in

11 shtator 2001 – Histori e një stjuardese

“Shoh ujë dhe ndërtesa. O Zoti im, o Zoti im!”, i tha stjuardesa Madeline Amy Sweeney një menaxheri fluturimi në tokë në Boston. Uji që ajo pa në momentet e fundit të agonisë, ishte i lumit Hudson, kurse ndërtesat e larta, qiellgërvishtësit e Nju Jorkut dhe midis tyre dy kullat binjake të Qendrës Tregtare Botërore

Nga gazeta amerikane International Herald Tribune, shtator 2001

Përmes një thirrjeje telefonike ngjethëse, një nga stjuardesat e aeroplanit të pasagjerëve të shoqërisë ajrore “American Airlines” me nr. fluturimi 11 njoftoi, për herë të parë, rrëmbimin dhe veprimet e vrullshme e të dhunshme në bordin e aeroplanit fatkeq, ndërsa rrëmbyesit prenë fytin e një pasagjeri para se të sulmonin kabinën e pilotëve.

“Shoh ujë dhe ndërtesa. O Zoti im, o Zoti im!”, i tha stjuardesa Madeline Amy Sweeney një menaxheri fluturimi në tokë në Boston, mbasi aeroplani ku ndodhej ajo, kishte ndërruar papritur drejtimin, tregon një raport investigues i përgatitur nga FBI-ja.

Uji që ajo pa në momentet e fundit të agonisë, ishte i lumit Hudson, kurse ndërtesat e larta, qiellgërvishtësit e Nju Jorkut dhe midis tyre dy kullat binjake të Qendrës Tregtare Botërore, QTB, që tani nuk ekzistojmë më. Fjalët e fundit të saj erdhën pikërisht pak sekonda para se fluturimi i kobshëm të përfundonte kur aeroplani me nr. fluturimi 11 u përplas, në orën lokale 08:45 të 11 shtatorit, me kullën veriore të QTB-së.

Ditët e fundit, copëzat e bisedave të fundit, të bëra përmes telefonave celularë nga bordet e katër aeroplanëve të rrëmbyer, tregojnë për lamtumirat e dhimbshme plot lot dhe për rezistencën e guximshme të pasagjerëve.

Por thirrja telefonike e znj. Sweeney që përmban detaje që nga koha kur mendohet se rrëmbyesit hynë me forcë në kabinën e pilotëve, mund të shërbejë si dëshmia më e vlefshme për rindërtimin e skenave të zhvillimit të ngjarjes.

Znj. Sweeney, 35 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, kishte 12 vjet që punonte në shoqërinë ajrore “American Airlines”, zakonisht gjatë fundjavave, kështu që ajo kishte mundësi t’i kalonte ditët e javës në shtëpinë e vet në Acton të shtetit të Masaçusetsit.

Atë të “martë të zezë”, ajo ishte një nga nëntë stjuardesat e stjuardët në aeroplanin me nr. fluturimi 11, që u nis pak kohë para orës lokale 08:00 nga aeroporti ndërkombëtar “Logan” i Bostonit me 81 pasagjerë në bordin e tij.

Aeroplani u ngrit nga pista në ajër si shumë të tjerë që nisen çdo ditë nga ky aeroport i madh amerikan, por mendohet se rrëmbyesit e vunë atë nën kontroll brenda 15 minutash. Pikërisht, në atë kohë, znj. Sweeney i telefonoi manaxherit të shërbimit të fluturimeve në Boston, Michael Woodward.

“Aeroplani është rrëmbyer”, tha znj. Sweeney, sipas raportit të FBI-së, i cili vë në dukje se ajo dha me gjakftohtësi një numër detajesh për ngjarjet që po zhvilloheshin në bord.

Dy stjuardë që ajo i identifikoi me numrat përkatës të ekuipazhit, ishin qëlluar me thikë, tha ajo.

“Një rrëmbyes i preu me thikë fytin një pasagjeri në biznes-klas dhe duket se ai ka vdekur”, vazhdoi ajo.

Të gjithë rrëmbyesit, nga sa dukej, ishin nga vende të Lindjes së Mesme; tre ishin ulur në biznes-klas dhe një prej tyre fliste shumë mirë anglisht, i tha znj. Sweeney menaxherit Woodward.

Ajo madje bëri të ditur se ata ishin ulur në radhët 10 e 11, megjithëse këto vende nuk ishin ato që kishin të shënuar biletat e tyre.

Nuk është e qartë se ku ndodhej znj. Sweeney gjatë bisedës së saj telefonike. Pasi dha detaje rreth rrëmbyesve, ajo, më pas, tha se ata “sapo hynë në kabinën e pilotëve”.

Më pas, ajo i tha z. Woodward se aeroplani ndërroi drejtim dhe nisi të ulej me shpejtësi. Ai e pyeti znj. Sweeney nëse ajo mund ta përcaktonte vendndodhjen e aeroplanit. Përgjigja e saj ishte: “Shoh ujë dhe ndërtesa. O Zoti im, o Zoti im!”. Këtu biseda, sipas raportit të FBI-së, u ndërpre.

Obama: “Partneritetet që na duhen”

Terrori mbi Amerikën, sulmi që ndryshoi historinë