in

28 këngëtarë në festivalin e RTSh-së, në garë për Eurovisionin

Edicioni i 50-të i festivalit të këngës do të sjellë në skenë 28 këngëtarë e mes tyre edhe italianin La Regina. Do të prezantohet nga Adi Krasta e Eda Zari

Tiranë, 4 nëntor 2011 – Përgjatë katër netëve të fundit të muajit dhjetor, në skenën e Pallatit të Kongreseve do të ngjiten emra të rinj, por edhe artistë të njohur që i kanë munguar skenës shqiptare. Komisioni i Seleksionimit të këngëve pjesëmarrëse të Festivalit të 50-të, pasi dëgjoi këngët e paraqitura për konkurim vendosi që në garë për çmimin e parë të jenë 28 këngë që do të interpretohen live.

Në garë për çmimin e madh do të jenë këngëtarët: Altin Goci, Bashkim Alibali, Bojken Lako, Claudio La Regina, Dr.Flori, Elhaida Dani, Elton Deda, Endri dhe Stefi Prifti, Entela Zhula, Evans Rama, Frederik Ndoci, Goldi Halili, Gerta Mahmutaj, Herciana Matmuja, Iris Hoxha, Kamela Islamaj, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo, Marsida Saraçi, Orinda Huta, Rona Nishliu, Rudina Delia, Saimir Braho, Samanta Karavello, Sindi Berisha, Toni Mehmetaj, Xhensila Myrtezaj. Mes tyre bie në sy edhe italiani Claudio La Regina. 35-vjeçari nga Cosenza me prejardhje arbëreshe ka marrë pjesë në festival edhe dy vjet më parë. Kohë më parë ka fituar Festivalin Arbëresh që organizohet çdo vit me kënga në gjuhën shqipe. Bëhet në San Demetrio Corone të provincës së Cosencës, një nga zonat e Italisë ku ka përqendrime arbëreshësh.

Në edicionin e 50-të të festivalit, drejtor artistik do të jetë Shpëtim Saraçi me bashkëpunëtorë Alfred Kaçinarin dhe Edmond Zhulalin, prej vitesh pjesëmarrës në këtë eveniment muzikor. Veç këngëtarëve që kanë vite që kanë interpretuar në festival, këtë vit marrin pjesë dhe shumë kompozitorë që kanë një aktivitet të gjatë artistik, si Flamur Shehu, Edmond Zhulali, Shpëtim Kushta, Lejla Agolli, Luan Zhegu etj. 

Këtë vit festivalin do ta drejtojnë prezantuesi televiziv Adi Krasta dhe këngëtarja Eda Zari. Krasta rikthehet në skenën e festivalit në RTSH pas disa vjetësh, ndërsa për këngëtaren e muzikës jazz Zarin, që prej njëzet vjetësh jeton në Gjermani, kjo do të jetë eksperienca e parë.     

Festivali i këngës në RTSH zhvillohet çdo fundviti që prej vitit 1961 dhe që prej vitit 2003 kënga fituese e këtij festivali ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Fituesja e edicionit të kaluar ishte Aurela Gaçe me këngën  “Kënga ime”, e teta që shkoi në Festivalin e Këngës “Eurovizion” pas Anjeza Shahinit, Ledina Çelos, Luis Ejllit, Frederik Ndocit, Olta Bokës, Kejsi Tolës dhe Juliana Pashës.

Drama e Flamur Djalës, babait që humbi familjen në përmbytjet e Genovas

Genova në baltë, emergjenca vazhdon