Për të dytin vit rresht, shoqata Scanderbeg Parma organizon “shkollën shqipe”, një kurs prej dy oorësh në javë ku fëmijët shqiptarë, bij emigrantësh mund të mësojnë gjuhën amtare, por edhe letërsi, histori, gjeografi dhe muzikë shqiptare
Më 2 tetor 2010 nisi viti i dytë i mësimit të gjuhës shqipe organizuar nga shoqata “Scanderbeg Parma” për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në qytetin e provincën e Parmës.
Këtë vit shkolla do të frekuentohet nga 20 nxënës një herë në javë, çdo të shtunë nga ora 15:30 deri në 17:30, gjatë cilave fëmijët do të mund mësojnë fillimisht abetaren dhe më pas edhe letërsi, histori, gjeografi dhe muzikë të Shqipërisë.
Shkolla do të arrijë qëllimin e saj duke mbajtur leksione gjuhe dhe duke marrë si shembuj dhe ushtrime pjese nga letërsia, historia dhe gjeografia e Shqipërisë etnike.
Gjatë vitit shkollor nxënësit e shkollës shqipe do të kenë përparësi në të gjitha veprimtaritë që do organizojë shoqata Scanderbeg Parma. Dhe në qershor, si çdo vit, në festën e fëmijëve të organizuar nga shoqata, nxënësit do të marrin dëftesat simbolike të shkollës.
Edhe viti i vjetshëm shkollor mblodhi në shkollën Scanderbeg rreth 20 fëmijë me moshë nga 6 deri në 12 vjeç dhe siç shpjegoi Durim Lika, përgjegjës i organizimit të shoqatës, mund të konsiderohej “një përvojë e brishtë por e suksesshme dhe domethënëse”. Dhe e mbështetur mbi atë përvojë shoqata Scanderbeg Parma, organizon edhe këtë vit shkollor.
Në fjalën e saj përshëndetëse, mësuesja Brunilda Hoxha theksoi rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe fëmijëve: “Mendoj që të gjithë së bashku prindër e mësues, mund dhe duhet t’u krijojmë mundësinë fëmijëve tanë të mësojnë e të pasurojnë gjuhën amtare, të ndihen të pasur, sepse të pasur janë ata që unin e tyre e shprehin në gjuhën e nënës, sepse në të kundërt do të ndiheshin bosh, të varfër mes të pasurish”.
Mësuesit vullnetarë të këtij viti do të jenë katër, dy për çdo javë mësimi: Anila Kadija, Brunilda Hoxha, Elvira Lika, Rasim Djala. Këta do të kenë edhe mbështetjen e dy mësuesve të tjerë, Nefe Djala dhe Durim Lika. Janë vullnetarë, ashtu si edhe vitin e shkuar. Ministrisë shqiptare të Arsimit i kërkojnë vetëm një gjë: të nxjerrë një libër të menduar posaçërisht për fëmijët e emigrantëve. Që të mos jetë një abetare e thjeshtë por diçka më e zgjeruar, e menduar për ta studiuar në tre-katër vjet, me të cilin të mësohen jo vetëm germat por me anë të shembujve të marrë nga letërsia, historia, gjeografia e kultura e Shqipërisë etnike, të merren edhe nocionet bazë të një kulture sa më të gjerë shqiptare.