in

Zgjedhjet në Kosovë. Fiton PDK për të tretën herë

Tashmë, kur janë numëruar rreth 94,5% e kutive të votimit, duket se për të tretën herë radhazi, PDK kryeson me 31,17% të preferencave
Prishtinë, 9 qershor 2014 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fiton për të tretën herë radhazi mandatin për qeverisjen e vendit. Ndërsa janë numëruar rreth 94.5% e kutive të votimeve, PDK e kryeministrit Thaçi, në koalicion parazgjedhor me Partinë e Drejtësisë, Lëvizjen për Bashkim, Partinë shqiptare Demokristiane dhe Partinë Konservatore, kryeson me 31,17% të preferencave.  
Në parlamentin e ri do të kenë përfaqësuesit e tyre edhe Lidhja Demokratike e Kosovës që ka marrë 26,08% të votave, Lëvizja Vetëvendosje (13,71), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (9,63 dhe Nisma për Kosovën (5,35).
E ndërsa kanë mbetur pak kuti për t’u numëruar duket e vështirë të kapërcejë 5 përqindëshin e të sigurojë vend në Parlament partia e Bexhet Pacollit, Aleanca Kosova e Re, AKR, që dderi tani ka 4,71% të preferencave.
Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga KQZ, pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë e ulët: nuk kanë votuar as gjysma e kosovarëve: nga të dhënat e 97% të vendvotimeve, pjesëmarrja është 43,16%.
Jahjaga: “Kosova kaloi me dinjitet dhe maturi sprovën në konsolidimin e shtetit”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 8 qershorit janë mbajtur në një atmosferë të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore. Presidentja Jahjaga përgëzon qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme dhe kontributin për mbarëvajtjen e tyre demokratike.

Presidentja shprehet se parregullsitë eventuale janë duke u shqyrtuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për t’u siguruar se vota e lirë e qytetarëve dhe vullneti i tyre politik është garantuar. Jahjaga përgëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit për përpjekjet dhe punën e tyre për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent.

Presidentja Jahjaga vlerëson përkushtimin dhe angazhimin e partive e subjekteve politike, si dhe të të gjithë kandidatëve që kanë kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Presidentja Jahjaga vlerëson angazhimin e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin Vëzhgues të BE-së, që ka vëzhguar me kujdes gjithë procesin, duke i dhënë edhe legjitimitet ndërkombëtar zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend. Presidentja Jahjaga falënderon Misionin e OSBE-së, të EULEX-it si dhe KFOR-in për mbështetjen e tyre në sigurimin që të gjitha komunitetet në Kosovë të marrin pjesë në këto zgjedhje në një mjedis të qetë dhe të sigurt.

Presidentja Jahjaga thekson se Kosova dhe qytetarët e saj e kaluan me dinjitet dhe me maturi këtë sprovë në konsolidimin e shtetit tonë. Në ditët në vijim, është me rëndësi që të dëshmojnë të njëjtin përcaktim dhe të kontribuojnë në përmbylljen e këtij procesi demokratik, jetik për të ardhmen e vendit tonë.

Thaçi: Kosova, e gatshme për të realizuar ëndrrat e mëdha

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i ardhshëm (për të tretën herë) i Kosovës, ka shpallur fitoren mbrëmë në sheshin 21, duke deklaruar “Kosova është e gatshme për të realizuar ëndrrat e mëdha”.

“Qytetarët e Kosovës u përballën me një pyetje të thjeshtë por vendimtare për Kosovën, çfarë shteti duhet të ndërtojmë. Vota demokratike e dëgjoi përgjigjen e qytetarëve të Kosovës shumë qartë”, u shpreh Thaçi. “Ne do të ecim përpara, ne do ta zhvillojmë vendin tonë”.

Heshtje nga Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, që në fushatë shprehej e sigurt për fitore dhe se lideri i saj, Isa Mustafa, do ishte kryeministri i ardhshëm.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, e liderit Albin Kurti, deklaroi se “është dyfishuar në këto zgjedhje, e po ashtu edhe në përqindje”.

 

Addio grande moschea, a Milano moschee di quartiere

“Zbulimi i qytetit Bra”. Tour della città con guida in albanese