in

Puglia. Sekuestrohen mëse 1,7 tonë drogë në dy ditë

Më 31 maj sekuestrohen 1.270 kg në portin e Barit, ndërsa më 2 qershor mbi 470 kg në bregdetin e Cesines

Romë, 3 qershor 2014 – Që lumë droge hyn nga Shqipëria është tashmë e njohur për forcat e rendit të Puglias. Që ky lumë është fryrë kohët e fundit për shkak “të rritjes së prodhimit të marihuanës në Shqipëri” e pohoi në Tiranë edhe Cataldo Motta, prokuror anti mafia i distriktit të Lecces. Dhe, sikur të ishte e nevojshme, vërtetojnë fjalët e prokurorit dy sekuestrimet e fundit të mëse 1,7 tonë marihuanë e hashash në 48 orë.

Disa çanta të mbushura me lëndë narkotike u gjetën natën duke gdhirë 2 qershori në plazhin  e lokalitetit Le Cesine. Të vëna në lëvizje nga një telefonatë anonime, forcat e rendit kanë zbuluar e sekuestruar 403 pako me 432 kg marihuanë e 64 pako me 31,5 kg hashash dhe një gomone që sipas forcave të rendit është përdorur për të sjellë nga Shqipëria në Itali drogën. Forcat e rendit nuk kanë mundur të kapin as skafistët e mundshëm e as ata që duhet të prisnin mallin në breg, që me siguri janë zhdukur sapo kanë kuptuar se janë zbuluar. Sipas policisë, e hedhur në treg, droga “do të kishte sjellë fitime për qindra mijëra euro”.

Një sasi akoma më e madhe u sekuestrua më 31 maj në portin e Barit. Financierët dhe agjentët e doganave, gjatë një kontrolli të imët të një kamioni të sapo zbarkuar kanë gjeur të fshehur në rimorkio 1.177 pako me 1.270 kg marihuanë. Droga është sekuestruar dhe është arrestuar shoferi i kamionit, një 34-vjeçar shqiptar, që është mbyllur në burgun e Barit me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Kjo e Barit, që e hedhur në treg mund të sillte fitime për 13 milionë euro, është një ndër ngarkesat më të mëdha të sekuestruara kohët e fundit.

 

Injoranca e politikës shqiptare

Ambasadori Gaiani: “23 qershori do të jetë ditë e shënuar për shqiptarët”