Nga 13 deri më 26 tetor policitë e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, të koordinuara nga ministria e Brendshme italiane, do të ndërmarrin një aksion kundër imigracionit klandestin. Cospe: “Çnjerëzor dhe i kotë”
Romë, 9 tetor 2014 – Policitë e mbarë Evropës po përgatisin një aksion ndërkombëtar të përbashkët kundër imigracionit klandestin. Objektivi i tyre është të ndalojnë e të skedojnë në dy jave sa më shumë migrantë të parregullt për të zbuluar se si kanë ardhur e si zhvendosen në brendësi të zonës Schengen, e që më pas të mund të godasin rrjetin e trafikantëve të njerëzve.
Operacioni në fjalë, i cili nga data 13 deri më 26 tetor do të angazhojë mijëra e mijëra policë, është nismë e qeverisë italiane dhe do të koordinohet nga drejtoria e Imigracionit dhe e policisë së kufirit e ministrisë së Brendshme. Është kurioz fakti që e kanë quajtur “Mos Maiorum”, termi që përdornin romakët për “traditat (e mira) të të parëve”.
Në një dokument të rezervuar të dorëzuar në Bruksel më 10 korrik 2014 nga presidenca italiane delegacioneve të shteteve të tjera evropiane janë renditur të gjitha informacionet që agjentët duhet të mblesdhin nga migrantët e ndaluar.
Në veçanti, kërkohet të zbulohet si vijnë: “rruga që bëjnë, mjetet e transportit që përdorin deri kur mbërrijnë në një vend të BE-së”, por edhe “udhëtimi i programuar e vendmbërritja finale”. Migrantët do të pyeten gjithashtu edhe nëse kanë përdorur “dokumente udhëtimi të falsifikuara, kanë paraqitur kërkesa azili, të dhëna mbi trafikantët e njerëzve, kombësia dhe vendi i rezidencës, sa para kanë paguar për udhëtimin”.
Kontrollet do të bëhen në kufij por edhe në të gjithë territorin evropian, sepse kërkohet të mësohet prej tyre edhe rrugëtimi që bëjnë në brendësi të Schengen-it. Për të gjithë ata që janë pa leje qëndrimi parashikohen dy javë vërtet shumë të rrezikshme. Kush do të ndalohet në kuadrin e aksionit Mos Maiorum, nëse nuk është kërkues azili do të dëbohet ose do të futet në një Cie.
Është i kuptueshëm shqetësimi i shumë shoqatave. “Coordinamento migranti” i Bolonjës, për shembull, ka shpërndarë një fletëpalosje për të informuar të gjithë mbi këtë aksion. Në faqet e tij internet kujton : “Nëse të ndalojnë ke të drejtë të kërkosh azil apo mbrojtje humanitare në çdo moment. Nëse ke paraqitur kërkesë për azil ke të drejtë të paraqesësh një kërkesë të re nëse rrethanat fillestare kanë ndryshuar…”.
Cospe, Cooperazione per lo Sviluppo dei Paesi Emergenti, e konsideron këtë aksion një “fushatë çnjerëzore dhe të kotë”. Ajo pohon se operacioni është “vazhdimësi e përkryer e qasjes policore e shtypëse të politikave evropiane përgjegjëse për vdekjen e mijëra personave në Mesdhe” dhe i kërkon ministrit të Brendshëm Alfano “garanci për respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të Konventës së Gjenevës për refugjatët”.