in

500 euro 18-vjeçarëve. “Shumë i rëndë diskriminimi që na bëhet neve, bijve të imigrantëve”

Bonusi për kulturën është gati, por jo për vajzat e djemtë “e huaj”. Rrjeti G2: “Parlamenti të ndërhyjë, por nëna e të gjitha diskriminimeve është ligji mbi shtetësinë”

Romë, 18 prill 2016 – 500 eurot për të rinjtë që mbushin moshën madhore për t’i shpenzuar për teatër, libra, ekspozita etj? Po mbërrijnë, por jo për të gjithë. Bijtë e imigrantëve do të festojnë hyrjen në botën e të rriturve pa këtë dhuratë të Shtetit.

I ashtuquajturi “bonus kultura” parashikohet nga ligji i fundit i qëndrueshmërisë dhe javën e shkuar kryeministri Renzi, në #Matteorisponde në Facebook, lajmëroi që “do të jepet çdo vit, nuk është vetëm diçka që i përket 2016-tës”. Pritet prej disa muajve rregullorja zbatuese, por nënsekretari Tommaso Nannicini konfirmoi që “dekreti është gati: do të jetë një aplikacion për celularë. Të interesuarit do të mund të regjistrohen e të gjenerojnë voucher të gatshëm për t’u shpenzuar” deri në shumën e 500 eurove.

Problemi është se 500 eurot do t’u jepen vetëm “shtetasve italiane dhe të vendeve të tjera të BE-së” që mbushin 18 vjeç. Ligji i Qëndrueshmërisë la jashtë të rinjtë me shtetësi jokomunitare, pa bërë asnjë lëshim as për ata që janë rritur apo edhe kanë lindur në Itali.

Kështu, duke parafrazuar shembullin aq të dashur për kryeministrin kur flet për reformën e shtetësisë, e reja Fatima, që në klasë ulet në një bankë me italianen Maria, nuk do të marrë asnjë qindarkë. E nëse një mbrëmje vendosin të shkojnë bashkë në teatër, Maria do të ketë mundësi të ulet në një vend të mirë me paratë e shtetit, Fatima do të mendojë të kursejë e ndoshta zgjedh një vend në  një lozhë të lirë.

Rasti doli në dritë që me  miratimin e ligjit të Qëndrueshmërisë dhe mazhoranca menjëherë e pranoi gabimin e saj duke njoftuar se do ta korrigjonte. Por, me amendamente të hedhura poshtë e rend ditë të pranuar vetëm në letër, fakt është që nuk u bë asgjë deri më sot. Kështu, bijtë e imigrantëve, viktima edhe të kritereve absurde e të vjetëruara të ligjit të shtetësisë, edhe pse janë në vendin e vet, trajtohen sërish ndryshe – e si gjithmonë, “ndryshe” nënkupton “më keq” – nga bashkëmoshatarët e tyre italianë.

“Është diskriminim shumë i rëndë, e nuk është i pari, që ne italianë e italiane me lejeqëndrim që jemi rritur në Itali vuajmë në kurrizin tonë” denoncon Rrjeti G2 Seconde Generazioni. “Akoma më i rëndë se shumë të tjerë, sepse përjashtimi bëhet në fushën e kulturës, qasja me të cilën u duhet ofruar të gjithë qytetarëve të një vendi, e mbi të gjitha më të rinjve, siç na kanë mësuar të mendojmë pikërisht në shkollat italiane, shkollat tona, që të gjithë kemi mbaruar apo po ndjekim”.

“I kërkojmë Parlamentit të marrë masa sa më shpejt për të hequr këtë diskriminim me vlerë të madhe simbolike edhe për të evituar ngritjen e çështjeve gjyqësore të “italianëve me lejeqëndrim” që me të drejtë janë të zemëruar. Madje, i kërkojmë parlamentit të modifikojë sa më shpejt ligjin mbi shtetësinë, nënë e të gjitha diskriminimeve nga bijve të imigracionit. Mund ta bëjë duke miratuar sa më parë në Senat reformën, një tekst më i hapur e më aktual se ligji në fuqi” përfundon Rrjeti G2.

Elvio Pasca

 

Në nëntor, mbahet në Tiranë Samiti i parë i diasporës shqiptare

“Basta sfruttamento”. I braccianti indiani scioperano per i loro diritti a Latina