Është çelur sot në Tiranë edicioni i parë të Javës Italiane në Shqipëri të zhvilluar ku marrin pjesë rreth 170 kompani italiane, ndër të cilat 140 vijnë për herë të parë në Shqipëri. Në ceremoninë e hapjes, të pranishëm mes të tjerësh edhe kryeministri Edi Rama, ambasadori italian në Tiranë Massimo Gaiani, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, guverantori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, presidenti i Senatit italian Pietro Grasso.
Ambasadori Gaiani: Shqipëria atraktive për investitorët
Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, deklaroi në hapje të Javës Italiane se Shqipëria paraqet interes për investitorët italianë dhe se vendi ka kryer përparime të mëdha.
“Italia – theksoi Gaiani – ka mbështetur vazhdimisht gjatë këtyre 20 viteve zhvillimin e Shqipërisë dhe në shumë sektorë të bashkëpunimit janë kryer financime të rëndësishme si në infrastrukturë, komunikim apo edhe për shpërndarjen e energjisë duke favorizuar lidhjen e Shqipërisë me vendet kufitare”.
Ai vuri në dukje se edhe Kooperacioni Italian në Shqipëri ka luajtur një rol thelbësor duke e bërë Italinë donatorin e parë në marrëdhëniet dypalëshe.
Ambasadori theksoi faktin se Italia përfaqëson partnerin e parë tregtar në shkëmbimin dhe zhvillimin me gati 2 milionë euro në vit, me një kuotë prej 37,5% të vëllimit të shkëmbimeve. “Ne jemi investuesit e parë të huaj përsa i përket numrit të ndërmarrjeve të pranishme në territorin e Shqipërisë”, tha Gaiani.
Nga ana tjetër, Gaiani theksoi se ka ende hapësirë për shoqëritë italiane. “Shumë faktorë favorizojnë praninë e ndërmarrjeve italiane, mjaft të mbajmë parasysh koston e krahut të punës, sistemet prodhuese mes dy vendeve, afërsinë gjeografike dhe njohjen e gjuhës italiane në territorin shqiptar”. Madje, pikërisht rritja e interesit të ndërmarrjeve italiane ndaj Shqipërisë, u bë shkas edhe pë organizimin e këtij edicioni, ku marrin pjesë rreth 170 kompani italiane, ndër të cilat 140 vijnë për herë të parë në Shqipëri
Rritja e interesit ka për bazë edhe “stabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me mundësitë e zhvillimit në një treg të integruar të këtyre vendeve, ku Shqipëria, mund të luajë një rol të rëndësishëm, duke qenë se ka një pozicion strategjik, është një portë hyrjeje në gjithë këtë rajon”.