in

Shtypi i huaj për vizitën e Papës në Shqipëri. Rrezik i lartë atentati

Vëmendjen në këtë drejtim e ka tërhequr ambasadori i Irakut në Vatikan dhe e kanë përcjellë gazetat italiane por edhe ato britanike dhe amerikane. Reagon Vatikani: “Nuk ekziston asnjë shqetësim i veçantë. Lajmi është i pabazë”

Ndërsa vetëm pak ditë na ndajnë nga udhëtimi i Papa Françeskut në Tiranë këtë të diel, lajmi për vizitën e tij në Shqipëri është shoqëruar nga ai i rrezikut që i kanoset Atit të Shenjtë nga terroristët e ISIS-it.

Prej dy ditësh, mediat botërore po flasin gjerësisht mbi mundësinë e një atentati me qëllim vrasjen e Papës. Burimi i këtij lajmi të bujshëm është i njëjtë: në një intervistë të dhënë për një media italiane, ambasadori i Irakut në Vatikan, Habeeb Al-Sadr, e thotw hapur se Papa është në shënjestër të ISIS. Ambasadori iraken duket se ka dashur të tërheqë vëmendjen për sigurinë e Papës gjatë udhëtimeve të tij. Është i njohur fakti që Papa Françesku, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk përdor makinën e blinduar dhe se ai vazhdimisht tregohet “i pakujdesshëm me sigurinë e tij personale” për të qëndruar më pranë njerëzve.

Paralajmërimi i ambasadorit ka pasur një jehonë të fortë në media për shkak dhe të vizitave të paralajmëruara të Papës në Europë, fillimisht në Shqipëri e më pas në Turqi. Kanë qenë, mediat italiane ato që të parat kanë bërë publik lajmin, pas saj edhe ato britanike e amerikane.

Ja një përmbledhje e shkurtër e përgatitur nga Lapsi.al:

Gazeta italiane Il Giornale (në lidhje të titujve të gazetave, artikulli në origjinal) thotë se shërbimet sekrete e kanë konsideruar vizitën e Papës në Shqipëri me një rrezik të lartë. Sipas tyre kërcënimi mund të vijë nga celulat terroriste në Kosovë, Bosnje apo Maqedoni nga dhe janë nisur qindra ushtarë për “luftën e shenjtë” në Irak dhe Siri. Mendohet që edhe bërthama xhihadiste kanë qenë të afta të infiltrohen në Shqipëri dhe tashmë mund të jenë prezente në “vendin e shqiponjave”.

Huffington Post, duke iu referuar një tjetër gazete italiane, La Nazione, shkruan se Papa Françesku mund të rrezikojë një tentativë për vrasje nga militantët e Shtetit Islamik gjatë vizitës së tij në Shqipëri në fundjavë. Ambasadori i Irakut në Vatikan Habeeb Al Sadr, duke folur për gazetën La Nazione tha se megjithëse ai nuk ishte në dijeni të ndonjë informacioni konkret, papa mund të ishte në rrezik gjatë udhëtimit të tij. “Ajo çfarë ka deklaruar shteti i vetëshpallur islamik është e qartë. Ata duan të vrasin Papën,” tha Al Sadr. “Kërcënimet ndaj papës janë të besueshme”. 

Britanikja Daily Mail, në titullin e saj në lidhje me kërcënimet ndaj Papës shkruan: “Ambasadori iraken deklaron se Papa është në rrezik për t’u vrarë në vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri dhe Turqi, sipas disa “kërcënimeve të besueshme”. Shkrimi ndalet në faktin që Papa do të vizitojë së shpejti Shqipërinë me një shumicë myslimanësh Sunitë. “Megjithatë,” thuhet  në shkrim, “sipas ambasadorit, Papa nuk është i sigurtë askund, as edhe në Britani. Ai mendon se terroristët mund të tentojnë ta godasin edhe në Romë.”

The Telegraphshkruan: “Ndërkohë që papa 77 vjeçar po përgatitet të udhëtojë drejt Shqipërisë të dielën, për një vizitë një ditore, ambasadori i Irakut në Selinë e Shenjtë thotë se ka kërcënime të besueshme ndaj jetës së atit të shenjtë. Udhëheqësi i Kishës Katolike  mund të jetë veçanërisht vulnerabël edhe gjatë vizitës së tij në Turqi, në nëntor, tha ambasadori. Xhihadistët e Isis, javët e fundit kanë deklaruar se duan ta shtrijnë kalifatin e tyre edhe në Romë dhe se do të ngulin flamurin e tyre të zi xhihadist në majë të bazilikës së Shën Pjetrit. Habeeb Al-Sadr tha gjithashtu se kishte indikacione më specifike për këto plane, duke qenë se  Papa Françesku ka folur në favor të SHBA dhe aleatëve që po ndërhyjnë për të ndalur avancimin e Isis në Siri dhe Irak. “Besoj se do të tentojnë ta vrasin në ndonjë nga udhëtimet e tij jashtë, ose edhe në Romë. ISIS ka anëtarë që nuk janë arabë, por kanadezë, amerikanë, francezë, britanikë, si dhe italianë,”tha ai.

Në të njëjtën mënyrë, The independent, bën një pasqyrim të vizitave të Papës dhe deklaratës së ambasadorit Al-Sadr, duke vënë theksin në faktin se nëse ka kërcënim për jetën e Papës, ai mund të vijë në çdonjërën nga vizitat e tij, pavarësisht vendit.  Sipas The Independent, kërcënimet ndaj jetës së Atit të Shenjtë, janë diskutuar dhe më herët gjatë këtij viti, pasi ai bëri thirrje për të “ndalur”Isis dhe persekutimin që ai u bën 40.000 kristianëve në veri të Irakut. Gjithashtu, sipas The Independent, në Gusht u raportua një rritje e nivelit të sigurisë në Romë, pasi zyrtarë izraelitë paralajmëruan se thirrja e Papës kundër Isis e kishte kthyer atë në një target të militantëve.

Edhe Fox News në mbulimin që i bën lajmit vë theksin kryesisht në sigurinë e Papës gjatë udhëtimeve që ka në axhendë, i pari prej të cilëve në Shqipëri. Duke iu referuar intervistës së ambasadorit iraken, Fox News, shton se siguria e papës mund të rrezikohet në çdonjerin nga udhëtimet e tij të planifikuara.

Reagon Vatikani

Përmes zëdhënësit të tij, Atit Federico Lombardi, Vatikani u është përgjigjur shqetësimeve në lidhje me kërcënimet ndaj jetës së Papës. Ai tha: “Nuk ka asgjë serioze në këtë. Në Vatikan nuk ekziston asnjë shqetësim i veçantë. Ky lajm është i pabazë.”

Atë Lombardi shtoi gjithashtu se pavarësisht raportimeve në media, nuk do të ketë asnjë siguri të shtuar gjatë vizitës së Papës në Shqipëri. Ati i Shenjtë do të vazhdojë të udhëtojë ”i pambrojtur” në xhipin e hapur të cilin përdori gjatë meshës së tij inauguruese në Shën Pjetër vitin e kaluar. Vatikani i hodhi poshtë shqetësimet e shprehura në media, duke thënë se nuk ka raporte të besueshme për rrezikshmëri të udhëtimit në Shqipëri dhe se Papa nuk do të ndryshojë asgjë nga programi i tij.

“Nuk ka asnjë kërcënim specifik që mund të ndryshojë sjelljen e Papës, apo mënyrën se si udhëtimi është organizuar” përfundoi zëdhënësi i Vatikanit.

Vlorë. Paditen dy italianë për peshkim të ndaluar, sekuestrohen mjetet lundruese

Sheshi Nënë Tereza si nuk e kishim parë kurrë më parë