in

Ambasadori Gaiani: “23 qershori do të jetë ditë e shënuar për shqiptarët”

Në pritjen e organizuar në Ambasadën italiane në Tiranë për rastin e festës së Republikës, ambasadori Massimo Gaiani është optimist për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë

Ambasada e Republikës së Italisë në Tiranë ka zhvilluar pasditen e 2 qershorit një pritje në kuadër të festës së Republikës Italiane. Në këtë pritje merrnin pjesë personalitetet më të larta të vendit si kryeminsitri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kreu i PD-së, Lulzim Basha, por edhe figura të njohura nga poltika, kultura, media etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori italian Massimo Gaiani shprehu mbështetjen e Italisë për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Sipas tij, Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në BE, dhe 23 qershori do të jetë një ditë e shënuar për shqiptarët.

“Fillon sot një muaj i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për udhëtimin e saj drejt Evropës. Shqipëria e ka merituar marrjen e statusit të vendit kandidat që në dhjetorin e kaluar, edhe sa i takon mënyrës së ndërrimit të qeverive, dhe reformave të realizuara që fillimi i qeverisjes PS-LSI. Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në rrugën e saj drejt Evropës”, tha ambasadori italian në Tiranë Massimo Gaiani.

“Pavarësisht vonesës, Shqipëria do ta marrë statusin. – ka konfirmuar ambasadori Gaiani edhe në Fier, gjatë një aktiviteti të organizuar me rastin e javës kombëtare të Italisë – Italia do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë. Komisioni Europian pritet të nxjerrë këtë muaj një raport për ecurinë e reformave shqiptare, së bashku me një vendim të vendeve anëtare mbi statusin e vendit kandidat”.

 

Puglia. Sekuestrohen mëse 1,7 tonë drogë në dy ditë

“Shqipëria turistike”. Në Romë, dokumentari i Fabian Katit i realizuar në 1972-shin