in

8 gusht 1991 – 8 gusht 2011. 20 vjetori i eksodit në mediat italiane

Mbërritja e anijes Vlora me mbi 20 mijë shqiptarë në portin e Barit, më 8 gusht të vitit 1991, fotot e mrekullueshme të Luca Turit apo Vincenzo Arcierit, filmimet e atyre ditëve, zënë këto ditë hapësirë të gjerë në mediat italiane. I bëhet jehonë edhe medaljes që presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi i jep qytetit të Barit.

Edicioni i Barit i të përditshmes La Repubblica në faqe të parë kujton 20 vjetorin e mbërritjes së Vlorës në Bari me një shkrim të Antonio di Giacomos me titull “20 vjetët e Vlorës. Nderime për kryebashkiakun Dalfino”, një video-intervistë me Kledi Kadiun, që në Itali ka ardhur për herë të parë pikërisht me anijen Vlora, si edhe artikullin e Cristiano Martit me titull “Vlora, Barit Medalja e mirënjohjes. Topi: ‘Nuk do të harrojmë kurrë ndihmën tuaj’”.

Revista e përjavshme Famiglia Cristiana, në përvjetorin e mbërritjes së Vlorës në brigjet e Barit, gjen rastin të flasë për tragjedinë e të Premtes së shenjtë të 1997-ës. Në shkrimin “Otranto, një dhimbje për t’u kujtuar” kujton fundosjen e Katër i Radës që u mori jetën 108 vetëve si edhe për përpjekjet e sotme Integra Onlus me kryetare Klodiana Çuka dhe të kryebashkiakut të Otrantos, Luciano Cariddi, për ta kthyer reliktin në një monument në kujtim të të gjitha viktimave të detit.

Gazzetta di Mezzogiorno ka në faqen e saj të parë në web tre artikuj mbi eksodin e gushtit 1991. Raffaele Nigro, dëshmitar i asaj kohe sot shkruan “Vlora, në atë anije njerëz në kërkim të shpagimit”. “Duhet ‘u jepnim një dorë – shkruan – siç bëri populli i Barit, kryebashkiaku Dalfino, apo imzot Tonino Bello, ndërsa ministri i Brendshëm i asokohe i mbylli në stadium, vendosi t’u jepte për të ngrënë duke u hedhur panine nga helikopteri e të përdorte hidrantët për t’i larë”.

Ndërsa Renato Brucoli në shkrimin me titull “Ato dy motra të pikasura nga dom Tonino në ferrin e Vlorës” rrëfen ç’ka parë me sytë e tij në stadiumin e Barit ku shkon bashkë me dom Tonino Bellon. “E kujtoj shumë mirë atë çast dalldie… – shkruan mes të tjerash – Barka plot njerëz në rravgim vazhdojnë të mbërrijnë edhe sot. jo më në Bari, por në Lampedusa. Kanë kaluar 20 vjet”.

Më 5 gusht, Corriere di Mezzogiorno, me artikullin “Dhe 20 mijë të dëshpëruarit u kthyen në të burgosur. Zbarkimi i Vlorës 20 vjet më parë” kujton rrjedhën e ngjarjeve të atyre ditëve, odisenë e mëse 20 mijë shqiptarëve, stadiumin, gënjeshtrat e shtetit italian. Më 6 gusht, e njëjta gazetë boton intervistën me Bamir Topin “Bari, porta jonë për në Europë”. Krah saj edhe prononcimin e Guvernatorit të Puglias, Nicki Vendola, që duke krahasuar mikpritjen e 20 vjetëve më parë me atë të sotmen ndaj afrikanëve sot në brigjet e Lampedusas thotë “Pas 20 vjetëve, gjërat janë përkeqësuar”. (ke.bi)

20 vjetori i zbarkimeve në disa nga mediat italiane:

{gallery}vloraagosto2011{/gallery}

Tragjedi në det. Mbytet 22-vjeçari shqiptar

Pasaporta të reja në Milano, por jo në Romë