in

Herman Van Rompuy: “BE mbështet të ardhmen europiane të Shqipërisë”

Kështu i deklaron presidentit Bamir Topi, presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy

Tiranë, 20 tetor 2010 – Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka vlerësuar  vizitën disa orëshe në Tiranë të Presidentit të Këshillit Evropian, Van Rompuy në Shqipëri si një mbështetje në rrugën e vendit tonë drejt Evropës. 

Duke iu referuar fazës aktuale ku ndodhet Shqipëria në pritje të dy vendimeve historike, atë të liberalizimit të vizave dhe të opinionit për marrjen e statusit të vendit kandidat, sipas ATSh-së, Presidenti Topi e informoi mbi intensifikimin e fushatës për sensibilizimin dhe njohjen e qytetarëve shqiptarë mbi procesin e liberalizimit të vizave, detyrimet dhe të drejtat që rrjedhin prej tij. “Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë e angazhimet e mëdha që mbart ky vendim”,  nënvizoi Presidenti Topi. Ai shprehu bindjen se “vota e Parlamentit Evropian në 7 tetor 2010, të cilën ne e përshëndesim, do të pasohet nga miratimi i Ministrave të Brendshëm të BE-së, në takimin e datës 8 nëntor 2010”.
Presidenti Topi u ndal dhe në çështjet e bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së intensitetit të këtyre marrëdhënieve mes fqinjëve, në kuadër të synimit të përbashkët, integrimit evropian.

Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy shprehu mbështetjen pa rezerva për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së reformave integruese. Ai vuri në dukje nevojën për reforma më intensive në fusha si konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve të pavarura demokratike, lufta kundër korrupsionit, shteti i të drejtës dhe mbrojtja e lirive e të drejtave të njeriut si dhe përpjekjet për një qeverisje edhe më të mirë.

Prokurori: “Cherchi paramendoi vrasjen e shqiptarëve”

Haxhinasto: “Liberalizimi i vizave nënkupton respektimin e ligjeve të zonës Shengen”