in

247 të vdekur, bilanci i përkohshëm i tërmetit. Edhe një shqiptar mes viktimave

Mes viktimave shumë fëmijë. Por bilanci mund të rëndohet akoma pasi janë të shumë personat që akoma kërkohen nën rrënojat e shtëpive e shpresa për t’i gjetur ata në jetë po shuhet me kalimin e orëve. Janë me qindra të plagosurit, me mijëra të mbeturit pa një strehë mbi kokë.
Mes viktimave edhe Erjon Toro, ndër të plagosurit të paktën 7 shqiptarë, që të gjithë jashtë rrezikut për jetën

Romë, 25 gusht 2016 – Italia është në gjunjë për tërmetin 6 ballë të orës 3.36 të 24 gushtit që ka tronditur fort tokën në Lazio, Umbria e Marche dhe ka hedhur përdhe ndërtesa të tëra duke zënë poshtë qindra e qindra njerëz në gjumë duke u lënë ëndrrat përgjysmë. Fshatra si Amatrice, Accumoli dhe fraksioni Pescara e Arquata del Tronto praktikisht janë shkatërruar plotësisht.

Numri i viktimave pas 24 orëve nga goditja e parë ka shkuar në 247: 190 prej tyre në provincën e Rietit dhe 57 në atë të Ascolit. Akoma më i dhimbshëm bilanci, kur mëson se mes viktimave fëmijët janë të shumtë. Mes viktimave, edhe një shqiptar që jetonte në Amatrice, Erjon Toro, 32 vjeç, i martuar e baba i dy vajzave të vogla.

E të gjitha burimet zyrtare flasin për një bilanc të përkohshëm që do të vazhdojë të përkeqësohet e që mund t’ia kalojë edhe atij të tërmetit të 6 prillit 2009 në L’Aquila kur humbën jetën 309 persona.

Janë me qindra të plagosurit të shtruar në spitale të ndryshme përreth zonave të goditura nga tërmeti, mes tyre edhe të paktën shtatë shqiptarë. Që të gjithë jashtë rrezikut për jetën, siç sigurojnë nga Ambasada shqiptare në Romë që ka ndjekur nga shumë afër zhvillimet e djeshme. Në spitalin e L’Aquila-s është shtruar Elsa Tori, e shoqja e Erjonit, në spitalin e Rietit ndodhet një grua me iniciale Xh.T., ndërsa në spitalin Gemelli të Romës ndodhen Xhesika Hasani, Sara Hasani, Romina Duro, Lori Duro, Hatixhe Hasanaj.

Me mijëra ata që kanë kaluar natën e parë pa një çati mbi kokë, kush në tendat e ngritura nga grupet e shpëtimit e kush në makinë përpara shtëpisë së vet, që tashmë është një grumbull gurësh apo akoma në këmbë por e rrezikuar seriozisht në të cilën i është ndaluar të hyjë.

E pas mëse 24 orëve, vazhdohet të gërmohet me shpresën gjithnjë e më të vakët të gjetjes së personave të tjerë të gjallë, por sidoqoftë për të nxjerrë nga rrënojat edhe njeriun e fundit të shpallur të humbur. Janë rreth 4 mijë forcat e shpëtimit të Mbrojtjes Civile, të Zjarrfikësve, të forcave të ndryshme të Policisë, Karabinierëve dhe Ushtrisë, por edhe vullnetarë nga e gjithë Italia.

Mrekulli që nuk shkakton aksident, 13 km autostradë në drejtim të gabuar

Murgesha shqiptare që i shpëtoi tërmetit rrëfen çastet e tmerrshme (VIDEO)