in

150 mijë pasaporta biometrike lëshuar fëmijëve duhen ribërë

Është fjala për ato të lëshuara nga prilli 2009 deri në korrik 2010, që në kundërshtim me ligjin u janë lëshuar personave me moshë nën 16 vjeç për dhjetë vjet në vend që të jenë të vlefshme vetëm për pesë. Qeveria u jep një vit kohë mbajtësve për të kërkuar të renë, duke u lejuar praktikisht ta mbajnë atë që kanë, për jo më shumë se gjashtë vjet

Tiranë, 16 prill 2014 – Del gjithnjë diçka e re lidhur me pasaportat biometrike. Veç çështjes të toponimive greke, që ende nuk është zgjidhur, problemi i radhës është data e skadencës e mëse 150 mijë dokumenteve. Në vend që të lëshoheshin për pesë vjet, siç parashikon ligji për mbajtësit nën 16 vjeç, janë lëshuar për dhjetë vjet.

Nga fundi i marsit Këshilli i Ministrave vendosi të shtyjë me një vit afatin e ligjshëm të skadimit të pasaportave biometrike të cilat kanë afat të gabuar. Është fjala për 156.231 pasaporta biometrike lëshuar të miturve nën 16 vjeç në periudhën prill 2009 – korrik 2010, që në vend që të ishin të vlefshme për vetëm 5 vjet siç parashikon ligji në këtë rast, kanë vlefshmëri të gabuar për 10 vjet.

“Janë pasaporta të ligjshme për nga pikëpamja e kritereve formale, – sqaron Ministri i brendshëm Tahiri – por substancialisht janë pasaporta që përmbajnë një afat të parregullt, pra, të paligjshëm”.

Pikërisht për këta persona Këshilli i Ministrave ka vendosur shtyrjen me një vit të afatit ligjor të pasaportave. Kjo do të thotë se ata mund të përdorin pasaportën që kanë jo vetëm për pesë vjet (edhe pse në të është shënuar dhjetë vjet vlefshmëri) por për gjashtë dhe ndërkohë të kërkojnë e të pajisen me një të re.  

Qeveria shpjegon se këto pasaporta janë marrë kryesisht nga persona që jetojnë jashtë vendit, ndaj u pa më e udhës që atyre t’u jepej një vit kohë për të ndrequr një gabim që nuk varej prej tyre.

 “Me të konstatuar këtë situatë, – ka shpjeguar për shtypin ministri Tahiri –me qëllim mos-cenimin e cilësisë së jetës së shtetasve që arsimohen, punojnë apo jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, sepse shumica dërrmuese e mbajtësve të këtyre pasaportave jetojnë jashtë Shqipërisë, si dhe me qëllim shmangien e kostove eventuale financiare për të riparuar këtë situatë dhe duke qenë se trajtimi i kësaj çështjeje ishte shumë-disiplinore, u ngrit, me urdhër të Kryeministrit, një grup pune i cili e trajtoi këtë çështje në të gjitha aspektet, që mbërriti në propozimin e ndryshimeve, të cilat do të lejojnë zgjatjen e afatit me një vit për këto pasaporta. Një vit i cili do t’u shërbejë autoriteteve për të  njoftuar qytetarët që të zëvendësojnë pasaportat, të cilat kanë afat të pavlefshëm, pra, kanë afat të paligjshëm”.

Lidhur me çështjen e toponimeve greke në pasaportat shqiptare, problem që bëhet akut në prag festash, ministria e Rendit në Greqi ka lajmëruar se me rastin e festimit të Pashkëve të gjithë emigrantëve shqiptarë do t’u jepet mundësia të lëvizin pa probleme në dalje dhe hyrje të pikave kufitare nga 13 prilli deri më 5 maj.

K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Dëborë në Shqipëri e Kosovë

Università. Ecco le facoltà che creano più disoccupazione