Të mërkurën, më 4 qershor në orën 17.30, në Villa Celimontana, Via della Navicella, 12, Roma. I pranishëm edhe autori i dokumentarit
Romë, 3 qershor 2014 – Më 4 qershor në orën 17.30, në Romë do të mbahet takimi “Shqipëria turistike” i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Romë dhe Shoqëria Gjeografike Italiane, në selinë e kësaj të fundit, Villa Celimontana (Via della Navicella, 12 – Roma).
Gjatë tij do të shfaqet filmi dokumentar “Shqipëria Turistike”, mbi turizmin në Shqipëri në shekullin XX. Dokumentari, i realizuar në vitin 1972 nga Fabian Kati, është shfaqur për herë të parë vetëm vitin e shkuar.
Pas dokumentarit, mbrëmja do të vazhdojë me seminarin gjatë të cilit do të marrin fjalën veç autorit Fabian Kati, edhe gazetari Franco Tagliarini, drejtor i Albania News, që do të flasë për “Promovimin turistik të Shqipërisë në vitet Dyzet”, profesoresha Nadia Fusco, nënsekretare e përgjithshme e Società Geografica Italiana, mbi “Zbulimin e Shqipërisë në gjurmët e gjeografëve italianë” dhe ambasadori i Shqipërisë Neritan Ceka.
Në sallën e Këshillit do të ekspozohen me këtë rast disa nga dokumentet origjinale më të rëndësishme të Shoqërisë Gjeografike Italiane mbi Shqipërinë si harta antike, fotografi e libra të rrallë.