in

Papa Françesku do të gjejë në Shqipëri një katolicizëm të rilindur

Më 21 shtator do të shkojë në një vend të ripërtërirë pas diktaturës, që sheh me sy të mirë Perëndimin dhe katolicizmin.
Roberto Morozzo Della Rocca, historian e ndër ekspertët më të besueshëm të historisë së Shqipërisë, shpjeggon për Aleteia.org: “Marrëdhëniet mes besimeve fetare në Shqipëri nuk kanë konflikte e ky është padyshim një fakt i rëndësishëm. Ajo që i bashkon shqiptarët është patriotizmi”
Nga Gelsomino Del Guercio, Aleteia.org

Ç’situatë do të gjejë Papa Françesku më 21 shtator në Shqipëri? Corriere della Sera jep një kuadër disi shqetësues. Qeveria dhe shërbimet sekrete shqiptare duket se i kanë sinjalizuar Interpol-it frikën e tyre lidhur me sigurinë e Papës në Tiranë për shkak të një grupi të konsiderueshëm kosovarësh – veteranë të luftës kundër Serbisë – që kanë mbështetur kauzën e fondamentalistëve islamikë, madje kanë shkuar në Irak e Siri, ku kanë luftuar në radhët e ISIS.

Lajmi i pranisë në territorin shqiptar të shumë ekstremistëve të lidhur me Shtetin e vetëshpallur islamik i shtohet një tjetri – të vënë në dukje ditët e shkuara nga burime izraeliane dhe të të gjitha shërbimeve sekrete, përfshirë ato italiane – sipas të cilit, në shënjestër të ISIS-it është edhe Ati i Shenjtë si përfaqësuesi më i lartë i krishtërimit.

Zhihadistët dhe rreziku real

“Zhihadistët? Shqipëria është filo-perëndimore, tolerante, nuk ka ekstremistë fetarë, por mund të ketë edhe përjashtime”. Këtë vë në dukje Roberto Morozzo Della Rocca, profesor i historisë bashkëkohore në universitetin Roma Tre, ndër ekspertët më të besueshëm të historisë së Ballkanit. “Në Kosovën e afërt – konfirmon profesori – duket se rreth 150 të rinj kanë shkuar të luftojnë përkrah ISIS, e 16 prej tyre kanë humbur jetën. Është fjala për një grup të vogël që qeveria e Prishtinës po monitoron, dhe kjo gjë nuk mund të jetë tregues rreziku për udhëtimin e Papës”.

Myslimanë Perëndimi

Shqiptarët ndodhen edhe në Kosovë dhe Maqedoni ku ndryshe nga Shqipëria, popullsia është thuajse e gjitha myslimane. “Por nuk mund të thuhet “myslimanë e barabartë me terroristë”. Myslimanët shqiptarë jetojnë si perëndimorë, kanë të njëjtat zakone. Natyrisht përjashtime ka gjithandej”. Për më tepër, Kisha katolike shihet si një element afrimi me Perëndimin, “edhe pse kjo nuk është e vërtetë sepse kusha është universale. Në Shqipëri, Kisha ka rilindur njëzet vjet më parë, pas rënies së regjimit diktatorial, rindërtoi strukturat e saj dhe sot numëron një numër besimtarësh që përbën rreth 10% të popullsisë”.

Bashkëjetesa ndërfetare

Në Shqipëri katolikët përbëjnë një pakicë. 20% janë të krishterë ortodoksë, të tjerët myslimanë ose bëjnë pjesë në sekte të ndryshme fetare të lidhura me myslimanizmin. “E megjithatë, marrëdhëniet mes besimeve fetare – shpjegon historiano Morozzo Della Rocca – nuk kanë konflikte e ky është padyshim një fakt i rëndësishëm. Ajo që i bashkon shqiptarët është patriotizmi”.

Dy mesazhet e Françeskut

Në këtë kontekst “udhëtimi i Papës është homazh për vuajtjet e përjetuara nga besimtarët në përgjithësi gjatë diktaturës, është homazh për martirizimin fetar të vuajtur nga e gjithë Shqipëria. Së dyti – vazhdon historiani – është homazh për bashkëjetesën e paqtë mes komuniteteve të ndryshme fetare. Shqipëria është një shembull i mirë për shumë vende evropiane, ku dallimet fetare vihen në dukje në mënyrë jo aq të qetë sa atje”.

Brohoritjet për Vojtilën

Vizita e Papës në Shqipëri ka një precedent inkurajues dhe që mban larg hijet  e dhunës dhe terrorizmit. “Dua të kujtoj që Gjon Pali II, njëzet vjet më parë, u prit me brohoritje në Shqipëri, edhe nga myslimanët, gjë që dëshmon se në këtë vend – përfundon professori Morozzo della Rocca – nuk gjen asnjë gjurmë armiqësie ndaj krishtërimit dhe Perëndimit të cilit shqiptarët ndiejnë se i përkasin, pavarësisht pushtimit të gjatë otoman”.

Artikulli i mësipërm në origjinal: Papa Francesco troverà in Albania un cattolicesimo rinato

Lexo edhe:
Papa: “Shkoj në Shqipëri sepse dua të ndihmoj atë popull fisnik”
Para një ngjarjeje historike
Papa Françesku vizitë në Shqipëri më 21 shtator 2014
Papa në Shqipëri. Mesha në sheshin Nënë Tereza

 

 

Nexhmije Hoxha, tallja që na vjen nga mosndëshkimi

Ministria e Brendshme. Ja toponimet e reja që do kenë pasaportat e të lindurve jashtë Shqipërisë