in

Ç’pension fitoj me 26 vite pune në Shqipëri e 3.000 ditë pune në Greqi?

Jam një emigrante shqiptare e datëlindjes 23.03.1951. Kam 26 vite pune në Shqipëri dhe 3.000 ditë pune në Greqi. Në ç’moshë duhet të dal në pension e sa më takon? 

Sipas informacionit të dhënë, ju e keni plotësuar moshën për pension në Shqipëri, më datë 23.3.2011. Po kështu keni plotësuar vjetërsinë kontributive për pension të pjesshëm pleqërie, pasi për pension të plotë, sikurse theksohet në nenin 31 të Ligjit nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kërkohet mosha 60 vjeç gratë, pasi të kenë plotësuar 35 vjet sigurim.

Me vjetërsinë e punës që keni në Shqipëri, ju  përfitoni një pension të pjesshëm të barabartë me 74,3% të pensionit të plotë që do t’ju takonte me vjetërsinë e plotë prej 35 vitesh (raporti është 26:35 =74,3%). Përcaktimi bëhet në nenin 34 të ligjit të mësipërm ku theksohet, sepersoni i siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet sigurimi, ka të drejtë të përfitojë pension të pjesshëm, kur të arrijë burri moshën 65 vjeç dhe gruaja moshën 60 vjeç. Pensioni i pjesshëm caktohet si pjesë e pensionit të plotë. Ky pension llogaritet duke shumëzuar pensionin e plotë me vitet e sigurimit dhe duke bërë pjesëtimin me 35.

Shuma në lekë e pensionit është në vartësi të pozicionit të punës që keni patur para datës 31.12.1993 dhe pagat reale mbas datës 1.1.1994. Përsa i përket pensionit në Greqi, bazuar në legjislacionin grek, nuk keni plotësuar numrin e domosdoshëm të ditëve të punës (mbi 4.000 ensima) për të pasur pension në atë vend.

Ashtu si me Italinë, dhe me Greqinë, ende nuk ka një marrëveshje dypalëshe qeveritare, për njohjen dhe totalizimin e periudhave kontributive, të punuara përkatësisht në Greqi dhe Shqipëri. Mund të them se jeni tepër e vonuar në aplikimin për pension në Shqipëri (në rast se nuk keni aplikuar ende), duke qenë se ka kaluar më shumë se një vit nga dita e  lindjes  të së drejtës. E drejta për përfitimin e pensionit, ju lind që nga dita e aplikimit. Ky përcaktim është në nenin 62 të ligjit ku thuhet: “Personit, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre. Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet”.

Ju sugjeroj, të bëni sa më shpejt që të jetë e mundur procedurat (në rast se nuk i keni bërë). Jemi të gatshëm për t’ju dhënë ndihmën e nevojëshme për të gjitha procedurat, deri në përfitimin e pensionit. Sipas mundësive që keni, mund të paraqiteni pranë zyrave të Patronato INAS ALBANIA (Rr. A.Z. Çajupi, Pallati nr.7 Kati I, Tiranë), personalisht, apo duke autorizuar një person tjetër.

Të gjitha shërbimet tona ofrohen pa pagesë

Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania

Lexo edhe:
A mund të përfitohet pension i parakohshëm në Shqipëri?
Si kontrollohen periudhat kontributive e si aplikohet për pension në Shqipëri
Pensioni i invaliditetit në Shqipëri. Edhe emigrantëve që kanë vite pune në atdhe
Pensioni në Itali
“Sigurimi shoqëror për punësimin”, kompensimi i ri për papunësinë në Itali

Sipërmarrësi kosovar: 1 milion euro për kuqezinjtë nëse fitojnë kundër serbëve

Sa shumë gabime për një titull