Gomonia e ngecur në rërë, e mbushur me drogë, me vlerë prej rreth 5 milionë euro, e zbuluar mëngjesin e sotëm, mendohet se ka ardhur nga Shqipëria
Romë, 29 qershor 2017 – Njëzet e tetë pako me marihuanë, pak a shumë 30 kg secila, gjithsej 7 kuintalë dhe 20 bidonë me benzinë, në bord të një gomoneje (me dy motorë nga 200 kuaj-fuqi secili) të ngecur në rërë gjatë natës, janë gjetur nga karabinierët mëngjesin e sotëm, rreth orës 6.30 në plazhin Scossicci të Porto Recanatit.
Sipas karabinierëve, skafistët duhet të jenë detyruar të braktisin mallin e gomonen e t’ia mbathin sepse, për shkak të detit të trazuar, gomonia u ka ngecur në rërë, dhe kanë pasur frikë mos kapen nga forcat e policisë të pranishme natën e shkuar për kontrolle të zakonshme të zonës.
Karabinierët janë të mendimit se droga është sjellë nga Shqipëria e bidonët e benzinës të gjetura do t’u shërbenin skafistëve për kthimin në bregun tjetër të Adriatikut.
Vlera në treg e sasisë së drogës së sekuestruar shkon në rreth 5 milionë euro.