in

Lega proteston kundër punësimit të një shqiptareje

Ka lajme që në lexim të parë duken të pabesueshme. Si ky i mëposhtmi:

Në një shkollë private në Romano di Lombardia, një qytezë në provincën e Bergamos, punësimi i një gruaje shqiptare si pastruese, po shkakton një përballje shumë të fortë me ngjyra politike. Këshilltarët legistë të kryesisë së Fondacionit Mottini që administron shkollën fillore, i janë kundërvënë ashpër kryetarit të Fondacionit Gino Ravelli (Pdl) sepse ka konfirmuar kontratën prej 20 orësh në javë të gruas shqiptare, një 35-vjeçare që prej 18 vjetësh jeton në Itali.

Polemika bie erë racizëm dhe, për më tepër, është e pavend, në një vend të vogël si Romano di Lombardia, me 18.622 banorë, ndër të cilët 3.130 janë të huaj, e nga këta të fundit 1.079 shqiptarë. Është mëse e natyrshme që mes të punësuarve të ketë shumë të huaj, marrja në punë si pastruese e një shqiptareje nuk duhet të binte aspak në sy.

Sipas përfaqësuesve legistë, kryetari i Fondacionit ka vendosur me kokën tij, pa informuar më parë këshillin e kryesisë. Por Gian Antonio Ambrosini, sekretar i Lidhjes së veriut në Romano, ndërsa deklaron se konflikti nuk ka lindur për shkak të nënshtetësisë së punonjëses, shton se para të tjerëve duhet të vijnë “njerëzit tanë”, kur bëhet fjalë për vende pune në këto kohë krize.

Deri tani në këtë ballafaqim ende nuk ka ndërhyrë kryebashkiaku Michele Lamera (Pdl). Ditën e premte çështja duhet të trajtohet gjatë mbledhjes së këshillit të administratës së Fondacionit në të cilin bëjnë pjesë dhe dy famullitarë.

Ndoshta polemika është fasada e ndonjë mosmarrëveshjeje tjetër në gjirin e kryesisë së Fondacionit, ose ndoshta në këto kohë krize, vërtet italianët duan të bëjnë punët që aktualisht i bëjnë të huajt… Sepse ndryshe nuk shpjegohet. Lidhja e Veriut në Toskanë ka një zëdhënëse me origjinë shqiptare. Por mbase vendi i zëdhënëses nuk lakmohet nga italianët.

Italia më e korruptuar se Ruanda

Pasaportat: “Aplikimi në konsullata mund të nisë nga fundi i vitit”