in

Amy Kokalari, 14-vjeçarja që njeh vetëm 10-tat, më e mira e Trevisos

Vajza jeton në Treviso me familjen e mbaron tetëvjeçaren me mesataren më të lartë të mundshme, plot 10. Veç studimit, pasionet e saj janë muzika dhe piktura 

Romë, 15 qershor 2014 – Nuk ka gëzim më të madh për një prind se të shohë që fëmijët e tij janë të mbarë e të shëndetshëm, gjë që ia vlen mbi çdo sakrificë që bëjnë. Prindërit e Amy Kokalarit duhet të jenë shumë krenarë për vajzën e tyre, që është nxënëse e shkëlqyer e po përfundon shkollën tetëvjeçare Stefanini të qytetit me të gjitha dhjeta. Dhjetë në Gjuhën italiane, dhjetë në Gjeografi, Histori, Spanjisht, Anglisht e kështu me radhë deri në lëndën e fundit të shënuar në dëftesë.

Amy, krenaria e shkollës, përveçse e prindërve, ka lindur në Treviso dhe është vajzë e vetme e Elvanës, shtëpiake, dhe Vesimit, që në Tiranë ishte teknik mekanik, këtu është punëtor i thjeshtë. Vesimi ka ardhur në Itali me eksodin e marsit 1991, ndërsa e shoqja pas një viti.

“Në të gjithë qytetin, vetëm Amy qenka me dëftesën e tetëvjeçares me të gjitha dhjeta. As nuk e dinim, por kështu na tha gazetarja e Tribuna di Treviso që kish pyetur në shkollat e ndryshme të qytetit”. Kështu tregon Elvana për shqiptariiitalise.com që shton se është çuditur nga buja që ka bërë në Treviso lajmi për vajzën e saj. “Mirë bën që mëson, e bën për të ardhmen e saj. Unë e im shoq jemi shumë të kënaqur me suksesin e saj e duam që kështu të vazhdojë. E kemi vajzë të vetme e nuk duam tjetër në jetë, veçse të mirën e saj”.   

Amy, nga anë e saj, i di mirë sakrificat e prindërve, njeh historinë e tyre, veçanërisht të babait, nga fisi i Kokalarëve të Gjirokastrës, dhe këto i japin forcë për të shkuar sa më përpara: “Gjatë komunizmit në Shqipëri, familja e babait ka qenë e persekutuar. Shumë familjarë tanët kanë përfunduar në burg, madje disa janë pushkatuar. E di nga vij, rrënjët janë shumë të rëndësishme për mua”.

Madje me një pjekuri që kapërcen moshën e saj 14-vjeçare, kur gazetarja Tribunës së Trevisos i vë në dukje se është gjë e rrallë të shohësh një dëftesë si e saja, Amy i përgjigjet: “Vlera e numrit në vetvete nuk ka shumë rëndësi. Dalëngadalë më duhet të ndërtoj të ardhmen time, e për t’ia arritur punoj që tani”. Edhe pse e vogël e ka të qartë si mund të shkojë përpara: “Duhet të kesh një qëllim e të shohësh gjithnjë me besim drejt të ardhmes. Secili prej nesh ka kindur për të sjellë diçka të mirë në shoqëri e unë e bëj me qejf punën time”.

Përveç librave, Amy ka pasion baletin klasik dhe këngën: e regjistruar në drejtimin muzikor të shkollës, studion për kitarë dhe është pjesë e korit dhe e instrumentistëve të orkestrës së shkollës. Prej disa vitesh është nxënëse edhe korit profesionist të zërave të bardhë të Shoqatës muzikore Manzato. “Kur të rritem edhe pak dua të studioj muzikë lirike” – thotë Amy, që vetëm gjatë vitit të fundit ka marrë pjesë në dhjetëra koncerte të ndryshme. “Por i pëlqen edhe piktura – shton mamaja e Amyt, Elvana – Prej vitesh ndjek një kurs tre orë në javë çdo të shtunë. Deri tani nuk ka ekspozuar ndonjëherë edhe pse është disi e ndrojtur”.

Tani po jep provimet e tetëvjeçares: ka dhënë gjuhë e matematikë me shkrim e deri në fund të muajit është e impenjuar me provimet me gojë dhe provën finale (invalsi). Në shtator Amy do të nisë liceun klasik Canova në drejtimin gjuhësor ku do të vazhdojë të mësojë gjuhët e huaja që i ka shumë pasion. Madje është kënaqësi e veçantë për të që ditët e fundit fitoi edhe një bursë studimi për të marrë pjesë në një kurs të gjuhës angleze.

Amy Kokalari është vajza që çdo prind dëshiron të ketë. I urojmë Amyt të ketë gjithnjë suksese, të sigurtë se kjo është edhe dëshira e kujtdo që lexon këtë lajm.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Un’estate italo-albanese. Seguire l’Italia ’90 da Tirana

Papa Françesku vizitë në Shqipëri më 21 shtator 2014