in

7 miliardë euro në 10 vjet, dërgesat e emigrantëve në Shqipëri

Ndihma që emigrantët u japin familjeve përmes dërgesave të parave nga jashtë, edhe pse ka rënë në krahasim me periudhën e para krizës, mbetet faktor i rëndësishëm për zbutjen e farfërisë dhe të konflikteve sociale

 

7 miliardë euro në 10 vjet, dërgesat e emigrantëve në ShqipëriTiranë, 26 maj 2017 – Ndonëse kriza e gjatë ekonomike e Eurozonës la të papunë edhe mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë – mbi 1,4 milion – dërgesat e emigrantëve vazhdojnë të mbeten një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë e Shqipërisë.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, gjatë dekadës së fundit, pra për periudhën 2007-2016, emigrantët shqiptarë kanë dërguar 7 miliardë euro në Shqipëri. Kjo shifër është thuajse sa 70% e të gjithë prodhimit kombëtar të ekonomisë shqiptare, ose sa dy buxhete shteti bashkë.

Dërgesat e emigrantëve arritën kulmin në vitin 2007, kur regjistruan shifrën 951 milionë euro. Por, pasi Eurozona u përfshi nga kriza financiare, e cila goditi veçanërisht dy vendet fqinje, Greqinë dhe Italinë, shumë emigrantë shqiptarë humbën vendet e punës.

Rrjedhimisht, dërgesat e tyre në atdhe nisën të rrudhen vit pas viti, duke arritur minimumin në 2013-n, kur ranë në shifrën 546,8 milionë euro.

Megjithatë, në 3 vitet e fundit, dërgesat e emigrantëve kanë filluar të rriten sërish, ndonëse me ritme të lehta dhe larg niveleve të para krizës. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar emigrantët shqiptarë dërguan 616 milionë euro, ose 12% më shumë se niveli minimal i regjistruar në 2013-n.

Edhe pse në raport me prodhimin kombëtar, dërgesat e emigrantëve nuk e kanë më rëndësinë që kishin në vitet para krizës, për mijëra familje ato mbeten burimi kryesor i të ardhurave, faktor që zbut varfërinë dhe problemet sociale.

Sipas Top Channel

 

Një sy mbi marrëveshjen Rama-Basha

“Porosia e fundit e Skënderbeut”, fëmijët shqiptarë të Parmës festojnë