Lajmin e ka dhënë vetë Papa sot në mesditë
Romë, 15 qershor 2014 – Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator 2014 ku është ftuar nga autoritetet e vendit dhe peshkopët katolikë shqiptarë. Ky do të jetë edhe udhëtimi i parë i Atit të Shenjtë në Evropë. “Me këtë udhëtim të shkurtër – ka nënvizuar mes të tjerash Papa – dëshiroj të konfirmoj besimim për Kishën shqiptare dhe t’i dëshmoj inkurajimin e dashurinë një vendi që për një kohë të gjatë ka vuajtur pasojat e ideologjive të të shkuarës.
“Për udhëtimin e parë në Evropë, Papa zgjedh Shqipërinë, – është shprehur më pas për gazetarët Atë Federico Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit – për të dhënë kontributin e tij në dialogun ndërfetar”. Atë Lombardi ka kujtuar gjithashtu se emri i Shqipërisë, ku “katolikët janë një minorancë”, sjell ndërmend “persekutimet dhe idenë e ndërtimit të të vetmit vend ateist në botë”. Por Shqipëria është edhe toka e Nënë Terezës që konsiderohet, ka vazhduar, “shqiptarja më e madhe e shekullit të shkuar”.
Gjatë vizitës në Vatikan prillin e shkuar, Kryeministri Rama e ftoi Papa Françeskun të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën Ati i Shenjtë e mirëpriti e do ta bëjë realitet në 21 shtator.
Në një deklaratë për mediat nga muzeu Arkeologjik i Durrësit, Kryeministri Rama u shpreh sot se vizita e Atit të Shenjtë në tokën shqiptare është një ogur i mrekullueshëm që vjen në prag të vendimit të BE-së për marrjen e statusit kandidat. “Siç kuptohet prej vetë kontekstit kohor dhe historik, ky rrugëtim i Atit të Shenjtë, për Tiranën mbart një mesazh të disafishtë shprese dhe inkurajimi. Shpresë dhe inkurajim për Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e vështirë por të mbarë të rilindjes dhe ribashkimit me Europën. Shpresë dhe inkurajim për rajonin që të shkojë më tej në rrugën e sapo çelur të paqes pas më shumë se 100 vjet luftra dhe konflikte vëllavrasje”, tha Rama.
“Grato per sempre a Papa Francesco per aver accettato l’invito di venire in Albania! L’Albania primo viaggio del Pontefice in Europa”, “Grateful forever to Pope Francis for having accepted the invitation to visit Albania next September! Albania first visit of Pontiff to Europe” shpreh “mirënjohjen e përjetshme” italisht e anglisht në Twitter kryeministri Rama. Që Papa pranoi ftesën e tij të shkojë Shqipëri e që zgjedh vendin tonë si udhëtimin e parë në Evropë.
Vizita e parë e një Pape në Shqipëri është ajo e Gjon Palit II më 25 prill 1993, kur Shqipëria sapo kishte dalë nga regjimi komunist.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)