Komisioni Europian konfirmon rekomandimin e tij për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë. Ky është përfundimi i raportit të ri të KE të botuar sot që vlerëson përparimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimin e organizuar dhe reformën në drejtësi. Ky raport do të jetë baza, mbi të cilën më 27 qershor do të vendoset për dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë
Tiranë, 4 qershor 2014 – “Pa pikë dyshimi KE rekomandon statusin”. E thotë komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë Stefan Fyle gjatë takimit të tretë të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Përparësitë Kyçe për Shqipërinë, që po zhvillohet në Hotel Sheraton, në Tiranë. Fyle u shpreh se Shqipërisë duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe kjo falë punës dhe përpjekjeve të qeverisë së shkuar dhe kësaj aktuale”.
Fjalët e Fyles përforcohen nga raporti i botuar sot që mes konkluzioneve shkruan “bazuar në të dhënat e raportit, Komisioni Evropian konfirmon rekomandimin e tij se Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin kandidat”.
Raporti është i fokusuar në vlerësimin e përparimit të bërë në tre fusha kyçe: në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në reformat në sistemin gjyqësor.
“Shqipëria ka vazhduar të zbatojë dhe të konsolidojë masat e saj përsa i përket reformave që lidhen me BE-në, veçanërisht ato që lidhen me statusin kandidat.
Ka patur një vullnet të vazhdueshëm politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe reformat strukturore dëshmojnë një qasje gjithëpërfshirëse ku janë bërë pjesë një gamë e gjerë institucionesh.
Reforma të rëndësishme legjislative janë ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe hetimet kanë dhënë rezultate pozitive në luftën kundër trafikut të lëndëvë narkotike dhe fusha të tjera të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.
Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e vet për reformën e sistemit gjyqësor, vecanërisht duke punuar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin e sistemit”, vlerëson raporti. Dokumenti i Komisionit ndalet edhe në atë se cfarë Shqipëria duhet të bëjë për të ecur më tej në procesin e Integrimit europian.
“Eshtë e rëndësishme që qasja sistematike ndaj reformave të vazhdojë ndërsa rezultatet e qëndrueshme do të jenë të një rëndësie kyce për integrimin e saj të mëtejshëm europian.
Ky raport ka identifikuar ndërkohë një numër sfidash kyce, thelbësore që Shqipëria të përparojë më tej me vendosmëri në rrugën e saj të integrimit europian”, nënvizon raporti.
Rama: Është një rekomandim i pastër pa asnjë presje pas PO-së
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Komisonerin për Zgjerim, Stefan Fyle, kryeministri Edi Rama deklaroi se progres-raporti ka konfirmuar me një PO të fortë dhe të qartë rekomandimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, bazuar në argumenta konkrete për konsolidimin e një rruge të nisur rezultatesh të prekshme qysh në muajt e parë të qeverisjes sonë.
“Progres-raporti dëshmon dhe thekson punën e qeverisë si një punë që meriton të njihet dhe vlerësohet për vetë Shqipërinë me dhënien e statusit të vendit kandidat për vendin tonë”, tha Rama. Kryeministri bëri të ditur se ky Progres-raport ka një nënvizim shumë të fortë dhe nuk lë shteg për asnjë dyshim apo alibi, se pse Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat.
“Është një rekomandim i pastër pa asnjë presje pas po-së”, deklaroi Rama.
“Pavarësisht votimit në dhjetor nga vendet anëtare, përforcimi i KE-së na bën të ndihemi mirë në raport me të gjithë shqiptarët sepse puna ka vazhduar pa asnjë lëkundje, asnjë më dyshje, pa asnjë ulje të ritmit të reformave dhe përpjekjeve të gjithanshme transformuese”.
Kryeministri falënderoi Komisionerin Fyle dhe skuadrën e tij që ai e quajti të palodhur dhe durimplotë të tij për të na mbështetur dhe për të na ndihmuar në gjithë këtë proces të vështirë. Po ashtu, vlerësoi edhe punën e bërë nga kabineti i tij si dhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta.
“Falënderoj edhe kryetaren e Komisionit të Integrimit Majlinda Bregu, tha Rama, e cila nga pozicioni institucional ka patur rolin e vet të çmuar në këtë proces”.
Shkarko Raportin e Komisionit për Këshillin dhe Parlamentin Evropian