Lajmin e jep marina ushtarake libiane: “Në ujë ka me dhjetëra trupa të pajetë”
Romë, 15 shtator 2014 – Një anije me 250 persona është fundosur në ujërat përpara brigjeve libike. “Deri tani janë shpëtuar vetëm 26 vetë e në det shihen dhjetëra trupa të pajetë” deklaron zëdhënësi i Marinës ushtarake libiane.
Kërkimet e ndihma e parë janë të vështira edhe për faktin se Roja bregdetare nuk ka mjetet e burime njerëzore të mjaftueshme për këto operacione.
Kjo e sotmja është e fundit e një serie të gjatë mbytjesh në Mesdhe që kanë për viktima afrikanë që përpiqen të mbërrijnë me çdo mjet të mundshëm në brigjet e Evropës. Nga fillimi i këtij viti mbi 100 mijë afrikanë kanë mbërritur në brigjet italiane. Sipas agjencisë Habeshia,vetëm këtë vit kanë humbur jetën në det 2.000 persona. E kjo shifër ishte përditësuar më 24 gusht pas mbytjes së dy anijeve në 48 orë e kur humbën jetën rreth 250 persona.
Tragjedia më e rëndë e kohëve të fundit mbetet ajo e tetorit të vitit të shkuar në Kanalin e Sicilisë kur humbën jetën 366 vetë, mes të cilëve edhe shumë gra e fëmijë, e u shpëtuan 155 persona.
Viti me bilancin më të rëndë konsiderohej i deri tani 2011, me të paktën 1.800 persona të mbytur. Sipas Fortress Europe, nga viti 1988 në Mesdhe kanë humbur jetën 20.200 migrantë.