in

1 tetor, dita e parë e shkollës shqipe Scanderbeg në Parma

Shkolla shqipe “Scanderbeg” në qytetin e Parmës në Itali filloi në 1 tetor vitin e ri shkollor 2011-2012, i treti që nga hapja e kësaj shkolle – Reportazh

Me emocione të veçanta e pritëm ne, mësuesit vitin e tretë të saj, e pritën fëmijët, prindërit dhe gjyshërit. Mes fytyrave engjëllore të fëmijëve të dy viteve më parë nuk ishte e vështirë të dalloje dhe fytyrat e ndrojtura të fëmijëve që vinin për herë të parë. Rrinin ne heshtje, ashtu të kapur për dore  me prindërit apo me gjyshërit, si për t’i thënë se në duart tuaja jemi të sigurt. Por nuk kaluan  minuta dhe çdo gjë  ndryshoi. Ata u shkëputën pa u ndjerë nga kjo lidhje dhe vrapuan drejt tavolinës ku për secilin prej tyre u shpërndanë mjete mësimore dhe tekste librash. Syçkat e tyre filluan të shkëlqejnë nga gëzimi dhe me kuriozitet filluan të shfletojnë faqet e para. Për dikë janë të njohura ato shkronja, për dikë tjetër aspak.

Përshëndetën fillimin e vitit të ri shkollor mësuesit e kësaj shkolle, Anila Kadija mësuese e Letërsisë shqipe, Brunilda Hoxha mësuese e Gjuhës shqipe, Durim Lika mësues i Histori-Gjeografisë, Elvira Lika mësuese e muzikës dhe e traditave shqiptare. Secili prej tyre shprehu dëshirën dhe vullnetin për ta çuar përpara misionin e nisur dy vjet më parë si dhe bëri të qarta  para prindërve objektivat mësimore të çdo lënde. Shkolla sivjet  do të zhvillojë aktivitetin e saj në dy klasa, ku në njërën do të merren njohuritë bazë të gjuhës shqipe dhe do të drejtohet nga dy mësueset e ciklit të ulët Anora Zuna dhe Alma Babamusta, dhe në klasën tjetër do të thellohen njohuritë në lëndët e Gjuhës shqipe , Lexim letrar, histori-gjeografi, muzikë e tradita shqiptare.

Folën në shqip edhe  protagonistët e kësaj shkolle, fëmijët e dy viteve të kaluara, të cilët shprehën kënaqësinë e frekuentimit të kësaj shkolle, por edhe ato çka duan të realizojnë sivjet gjatë këtij viti shkollor. Kërkesat  e tyre nuk ishin gjë tjetër veçse kërkesa për dije, shprehje e qartë e dashurisë për gjuhën tonë shqipe.

Pastaj fjala kaloi tek një brez tjetër , më serioz dhe më i preokupuar. Një nga gjyshërit Xhafer Sharkaj që kishte sjellë nipin e tij mallëngjeu gjithçka që  merrte frymë në atë klasë më fjalët e tij, duke na u drejtuar ne mësuesve me fjalët: “Ju keni një mision shumë të lartë, tu mësoni fëmijëve gjuhën e nënës, që të mos këndohen më vargjet e poemës së Nolit “pranë dijes i panxënë”. Një gjuhë që nuk flitet e shkruhet është e destinuar të vdesë bashkë me popullin e saj, duke u asimiluar nga të tjerët.”

Pikërisht ky është dhe shqetësimi ynë i madh. A do të jemi në gjendje të ruajmë gjuhën tonë nga asimilimi në emigracion? Me zili të shkon mendja tek arbëreshët këtu në Itali, që edhe pse kanë kaluar rreth pesë shekuj mbajtën gjallë gjuhën dhe traditat shqiptare.

Çdo të ndodhë më gjuhën tonë pas pesë shekujsh? E vështirë t’i japësh një përgjigje kësaj pyetje duke parë gjendjen e sotme në emigracion. Të gjithë ata që kanë ne deje gjak shqiptari duhet të shqetësohen për këtë. Është fat i madh për gjithë ata prindër  emigrantë shqiptarë që banojnë në afërsi të zonave ku janë ngritur shkolla shqipe për t’i dhënë një identitet fëmijëve të tyre, sepse të ruash gjuhën tënde do të thotë të kesh nje identitet tëndin. Ti japësh fëmijës mundësinë e njohjes së gjuhës së nënës nuk barazohet me asnjë pasuri materiale, vlera e saj shpirtërore është shumë e madhe, edhe toka mëmë  të jep bekimin e saj që rezistove e  nuk u asimilove në dhe’ të huaj.

Viti i ri shkollor, me përvojën dyvjeçare

Shkolla jonë u hap në tetor 2009, si fryt i bashkëpunimit të anëtarëve të Shoqatës “Scanderbeg” dhe një grup intelektualësh, mësues të pasionuar të gjuhës shqipe që jetojnë në qytetin e Parmës dhe në rrethinat e saj. Ideja e hapjes së kësaj shkolle lindi si domosdoshmëri e ruajtjes së gjuhës shqipe nga asimilimi në kushtet e emigracionit. Kjo shkollë lindi si një filiz i brishtë në një tokë të shëndoshë, shprehemi kështu pasi dëshira dhe vullneti për të hapur këtë shkollë nuk na mungonte, por mungesa e përvojës, e teksteve, e programeve  si dhe e materialeve të tjera shkollore, na bënte të ndjeheshim të pasigurt.

Hapat e para i hodhëm me pak nxënës, dhe falë vullnetit të prindërve, punës së mësuese të gjuhës shqipe si dhe punës këmbëngulëse të stafit drejtues dhe bashkëpunëtorëve të shoqatës “Scanderbeg” Parma, numri i tyre erdhi duke u rritur. Vitin e parë e përfunduam me 15 nxënës të regjistruar nga mosha 6 deri 11 vjeç.Nxënësit tanë demonstruan aftësi në të kuptuarin e gjuhës shqipe, në të folurin bukur dhe drejtshkrimin e saj. Vitin e parë dhanë mësim mësueset: Anila Kadija  lënda letërsi shqipe, Brunilda Hoxha lënda gjuhë shqipe, Ardjana Rushiti  lënda histori-gjeografi shqipe dhe Linda Pjeçi  për parashkollorët.

Ne shkurt te vitit 2010 nxënësit e shkollës morën pjesë në një spektakël bashkë me të rriturit “Rrënjët nuk mërgojnë” me regji të Albert Bekja, ku patën rolin kryesor. Kjo shfaqe pati shumë sukses dhe u mirëprit nga publiku e mediat. Me optimizmin e mbarimit të vitit të parë shkollor filluam vitin e dytë shkollor në nëntor 2010, ku tashmë kishim përvojën e punës sonë njëvjeçare, vështirësitë dhe arritjet e saj.

Që në fillimin e vitit shkollor përcaktuam qëllime mësimore afatgjata, me synime të qarta mbi bazën e të cilave do të ecnim në të ardhmen. Duke pasur parasysh problemet nga viti i parë, në vitin e dytë  u praktikua ndarja në dy grupe, pasi brenda të njëjtës klasë kishte diferenca të mëdha në moshë.

Me grupin e fëmijëve të vegjël punuan dy mësueset ndihmëse Alma Babamusta dhe Edlira Laçi. Ndërsa me grupin e më të rriturve, ku hynin fëmijë të moshës nga 8 deri 11 vjeç punuan mësueset Anila Kadija  e Brunilda Hoxha, në lëndët përkatësisht letërsi e gjuhë shqipe, me një program më të përparuar dhe të përshtatur për specifikat e tyre. Në shumicën e orëve të mësimit njohuritë e gjuhë-leximit u ndërthurën me histori- gjeografinë, me qëllim shfrytëzimin e hapësirës kohore dhe realizimin e objektivave finale. Muzika shqiptare për fëmijë u transmetua nga mësuesja Elvira Lika e cila ideoi dhe ndoqi gjatë këtij viti shkollor  edhe krijimin e një këndi letrar ku nxënësit e shkollës të mund të merrnin libra jashtëshkollor në gjuhën shqipe. Në nder të rilindësit të madh shqiptar iu dha emri “Naim Frashëri”. Librat iu dhuruan këtij këndi nga familje shqiptare në Parma dhe përmban dhjetëra libra për fëmijë ku disa prej tyre janë historike, kuriozitete në gjuhën shqipe etj. Ky projekt do të vazhdojë në vitin e ardhshëm shkollor në bashkëpunim edhe me bibliotekën internacionale në Parma “Ilaria Alpi”. Lënda e gjeografisë u mbulua  nga mësuesi Durim Lika.

Treguesi mësimor i fundvitit që kaloi ishte më i lartë se sa ai i vitit të parë të shkollës. Vërejtëm një rritje të dukshme sasiore dhe cilësore; 23 nxënës morën dëftesën simbolike të frekuentimit të shkollës, nga 25 nxënës të regjistruar në fillimin e vitit shkollor. Njëkohësisht patëm dhe rritje cilësore; të gjithë këta nxënës i realizuan objektivat që vendosëm në fillin e vitit. Gjatë  vitit shkollor të kaluar për vlerësimin e nxënësve u përdorën teste gojore dhe teste me shkrim. Megjithëse vlerësimi nuk u bë publik, u pasqyrua nga përmbushja e standardeve të përcaktuara më parë, dhe ju kushtua vëmendje vlerësimit formues me qëllim stimulimin, dhe përmirësimin e rezultateve.

Shkolla jonë përveç procesit mësimor ka zhvilluar aktivitete të rëndësishme, me rastin e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit, festave të fundvitit, festa e mësuesit dhe e nënës, festa e madhe e fundvitit shkollor ku nxënësit tanë nën drejtimin e mësueseve u paraqitën me një pjesë teatrale. Në të  morën pjesë të gjithë nxënësit dhe festa dhuroi kënaqësi dhe emocione të forta midis fëmijëve dhe prindërve. Në datat 16  e 17 prill të këtij viti shkolla jonë realizoi binjakëzimin e parë midis shkollave shqipe në diasporë me shkollën “Naim Frashëri” Worcester  të SHBA. Sipas projektit të këtij binjakëzimi, përfaqësues të dy shkollave shkëmbyen përvojën në hartimin e programeve mësimore, dhe në  mësimdhënie. Ky aktivitet u kurorëzua me zhvillimin e orës së mësimit të hapur që drejtuan mësueset Anila Kadija dhe Brunilda Hoxha dhe ku morën pjesë prindër dhe të ftuar. Të gjitha këto aktivitete kanë qenë në funksion të realizimit të objektivave të vëna.

Programi i sivjetshëm  mësimor mbështetet mbi një standard mësimor në bazë të së cilit nxënësit që do të ndjekin kursin njëvjeçar në fund të vitit shkollor duhet të jenë në gjendje të flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe, të drejtshkruajnë e të  lexojnë sipas standardeve të gjuhës shqipe. Në hartimin e këtij programi përfshihen:

-kritere pedagogjike, shkencore e psikologjike
-vëllimi i njohurive në raport me hapësirën e kufizuar kohor.
-pjesa teorike dhe praktike në arritjen e objektivit.
 
Shkolla jonë financohet nga Shoqata “Scanderbeg” e Parmës,  mësimi është falas për nxënësit dhe mësuesit janë vullnetarë.

Parimi ynë është: Gjuha shqipe bosht i ruajtes së identitetit kombëtar.

Mendojmë se mësuesit pavarësisht se janë vullnetarë në punën e tyre, janë në lartësinë e duhur dhe janë duke mbajtur qëndrimet e nevojshme për të përmbushur qëllimin fisnik, të ruajtjes dhe transmetimit në breza të gjuhës shqipe, traditave tona të mrekullueshme shqiptare. Nga vullneti dhe entuziazmi i stafit tonë  varet suksesi i rezultatit në mësimdhënie. Pra synimi ynë final për vitin e ri shkollor 2011-2012 është një mësimdhënie cilësore dhe bashkëkohore e përshtatur më kushtet tona të emigracionit.

Shoqata “Scanderbeg” Parma

Foto nga dita e parë e shkollës

{gallery}scanderbeg1tetor{/gallery}

Sonte Serbi-Itali. Nën hijen e keqe të serbëve që dogjën flamujt

Oportuniteti i Ramiz Alisë