in

Tmerr në Genova. Qyteti përmbytet nga uji e balta

Gjendet i vdekur një 57-vjeçar. Tre vjet më parë në një situatë të ngjashme, viktimat ishin shtatë, e mes tyre edhe Shpresa Djala me dy vajzat e saj të vogla

Romë, 10 tetor 2014 – Përrenj që kanë dalë nga shtrati, një person i vdekur, rrugët të kthyera në lumenj të rrëmbyer që marrin përpara makinat, katet e para të përmbytura nga uji e balta, një tren Frecciabianca i dalë nga binarët për shkak të shembjes së dheut, shkollat të mbyllura sot e nesër, dëme të pallogaritshme në rrugë, automjete, aktivitete tregtare e shtëpi. Genova përjeton sërish një ferr të vërtetë, qyteti bie pre e ujit, baltës  dhe e polemikave për dhënien me vonesë të alarmit, pasi drama kish ndodhur tashmë. Mbrëmë, pak para mesnate, përroi Bisagno ka dalë nga shtrati dhe ka vërshuar në rrugë ku i ka marrë jetën Antonio Campanellës, një 57-vjeçar gjenovez.

Mbrojtja Civile ka dhënë (edhe pse me vonesë) nivelin e dytë e maksimal të vigjilencës deri për në mesditën e të shtunës, 11 tetor, jo vetëm në Genova por edhe në Savona e La Spezia.

Kryetari i bashkisë së Genovas, Marco Doria, kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për fatkeqësi natyrore për qytetin e tij. Kryeministri Renzi i përgjigjet se gjenovezët nuk do të lihen vetëm e se qeveria do të bëjë pjesën e saj.  

E ndërsa nata bie mbi Genova, njerëzit janë të tmerruar. Mendja shkon në përmbytjet e tre vjetëve të shkuara kur më 4 nëntor 2011 humbën jetën 7 persona, mes të cilëve edhe Shpresa Djala, 28-vjeçarja nga Shënkolli i Lezhës rezidente prej vitesh në kryeqendrën e Ligurias, bashkë me të bijat, Gianissa një vjeç dhe Gioia 8 vjeç, të marra përpara nga rryma e ujit që nuk u ka lënë rrugë shpëtimi.

 

Shqipëri-Danimarkë. De Biasi: “Në fushë vetëm për fitore”

OBSH: Mbi 4.000 të vdekur për shkak të Ebolas