in

Ministria e Arsimit mbyll 12 shkolla të mesme private

Për mospërmbushje të standardeve mbyllen disa shkolla në Tiranë, Durrës, Elbasan, Kuçovë, Lushnjë, Mat dhe Vlorë

Tiranë, 6 shtator 2014 – Pas mbylljes së 18 universiteteve e shkollave të larta private e 7 filialeve të universiteteve publike, të pezullimit të 13 të tjerave private, tani mbërrin edhe mbyllja e 12 shkollave të mesme private.

Lajmin e dha zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, në një deklaratë për shtyp ditën e enjte, kur komunikoi urdhërin e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, “për mbylljen e veprimtarisë mësimore me kohë të pjesshme, të disa institucioneve të arsimit parauniversitar privat duke nisur nga ky vit shkollor”. Arsyeja e mbylljes së shkollave është për mospërmbushja të standardeve.

Kështu, institucionet e arsimit parauniversitar privat të cilave u është bllokuar aktiviteti janë:

1. “Sami Frashëri” në Kuçovë
2. “Talenti” në Durrës
3. “Migjeni” në Durrës
4. “3 Janari” në Durrës
5. “Vitrina” në Tiranë
6. “Eurovision-IS” në Tiranë
7. “Arianiti” në Elbasan
8. “Daka” në Lushnjë
9. “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” në Mat
10. “Iliria T” në Elbasan
11. “Inkus Network” në Tiranë
12. “Vëllezërit Frashëri” në Vlorë

Sipas zëvendësministres Malaj, nxënësit do të transferohen nëpër instuticione të tjera arsimore.  

Institucionet e arsimit parauniversitar privat  që po mbyllen do të kryejnë këto detyrime:

– Të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore për vitin mësimor 2013-2014 brenda afateve të përcaktuara;

– Të pajisin çdo nxënës me të gjithë dokumentacionin shkollor për transferimin e tyre në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar publik me kohë të pjesshme brenda datës 10 shtator 2014;

– Të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj nxënësve;

– Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve të përballohen nga ana e institucioneve të arsimit parauniversitar privat, personi juridik që e përfaqëson atë;

– Të vënë në dispozicion të njësive arsimore vendore përkatëse çdo informacion të kërkuar dhe të vazhdojnë të mbajnë kontakte me to deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara nga ky urdhër;

– Të dorëzojnë në njësinë arsimore vendore përkatëse të gjithë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë arsimore të tyre.

Arrestohet Guvernatori i BSh-së, Fullani. Prokuroria shpjegon arsyet

“Stuhi mbi Bankën e Shqipërisë”. Arrestimi i Guvernatorit në mediat italiane