in

Zjarret vazhdojnë të djegin Shqipërinë

Berisha: “Fajin e kanë zjarrvënësit që janë militantë të PS-së”
Rama: “Qeveria nuk ka një program emergjencash”

Tiranë, 6 shtator 2012 – Kanë vijuar gjatë gjithë ditës së djeshme operacionet nga ajri të helikopterit të tipit Cugar, vënë në dispozicion nga Republika Sllovene me kapacitet 4 ton, avionet Canadair të dërguara nga Republika Italiane dhe ai turk me kapacitete 8 ton, duke mundësuar kështu fikjen e disa vatrave zjarresh dhe izolimin e vatrave të tjera, bëri të ditur Ministria e Brendshme në një njoftim për shtyp.

Dy avionë punuan dje për fikjen e vatrave të zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës dhe helikopteri punoi për gjatë gjithë ditës për fikjen e zjarreve në zonën e Bulqizës. Operacionet nga ajri do të vijojnë edhe sot në zonën verilindore.

Nga informacionet e raportuara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga strukturat vendore, në të gjithë qarqet e vendit, dje rezultonin 13 vatra aktive zjarresh, si më poshtë:

Qarku Dibër ka 4 vatra  zjarri aktive. Vatra e zjarrit në Kacni, komuna Selishtë, vazhdon të jenë aktivë, edhe pas ndërhyrjeve të vijueshme nga ajri.

Zjarri në ekonominë pyjore në Zallë-Gjoçaj, Derjan, rrethi Mat, zjarri në “Luçan – Batër”, Martanesh dhe zjarri tek Liqeni i Zi, Bulqizë, janë vënë nën kontroll. Ndërsa dy vatrat në afërsi të Parkut Kombëtar të Lurës janë izoluar.

Qarku Korçë ka 1 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në fshatin Kamenicë, komuna Mollas,  është riaktivizuar gjatë pasdite së sotme.

Qarku Kukës ka 3 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë, mbi fshatin Kukaj, komuna Margegaj, është shumë aktiv. Po kështu, edhe vatrat e zjarrit në fshatin Dragobi, komuna Margegaj dhe vatra e zjarrit në vendin e quajtur Moraje, komuna Bujan, mbeten problematike.

     Qarku Shkodër ka 5 vatra zjarri aktive. Në Shkodër ka 1 vatër zjarri në fshatin Balza, komuna Shosh. Në Pukë vazhdojnë të jenë 4 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në fshatin Arst Miliska, komuna Fierzë, e shfaqur rreth mesditës, është shumë problematike. Po kështu edhe vatra në fshatin Iballë, komuna Iballë, është aktive, së bashku me vatrën në fshatin Dardhë, komuna Blerim. Ndërsa vatra në fshatin Orosh, komuna Qafë Mali, është mbyllur thuajse plotësisht.

Gjatë ditës së sotme dy avionë kanë operuar për shuarjen e këtyre vatrave të zjarrit.

Vatra e zjarrit në zonën Mzi, pas ndërhyrjes nga ajri është izoluar dhe po mbahet nën kontroll.

Berisha: “Verë e nxehtë dhe piromanë të PS-së”

Pas më shumë se një muaji nga kur kanë rënë zjarret në vend, kryeministri Berisha është kujtuar të bëjë një bilanc në mbledhjen e qeverisë të 5 shtatorit, natyrisht pasi ka vënë në dukje që dëme të mëdha nga zjarret ka pasur në gjithë Europën: “vetëm një vend, Spanja, ka pasur 11 mijë zjarre. Sipas disa të dhënave të vëzhgimit të pyjeve, zjarret kanë djegur mbi 580 mijë Ha”

“Në Shqipëri, gjatë këtyre muajve tepër të thatë, kanë rënë rreth 370 zjarre. Mbi 1500 efektivë të Forcave të Armatosura, 850 punonjës të shërbimit zjarrfikës, 800 punonjës të shërbimit pyjor, qindra punonjës të Policisë së Shtetit, janë përballur në të katër anët e vendit me këto vatra zjarri, në kushte të vështira. Rreth 100 zjarrfikëse të sistemit të zjarrfikjes e të ministrisë së Mbrojtjes, mjete të tjera dhe vet njerëzit, kanë luftuar me zjarret në kushte heroike. Dëmet nga zjarret kanë qenë si vijon, nga vlerësimet paraprake. Këto janë të dhëna të ministrisë së Mjedisit dhe të drejtorive të Pyjeve  të vendit dhe që e vërteta është që ato në tërësi korrespondojnë me të dhënat e ministrisë së Brendshme, por në klasifikimin e zonave të djegurave, natyrisht, më e saktë është ministria e Mjedisit. 

Janë djegur 1.690 ha pyje dhe një sipërfaqe prej 600 ha shkurre. Janë të djegur, siç ndodh për vit për fat të keq, në një traditë ndër më të rrezikshmet, 4 mijë ha kullota, sepse veçanërisht në malet e jugut barinjtë përdorin këtë metodë me rrezik shumë të madh për malet, që të mund të plehërojnë me djegie kullotat që ata i kanë për tufat e tyre në vjeshtë e më vonë”është shprehur Berisha.

Sipas tij, qeveria shqiptare ka mundur që të shmangë humbjet e jetëve njerëzore, ndryshe nga shumë vende të tjera, ku sipas Berishës kanë humbur jetën dhjetëra persona. Po ashtu Berisha ka thënë se janë dëmtuar shumë pak shtëpi, ndryshe nga vendet e tjera.

Sipas tij, pjesa kryesore e zjarreve janë shkaktuar nga zjarrvënës të qëllimshëm. Ai ka akuzuar se një pjesë e zjarrvënësve janë militantë të thekur të PS-së, ndërsa ka akuzuar edhe prokurorinë se liron zjarrvënësit.

“Këto vepra janë më së shumti si pasojë e kriminalitetit njerëzor. Piromanë, keqdashës, ziliqarë që djegin pronën e njëri-tjetrit dhe të tjerë. Janë arrestuar rreth 70 persona përgjegjës. Për fat të keq, ne konsiderojmë si krim të rëndë vetëm atë të organizuar. Është e dhimbshme që opozita në një traditë unike dhe të pashoqe, në çdo lloj fatkeqësie natyrore mendon se do të nxjerrë kapital politik. Në të gjitha deklaratat politike nuk është bërë asnjë thirrje për të denoncuar zjarrvënësit apo për të mbështetur zjarrfikësit. Një eksponent i PS-së i tha ministrit të Brendshëm se kishte rënë zjarr në zonën e tij, por kur ministri i tha se zjarrvënësit janë militantë të thekur të PS-së, ai e mbylli menjëherë telefonin”, ka treguar anekdotën e radhës Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. 

Rama: “Fajin e ka qeveria që nuk ka një program emergjencash”

Rama akuzoi qeverinë për mungesë programi emergjencash, si dhe turp që Shqipëria ende nuk ka një mjet ajror të dislokuar në vendet më të shfaqura ndaj rrezikut të zjarrit. “Vitet e fundit sidomos që nga 2007 dhe sivjet janë ndjekur mesatarisht 2.500-3.000 ha pyje dhe kot të shtojmë se qeveria nuk ka dhënë fond për restaurimin e tyre, si dhe nuk ka bërë asgjë për parandalimin dhe minizimin nga zjarret në sezonin e verës. Shqipëria e Saliut nuk ka akoma një makinë zjarrfikëse të dislokuar në pikat e larta apo në parqe. Marrja e mjeteve ajrore është një harac shumë i shtrenjtë që paguhet me taksat e qytetarëve. Më e bukura është heshtja prej varri e kryeministrit dhe propaganda për të fajësuar opozitës”.

Elbasani dhe hebrenjtë, histori dashurie

Mburrej për femra në FB. Largohet nga Kosova ambasadori gjerman