku ka rënë zjarri, e cila shërben për magazinimin e lëndës plasëse (në këtë rast fishekzjarrëve) ndodhet në një zonë të banuar, gjë që është në kundërshtim me ligjin “mbi përdorimin civil të lëndëve plasëse”. Përgjegjësia për këtë bie mbi Ministrinë e Rendit Publik dhe Këshillin e Ministrave, pasi është ky i fundit përcakton procedurat e dhënies së lejes edhe për magazinimin e këtyre lëndëve.
Lexo edhe: Shuhet pas disa orëve zjarri në Tiranë. Të shumta dëmet materiale