Këtë radhë pushimet në Shqipëri i këshillon faqja e internetit donnesulweb.it. “Ku të shkojmë me pushime në shtator, kur temperaturat janë akoma të mira, çmimet jo si gusht e qytetet e plazhet nuk janë të mbipopulluara nga turistët? Ku mund të shkohet për t’ia kaluar bukur e me shpenzime të ulëta?”.
Janë këto pyetjet që ngre “Donne sul web” për të cilat jep tri ide të ndryshme pushimesh të mundshme e mes tyre edhe ato në Shqipëri.
Nëse Sicilia apo Sardenja mund të duken të shtrenjta, nëse Kroacia nuk është më aq e leverdishme sa njëherë e një kohë, pse të mos shkohet në Shqipëri ku “ka plazhe të mrekullueshme”.
Çfarë ia vlen të vizitosh? Sipas faqes internet, Saranda është e bukur por me shumë turistë, në Dhërmi gjen plazhe larg rrugës në të cilat mund të shkohet vetëm në këmbë, ndërsa në plazin e Drimadhes mund të flesh edhe në tendën tënde me shpenzime thuajse zero. Ia vlen të vizitosh zonën arkeologjike të Butrintit që konsiderohej vend pushimesh (buen retiro) nga romakët, e pranë saj Ksamilin e katër ishujt e vegjël përballë tij ku arrihet lehtë me not.