Presidenti i Republikës Bujar Nishani po dëshmon se nuk ngrihet dot mbi palët. Në këtë aspekt, ai po thyen një traditë dhe po kthen pas një standard të lavdërueshëm të krijuar nga tre paraardhësit e tij. Natyrisht të vishnin këtë kostum, nuk ka qenë e lehtë as për Rexhep Mejdanin, Alfred Moisiun e Bamir Topin. Kritikat e shigjetimet u dhembin të gjithëve njësoj. Por me sa duket, për ta, më e rëndësishme ka qenë të qëndrojnë në pozitën e simbolit të unitetit që ua kërkon posti që kanë marrë përsipër.
Nga Andi BUSHATI
Nëse do të kërkohej një fakt i vetëm, për të treguar se Bujar Nishani, nuk është larguar as edhe një ditë nga PD-ja, për tu ngritur në postin e presidentit real, ai duhej qëmtuar në komunikimin e tij publik. Vetëm në harkun e një muaji, u bë e dyta herë që ai tregon një zell të tepruar për t’iu përgjigjur, me ngjyrime dhe flakë për flakë, deklaratave të kryeministrit.
Pasi ushtroi të drejtën e tij ligjore që mbështetet edhe në bindjet e tij politike, për të kthyer mbrapsht ligjin për shkollën e magjistraturës, Nishani gjeti kohën që t’i përgjigjej me anë të Facebookut, reagimit të kryeministrit.
Ai foli për një kryeministër që beson se mund t’i ndikojë fatet e vendit përmes 140 gërmave të Twitter-it, për një kryeministër që reformë quan zbatimin e tekave të tij. Natyrisht që deklaratat e Bujar Nishanit u bënë pas atyre të Edi Ramës, por kjo lojë me hidh e prit, nuk duhet të jetë angazhimi i Presidentit të republikës. Aq më pak kur ajo ngjan si dy pika uji me qëndrimet e opozitës.
Në të njëjtën lojë të maces me miun u angazhua Nishani edhe pak kohë më parë. Në një tjetër deklaratë kundër Edi Ramës ai theksonte: “Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës tonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin…. Por, nëqoftëse këtë dëshirë të hershme e universale të humanizmit Kryeministri e sheh të projektuar në horizont duke cenuar Kushtetutën e vendit… atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste. Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga mendësi të tilla.” Këtë reagim Nishani e pati sërish pas një deklarate të kryeministrit se ai nuk qe i lumtur me presidentin. Por, edhe këtë radhë përgjigjja qe e shproporcionuar. Ai theksonte se qe në presidencë për të zbatuar ligjet dhe jo për të luhatur trishtimin, melankolinë apo lumturinë e Ramës.
Pyetjet që shtrohen në rastet e përmendura janë disa. A duhet t’ia lejojë presidenti vetes që të replikojë me cilindo politikan duke i thënë se po e reformon vendin sipas tekave të tij? Duke i kujtuar se nuk e drejton dot Shqipërinë përmes Twitter-it? Duke i bërë aluzione për dëshira totalitare e absolutiste? Duke e quajtur bartës të mendësive të së shkuarës? Duke replikuar për koncepte si melankolia, trishtimi apo lumturia?
Përgjigjja është shkurt dhe prerë JO. Së paku në mënyrën e komunikimit, Presidenti i Republikës po dëshmon se nuk ngrihet dot mbi palët. Dhe kjo për dy arsye.
Së pari sepse nuk i takon kreut të shtetit të hyjë në replika të përditshme me politikanët e votuar, qofshin këta në opozitë apo në pushtet. Në të gjitha këto raste, një president normal, do të ruante zotnillëkun e detyrës së tij. Ai do të fliste me akte, me dekrete dhe jo me gjuhën e rrumpallës së parlamentit. Dhe këtë qëndrim do të duhej ta mbante jo për t’u dukur simpatik por, mbi të gjitha, sepse ia kërkon kostumi i tij. Edhe sikur të ishte i bindur se ato çka thonte për Ramën janë të vërteta, ai do duhej të rezervohej dyfish. Jo për të ruajtur Ramën, jo për të mbajtur anën e kryeministrit, por për hir të njerëzve që shefi i shumicës (e njëjta gjë vlen edhe për shefin e opozitës, por me të Nishani s’ka këmbyer replika) ka pas vetes. Për ta, ai duhet të luajë simbolin e unitetit dhe jo atë të përçarësit. Në sytë e tyre, ai s’duhet të luajë rolin e atij që i hedh benxinë zjarrit, por të atij që qëndron mbi flakët e kota.
Arsyeja e dytë se përse Nishani, nuk duhet të ulet në këtë nivel, ka të bëjë me historinë e afërt të presidencës shqiptare. Në këtë kuptim ai po thyen një traditë dhe po kthen pas një standard të lavdërueshëm të krijuar nga tre paraardhësit e tij.
Për ta nisur nga i fundit. Bamir Topi u quajt nga kryeministri i kohës, puçist dhe horr bulevardi, sekser tokash e vendesh në gjygjsor, hajn brenda familjes e bukshkalë, por kurrë nuk iu përgjigj në të njëjtën masë, përbaltjes që iu bë.
Po kështu edhe Alfred Moisiu, u sulmua në kohë të ndryshme nga Nano e Berisha, i pari me stilin e tij duke bërë humor me oreksin e presidentit dhe duke shkuar deri aty sa të përmendte edhe moshën e tij, e tjetri duke e quajtur mbrojtës të krimit dhe të lidhur me drogën.
Për të shkuar më tej akoma, edhe Rexhep Meidani, megjithëse president i zgjedhur nga njëra palë, megjithëse me kompetenca shumë më të forta dhe një mazhorancë të madhe, kurrë nuk ra në batakun e replikave edhe kur e akuzuan për krimet më monstruoze.
Natyrisht të vishnin këtë kostum, nuk ka qenë e lehtë as për këta ish presidentë. Kritikat e shigjetimet u dhembin të gjithëve njësoj. Por me sa duket, për ta, më e rëndësishme ka qenë të qëndrojnë në pozitën e simbolit të unitetit që ua kërkon posti që kanë marrë përsipër.
Megjithëse është anatemuar shumë më pak se paraardhësit e tij, Nishani rrezikon të shmanget nga tradita e tyre. Nga pikëpamja e komunikimit publik, duke iu përgjigjur flakë për flakë deklaratave, duke u bërë verbalisht simboli i vetëm njërës palë, ai duket sikur po e kthen presidencën, në kohën e njëanshme të sundimit të Berishës. Ndoshta jo për të ringjallur modelin e vjetëruar të së djeshmes. Por, se nuk shpëton dot ende, nga hija e Berishës së sotëm.
Botuar në Lapsi.al