in

Sonte Serbi-Itali. Nën hijen e keqe të serbëve që dogjën flamujt

Sot në orën 20.45 në Beograd do të zhvillohet ndeshja e kthimit Serbi-Italia e vlefshme për kualifikimin në Kampionatin Europian 2012.

Romë, 7 tetor 2011 – Dhuna e tifozëve serbë në mbrëmjen e 12 tetorit 2010 në stadiumin “Marassi”, ka detyruar autoritetet e Serbisë të marrin masa. Në Beograd janë mobilizuar për këtë ndeshje 1.400 agjentë policie dhe të xhandarmërisë për të siguruar qetësinë. Asnjërit prej 51 huliganëve përgjegjës të situatës së krijuar në Genova tetorin e shkuar nuk do t-i lejohet hyrja në stadium. Dy federatat e futbollit kanë rënë dakord të këshillojnë tifozët italianë të mos nisen për Beograd. Figc ka hequr dorë nga blloku i biletave që zakonisht u takojnë miqve në një ndeshje futbolli duke u kufizuar vetëm në blerjen e 130 biletave “Vip”. Vetëm me këto bileta do të mund të hyhet në stadiumin e Beogradit, bëjnë të ditur nga Figc.

“Kemi këshilluar tifozët tanë të mos vijnë por kemi informacione se një numër i vogël ka blerë bileta on-line. E përsëris: Nuk do të mund të hyjnë në stadium” thotë Roberto Massucci, drejtues i Departamentit të sigurisë në ministrinë e Brendshme.

Shefi i Zyrës speciale për rendin publik i ministrisë së Brendshme serbe ka shpjeguar në fakt, se rreth 30 italianë janë përpjekur të blejnë biletat on-line por këto bileta janë hequr nga qarkullimi. Ai ka sqaruar gjithashtu se sot të gjithë italianëve që do të paraqiten në kufirin serb do t-u kërkohet motivi i hyrjes në Serbi. “Por sipas nesh nuk ka asnjë rrezik për incidente”, është shprehur shefi i Zyrës speciale për rendin publik që megjithatë ka shprehur keqardhje për mungesën e tifozëve italianë sonte në stadium.

Dhuna e tifozëve serbë në mbrëmjen e 12 tetorit 2010 në “Marassi” të Genovas që detyroi arbitrin të ndërpresë takimin sepse nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për lojtarët dhe spektatorët, ka lënë gjurmë e jo vetëm mes tifozëve italianë. Edhe shqiptarët do ta kenë vështirë të harrojnë pamjet e flamurit kuq e zi të djegur nga huliganët serbë në stadium dhe banderolat ku lexohej : “Kosova është zemra e Serbisë”.

Monferrato: Eris Hoxha ndër gjashtë atletët më të mirë të vitit

1 tetor, dita e parë e shkollës shqipe Scanderbeg në Parma