Në Brindisi festohet 20 vjetori i eksodit të marsit 1991. Në tri ditët e veprimtarive kujtohet ajo periudhë e vështirë dhe mbresëlënëse për brindizinët, të braktisur nga qeveria e tyre dhe shqiptarët, të sapoardhur nga një tjetër botë. Dhe pas njëzet vjetëve të gjithë ruajnë kujtimin e bukur të solidaritetit
“Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindisi, 20 vjet më pas”. Nën këtë titull u festua në Brindisi, nga 11 deri më 13 mars, 20 vjetori i eksodit të marsit 1991. Gjatë tri ditët e veprimtarive u kujtua ajo periudhë e vështirë dhe mbresëlënëse për brindizinët, të braktisur nga qeveria e tyre, dhe shqiptarët, të sapoardhur nga një tjetër botë.
Dhe pas njëzet vjetëve të gjithë ruajnë kujtimin e bukur të solidaritetit mes qytetit të Brindisit, që mes qindra problemeve të veta iu desh të përballej edhe një eksod, të paparë deri asokohe brigjeve të Italisë e shqiptarëve që në Brindisi ndoshta kujtonin se do të gjenin Amerikën.
Prekëse ekspozita fotografike në ish manastirin Scuole Pie, ku krahas fotografive të zbarkimeve të fotografit Damiano Tasco, edhe copëza nga gazetat e atyre ditëve dhe filmime të televizioneve lokale mes të sapombërriturve. I veçantë procesioni “Il popolo del mare attraversa la città” nëpër rrugët e qytetit plot brindizinë e shqiptarë me në duar statuja të krijuara me copa druri të nxjerra në breg nga deti (shiko fotot në fund). Ndezi atmosferën, koncerti i Fanfarës së Tiranës dhe Roy Pacit në teatrin Verdi të qytetit.
Shumë të ndjekura edhe konferencat e ndryshme të mbajtura në sallën e kongreseve të Autoritetit portal: qoftë e para gjatë cilës u prezantua libri “Diario dell’inferno di Brindisi” i shkruar nga ish kryebashkiaku në kohën e eksodit, Giuseppe Marchionna, qoftë ajo përmbyllëse me pjesëmarrjen e autoriteteve vendase dhe të Tiranës.
Veçanërisht emocionues, tregimi i Brindisit të atyre ditëve “Non abbiate paura – Grand Hotel Albania” i shkruar nga Francesco Niccolini, i njohur për publikun e gjerë si autor i shumë monologëve të Marco Paolinit, dhe i rrëfyer për publikun nga aktorja Anna Bonaiuto. Një tregim për qytetin dhe banorët e tij. Për të mos harruar çfarë ndodhi. Por mbi të gjitha, për atë takim të jashtëzakonshëm: mes 90mijë brindizinëve dhe mbi 20mijë shqiptarëve.
Në numrin 256 të gazetës Bota Shqiptare (që gjeni në pikat e shitjes së shtypit të huaj) dhe në të ardhshmit sjellim të përkthyer “Non abbiate paura – Grand Hotel Albania”, duke falënderuar për këtë mundësi autorin, Francesco Niccolini, kooperativën Thalassia të Brindisit, dhe Drejtorinë e Turizimit dhe Kulturës së Komunës së Brindisit. Edhe në shqiptariiitalise.com do të botojmë disa pjesë të të njëjtit shkrim.
(k.b.)