Sot anëtarët e shoqatës Iliria të Romës do të manifestojnë përpara Palazzo Chigi, selia e qeverisë, në Romë, e njëkohësisht përpara konsullatës italiane të Vlorës do të protestojnë banorët e Dukatit, vendlindja e qytetarit shqiptar rezident në Reggio Emilia të arrestuar më 3 gusht të këtij viti, i akuzuar për pedofili ndaj djalit të tij pesë-vjeçar
Romë 8 tetor 2010 – Nuk shuhet protesta e Ilirisë, Lidhja e Emigrantëve Shqiptarë, me seli në Romë, kundër arrestimit të një qytetari shqiptar në Reggio Emilia më 3 gusht të këtij viti. Ai është i akuzuar për pedofili ndaj djalit të tij pesë-vjeçar. Ndërsa Iliria e Romës i konsideron këto akte, që dyshohet të jenë abuzime seksuale, thjesht si gjeste dashurie atërore dhe bën të ditur se ka në program protesta të reja pas asaj në Reggio Emilia të shtunën e kaluar ku morën pjesë 100-150 vetë. Të premten, më 8 tetor, shqiptarët e Ilirisë do të manifestojnë përpara Palazzo Chigi, selia e qeverisë, në Romë, e njëkohësisht përpara konsullatës italiane të Vlorës do të protestojnë banorët e Dukatit, vendlindja e të akuzuarit. Gjithashtu të dielën më 10 tetor është në program një kortezh dhe një protestë deri në zgjidhje të çështjes në Reggio Emilia. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, Lidhja e Emigrantëve Shqiptarë i ka shkruar edhe një letër ambasadorit shqiptar në Itali, Lesh Kola, në të cilën i kërkohet që të aktivizojë të gjitha kanalet e mundshme diplomatike për të komunikuar me Ministrinë italiane të Drejtësisë dhe “që të paraqesë atje shqetësimin” e komunitetit shqiptar mbi këtë episod “duke i ofruar sqarime”.
Arrestimi i shqiptarit, të akuzuar për pedofili, është bërë në bazë të një hetimi të filluar në kopshtin e fëmijës. Vogëlushi duket se u ka treguar edukatoreve për të atin që e puthte në pjesët intime të trupit. Kështu rasti i është sinjalizuar forcave të rendit. Karabinierët, të koordinuar nga prokuroria, kanë instaluar telekamera të fshehta në banesën e familjes shqiptare. Në bazë të xhirimeve, është vendosur arrestimi. Por sipas Ilirisë “babai thjesht ka puthur fëmijën mashkull sipas një tradite të rrënjosur në një vend patriarkal”. “Gjatë një muaji xhirimesh ka tre episode prej 6 sekondash kur babai shpreh dashurinë ndaj të birit duke e puthur pa asnjë mendim të keq”, deklarojnë përfaqësuesit e Lidhjes së Emigrantëve Shqiptarë. “Dashuria e tij, shtojnë ata, cilësohet në mënyrë të turpshme si pedofili. Nga pamjet, të cilat janë qëllimisht pa zë, nuk kuptohet nëse e puth apo e gudulis. Nëse mbahet parasysh që vogëlushi është i vetmi mashkull i lindur pas shtatë vajzash, gjestet e dashurisë ndaj tij janë krejt normale, jo vetëm nga ana e të atit, por nga të gjithë pjesëtarët e familjes”.
Ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola, i kontaktuar nga Bota Shqiptare, konfirmoi se natyrisht është në dijeni të rastit. Ai, thotë se ka pritur përfaqësues të Ilirisë në selinë e Ambasadës dhe se u ka përcjellë autoriteteve kompetente italiane shqetësimin e shqiptarëve të shoqatës Iliria.
Sipas shtypit shqiptar edhe autoritetet vendore shqiptare, kanë kontaktuar përfaqësinë italiane në Shqipëri për të sqaruar edhe një herë këtë episod që e konsiderojnë thjesht një keqkuptim. “Një mospërputhje të kulturave tona, që në këtë pikë janë të ndryshme” shkruan në letrën e tij zyrtare Kanan Braho, kryebashkiaku i Orikumit.
Ndërsa prefekti i Qarkut të Vlorës Hasan Halili në letrën dërguar konsullit të përgjithshëm të Italisë në Vlorë, Sergio Strozzi, thekson se në familjet shqiptare ekziston ky zakon dhe se “është çështje tjetër nëse ky zakon është i mirë apo i keq, por që ky është realiteti”.